Ish-kryeekzekutivi i Hong-Kongut vlerëson arritjet e Reformës dhe të Hapjes

2018-12-10 15:21:33 CRI Komenti juaj Printoni

Tung Chee-hwa, ish-kryeekzekutivi i Hong-Kongut dhe nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, vuri në dukje kohët e fundit se Reforma dhe Hapja ndaj botës së jashtme e Kinës është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së njerëzimit në shekullin e 20-të. Sipas tij, nga kjo politikë ka pasur përfitime jo vetëm Kina, por edhe shumë vende të tjera. Gjatë këtij procesi, Hong-Kongu ka dhënë ndihmesë të madhe dhe zhvillimi i atdheut nga ana tjetër po i ofron Hong-Kongut mundësi të reja.

Si themelues i Fondacionit "Our Hong Hong", z. Tung mbajti fjalën e rastit në mbrëmjen e organizuar në fund të nëntorit me rastin e katërvjetorit të krijimit të kësaj organizate jofitimprurëse.

"Ky vit ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë. Sivjet është jubileu i 40-vjetorit të Reformës dhe Hapjes të Kinës, një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit në shekullin e 20-të. Kjo politikë jo vetëm ka ndryshuar atdheun tonë, por edhe ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme mbi mbarë botën. Njohja e këtij procesi ka domethënie të jashtëzakonshme për të kaluarën dhe të ardhmen tonë", tha ai.

Duke i hedhur vështrim retrospektiv kësaj historie, Tung Chee-hwa u shpreh se në vitin 1978, pak kohë pas përfundimit të Revolucionit të Madh Kulturor, Ten Hsiao Pini e udhëhoqi Kinën drejt Reformës dhe Hapjes. Në atë kohë Kina ishte një ndër vendet më të prapambetura në botë, me një PBB për frymë 156 dollarë amerikanë.

Për arritjet e vendit pas zbatimit 40-vjeçar të kësaj politike, Tung Chee-hwa vuri në dukje se Kina ka përjetuar një ndryshim gjigant.

"Sot, 40 vjet më vonë, PBB-ja e Kinës është rritur 34 herë dhe Kina është bërë ekonomia e dytë më e madhe dhe vendi më i madh tregtar në botë. PBB-ja për frymë është rritur mbi 60 herë, duke arritur në 8800 dollarë amerikanë, duke u ngritur në nivelin mbi të mesëm nga të ardhurat e popullit. Gjatë këtij procesi, mbi 700 milionë njerëz kanë dalë nga varfëria. Kina ka bërë përparime të mëdha në fushat politike, shoqërore, ligjore, të demokratizimit, të të drejtave të njeriut etj. Në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur asnjëherë që kaq shumë njerëz të arrijnë rezultate kaq të mëdha brenda një afati kaq të shkurtër," shtoi ish-kryeekzekutivi i Hong-Kongut.

Duke përgjithësuar përvojat e vendit gjatë Reformës dhe Hapjes, z. Tung tha: "Së pari, në aspektin ekonomik, Kina zbatoi reforma graduale dhe guxoi të eksperimentojë sipas kushteve. Kina ndërthuri mbikëqyrjen e qeverisë dhe hapjen e tregut, duke krijuar ekonominë socialiste të tregut me dy mekanizma. Nga ana politike, Partia Komuniste e Kinës vijoi udhëheqjen e vendit, duke e vënë mirëqenien e popullit në qendër të punës së vet. Qeveria kineze ka përshtatur pandërprerë politikat e saj sipas ndryshimit të realitetit, duke ngritur nivelin shkencor e demokratik të vendimmarrjes dhe duke forcuar përsosjen e sistemit ligjor në të mirë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pronësisë, duke iu përgjigjur kërkesave të masave popullore. Së treti, Kina i kushton vëmendje të madhe studimit shkencor dhe krijimit të risive. Qeveria kineze nxit gjithmonë rritjen e nivelit të teknologjisë industriale dhe zbaton strategjinë e zhvillimit të bazuar mbi risitë në vend të eksportit. Tani, përparimet teknologjike kanë dhënë kontribut për 57 % të rritjes së PBB-së së vendit. Së katërti, Kina ka hapur dyert ndaj botës së jashtme dhe mëson me etje nga të gjitha përparimet e huaja. Hapja e Kinës është e gjithanshme, nga rajonet e posaçme ekonomike, pjesët bregdetare deri në krahinat perëndimore, nga tregtia e mallrave deri në investimet e shërbimet, nga importimi i gjërave të mira deri në eksportimin e fryteve vetjake. Çdo vit, mbi 600 mijë studentë kinezë studiojnë jashtë vendit dhe mbi 100 milionë turistë kineze udhëtojnë në vende të tjera. Së fundmi, por jo për nga rëndësia, suksesi i Kinës është një rrugë unike që populli punëtor kinez ka shtruar për 40 vjet me punë, mençuri dhe aspirata për një jetë më të bukur."

Tung Chee-hwa vuri gjithashtu në dukje se suksesi i Reformës dhe Hapjes së Kinës i ka sjellë ekonomisë botërore shumë raste të reja. Sipas Bankës Botërore, 34 % e rritjes së ekonomisë globale në vitin e kaluar ishte nga ekonomia kineze. Kina është "fabrika e botës", por edhe tregu i importit me rritjen më të shpejtë në botë. Kina ka ofruar edhe shumë mundësi për investimet e huaja. Nga Reforma dhe Hapja kanë përfituar jo vetëm Kina, por edhe vendet e tjera.

"Vitet e fundit, Kina ka shpallur nismën 'Një brez, një rrugë', ka propozuar krijimin e institucioneve financiare, si BAII dhe Banka e Re e Zhvillimit, ka marrë pjesë aktive në përballimin e ndryshimit klimatik dhe ka nxitur përmirësimin e qeverisjes globale. Ndër pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka dërguar më shumë ushtarakë paqeruajtës. Kina nuk do të kërcënojë asnjë vend dhe nuk synon udhëheqjen e botës, as të eksportojë modelin e saj të zhvillimit," tha z. Tung.

Për sa i përket drejtimit të zhvillimit të ardhshëm të vendit, ai vuri në dukje se presidenti Xi Jinping ka ritheksuar në shumë takime ndërkombëtare se Reforma dhe Hapja është politikë bazë dhe forcë thelbësore nxitëse e zhvillimit të Kinës, duke premtuar se dera e Kinës nuk do të mbyllet, por vetëm do të hapet gjithnjë e më shumë. Ish-kryeekzekutivi i Hong-Kongut theksoi se Kina, përveç nxitjes së zhvillimit të vet, po i përkushtohet krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, duke i sjellë mirëqenie mbarë botës. "Kam besim të plotë te e ardhmja e ndritur e vendit tonë", shtoi z. Tung.

Mrekulli
Lajmet Kryesore