Rregullat doganore të Kinës

2018-12-10 15:07:34 CRI Komenti juaj Printoni

Për të kaluar doganën kineze, ju duhet të ndiqni rregullat përkatëse. Në mënyrë që procedura të kryhet pa probleme dhe të udhëtoni të lumtur në Kinë, duhet të tregoni kujdes për sa vijon:

Deklarata doganore

Kur udhëtarët kanë me vete ose dërgojnë ndaras mallrat e poshtëshënuara, ata duhet të paraqesin një deklaratë në doganë:

Mallra që u nënshtrohen tarifave doganore ose pjesërisht të përjashtuara prej këtyre tarifave;

Sende personale udhëtimi ose jo për përdorim personal, por që konsiderohen të nevojshme për udhëtim;

Objekte kulturore, monedha, ar e argjend dhe produkte të tyre, botime dhe prodhime audiovizuale; mallra, mostra dhe materiale të tjera që nuk përfshihen në bagazhet e udhëtarëve.

Korridori i kuq dhe korridori i gjelbër

Udhëtarët që duhet të paguajnë taksa ose të kryejnë procedurat e lejes doganore, duhet të kalojnë nga korridori i kuq, të tjerët nga korridori të gjelbër.

Rregulla të përgjithshme

Kur kaloni doganën, dorëzoni bagazhet tuaja për kontroll. Bagazhet e pakontrolluara nuk mund të tërhiqen apo të dërgohen.

Për bagazhet që dërgohen ndaras, duhet të plotësohet "Deklarata e bagazheve të udhëtarëve". Brenda 6 muajve nga dita e hyrjes së udhëtarit, bagazhet e tij kontrollohen dhe lëshohen nga dogana.

Ruajeni "Deklaratën e bagazhit të udhëtarëve" të firmosur nga Dogana për ta përdorur në formalitetet për hyrjen apo daljen nga vendi.

Udhëtarët gjithashtu duhet të deklarojnë në doganë reliktet kulturore që synojnë të sjellin jashtë vendit. Reliktet e blera në dyqanet e përcaktuara (dyqanet e antikuarëve ose dyqanet e miqësisë) mund të kalojnë doganën kur shoqërohen me "Faturën e posaçme të shitjes jashtë vendit të objekteve dhe të teksteve të lashta" dhe vulën e autenticitetit të vënë nga departamenti i administrimit të trashëgimisë kulturore. Reliktet e marra nga udhëtarët me mënyra të tjera, si trashëgimi familjare a dhurata nga familja ose miqtë, së pari duhet të verifikohen nga departamentet e administrimit të trashëgimisë kulturore. Për këtë qëllim ekzistojnë departamente në tetë dogana, si në Pekin, Shangai, Tianjin, Guangzhou etj. Përmes vlerësimit, departamentet e administrimit të trashëgimisë kulturore japin lejen e eksportit. Reliktet e kalojnë doganën në kufi sipas lejes së departamenteve të administrimit të trashëgimisë kulturore.

Udhëzime për karantinën shëndetësore

Administrata e Përgjithshme e Kontrollit të Cilësisë, e Inspektimit dhe e Karantinës e Republikës Popullore të Kinës është një organ i autorizuar nga Këshilli i Shtetit për karantinën lidhur me jashtë, e cila vepron sipas ligjit, së bashku me departamentet e kufirit në varësi të saj për karantinën në dogana për ata që hyjnë dhe dalin nga kufiri. Doganat lejojnë kalimin e artikujve të veçantë në listën e miratuar nga institucionet shëndetësore të karantinës.

Ata që hyjnë ose dalin nga kufiri, valixhet dhe objektet e mbajtura me vete ose të dërguara që mund të përhapin epidemi, duhet t'i nënshtrohen kontrollit shëndetësor. Institucionet shëndetësore duhet të bëjnë trajtimin shëndetësor ose të asgjësojnë ushqimet, pijet joalkoolike dhe produktet e peshkut nga zona epidemie ose të infektuara dhe të lëshojnë një certifikatë të trajtimit shëndetësor. Doganat lejojnë kalimin me certifikatën e trajtimit shëndetësor të institucioneve të karantinës.

Njerëzit nga zonat e prekura nga ethet e verdha, kur hyjnë në vend duhet të paraqesin një certifikatë të vlefshme vaksinimi për institucionet e karantinës. Ata që nuk kanë një certifikatë të vlefshme, mund të mbahen nga institucionet e karantinës për 6 ditë pas largimit nga mjedisi i infektuar, ose mund të vaksinohen dhe të mbahen derisa të bëhet e efektshme certifikata e vaksinimit.

Mjetet e transportit që hyjnë ose dalin nga vendi, personat, ushqimet, uji i pijshëm, objekte të tjera dhe insektet dhe kafshët që janë bartës të sëmundjeve janë objekte të kontrollit epidemik.

Mrekulli
Lajmet Kryesore