Shndërrimi i "kryeqytetit të shiut acid" në "qytet lulesh"

2018-12-03 15:02:23 CRI Komenti juaj Printoni

Qyteti Liuzhou është baza më e madhe industriale e Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore. Në vitet '80-'90 të shekullit të kaluar, modeli i zhvillimit të nxitur nga industria e rëndë shkaktoi dëme të mëdha natyrore në këtë qytet. Si pasojë, 98 % e reshjeve të shiut në vit ishin shi acid dhe Liuzhou cilësohej si një ndër katër qytetet që goditeshin më shumë nga shiu acid. Gjatë viteve të fundit, pas sistemimit, qyteti, që ka përjetuar një rrugë të gjatë kërkimesh për ndryshimin e strukturës industriale, tani është bërë "qytet komod me lule".

Lidhur me këtë proces, zv.kryebashkiaku i Liuzhou-t, Jiao Yaoguang, vuri në dukje se nga viti 2002, bashkia e qytetit ka nisur projektin e sistemimit të lumit Liujiang. Gjatë kësaj fushate, në zonat urbane përgjatë 55.5 kilometrave të lumit Liujiang u zbatuan një sërë masash, si gërmimi i kanaleve, shtimi i instalimeve për trajtimin e ujit të ndotur, ndërtimi i parqeve, mbyllja ose rritja e nivelit teknologjik të fabrikave etj.

"Në të kaluarën, gjatë pjesës së lumit Liujiang që kalon nëpër qytet, kishte 36 grykëderdhje të lidhura me shumë fabrika afër. Pas përpjekjeve tona afro 20-vjeçare, ndërmarrjet që kishin shkarkim të madh ndotjesh u mbyllën dhe shumë të tjera u zhvendosën në zona jashtë qytetit, duke pasur edhe përmirësim teknologjik. Në të njëjtën kohë, bashkia investoi mbi 6 miliardë juanë për trajtimin e ujërave të zeza", tha z. Jiao.

Znj. Çin Guoçin, kryeinxhiniere në Drejtorinë e Mbrojtjes së Mjedisit të qytetit Liuzhou, i tha Radios së Jashtme të Kinës se, përveç ndryshimit të strukturës industriale, qyteti ka ngritur në mënyrë të dukshme edhe aftësinë e trajtimit të ujërave të zeza, duke bërë që uji i ndotur që shkaktohet nga përdorimi industrial apo urban, të derdhet vetëm pas trajtimit. Sipas saj, kjo është një ndër arsyet kryesore që garanton përmirësimin afatgjatë të cilësisë ujit të lumit Liujiang.

"Kemi ndërtuar 11 impiante të trajtimit të ujërave të zeza, me të cilat mund të trajtojmë mbi 98 % të ujit të ndotur, që janë 840 mijë tonë në ditë. Tani përqindja e lumenjve me cilësi uji të nivelit të dytë është në rritje e sipër. Në vitin 2015 kjo shifër ishte 54 % dhe në vitin 2017 arriti në 70%. Kjo është një arritje e madhe, sepse niveli i tretë është në përputhje me standardin kombëtar", shtoi znj. Çin.

Sipas saj, autoritetet vendore i kanë kushtuar vëmendje edhe përmirësimit të problemit të ndotjes së ajrit, duke nxitur përhapjen e energjisë së pastër. Pas përpjekjeve të shumta, dendësia e dioksidit të sulfurit në ajër arriti standardin në vitin 2016. Përveç kësaj, znj. Çin nënvizoi edhe rolin e rëndësishëm të kompanive vendore në luftën kundër ndotjes.

Grupi i Hekurit dhe i Çelikut i Liuzhou-t është prodhuesi më i madh i produkteve prej hekuri dhe çeliku në pjesën jugperëndimore të Kinës. Uzina e këtij grupi ka qenë edhe një ndër burimet kryesore të lëshimit të ndotësve në qytet. Në vitet '90 të shekullit të kaluar, për shkak të konsumit të lartë të energjisë dhe shkarkimit të madh të ndotjeve, publiku e akuzoi këtë grup se po rrezikonte shëndetin e banorëve. Sipas z. Deng Shen, drejtor i qendrës teknologjike të Grupit, që prej asaj kohe, kompania ka investuar mbi 7 miliardë juanë (më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë) për trajtimin e ujit të përdorur, gazit ndotës të lëshuar dhe mbetjeve metalurgjike, duke vënë në shfrytëzim mbi 500 grupe pajisjesh për kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedist.

"Të gjitha materialet që përmbajnë hekur do t'i vëmë përsëri në përpunim. Ndërsa mbetjet pas djegies do t'i shfrytëzojmë për prodhimin e materialeve të ndërtimit. Kështu që të gjitha mbetjet e ngurta mund të ripërdoren", tha z. Deng.

Sipas tij, tani në të gjitha hallkat e procesit të prodhimit në uzinë përdoret sistemi i trajtimit të ujit. Me një kapacitet 60 milionë tonë në vit, nëpërmjet këtij sistemi, mbi 98 % e ujit të përdorur në prodhim mund të ripërdoret për qëllim industrial pas pastrimit. Përveç kësaj, me një teknologji të studiuar në mënyrë të pavarur, Grupi i Hekurit dhe i Çelikut i Liuzhou-t mund të pakësojë lëshimin e mbi 20 mijë tonëve dioksid sulfur në vit dhe të më shumë se 1 mijë tonëve pluhur.

Pas sistemimit të vazhdueshëm, Liuzhou tani nuk vuan më nga reshjet e acidit, me përmirësim të pandërprerë të mjedisit. Vitet e fundit, për të konsoliduar rezultatet e përpjekjeve, bashkia vendore ka promovuar energjinë e re, duke nxitur përhapjen e automjeteve elektrike. Kompania SGMW është prodhuesja më e madhe e makinave në Liuzhou. Sipas kryetarit të sindikatës së kompanisë, Liu Yang, SGMW-ja ka hedhur në treg një makinë elektrike dyvendëshe, e cila ka gjetur mbështetje nga politikat për promovim të bashkisë:

"Kemi fituar mbështetje të fortë nga qeveria, e cila i ka kushtuar shumë forca ndërtimit të pikave të mbushjes së baterive të automjeteve elektrike, vendeve të parkimit, dhënies së hapësirës së posaçme në rrugë etj. Të gjitha këto kanë vetëm një qëllim, që është promovimi i këtij mjeti të ri transporti."

Sipas tij, për shkak të kostos të ulët të përdorimit, sa vetëm 1/10 e makinave tradicionale që përdorin karburant, brenda pesë 5 muajsh SGMW-ja shiti mbi 10 mijë makina të tipit E100.

Jo vetëm kaq, por për të përmirësuar më tej peizazhin e qytetit, bashkia e Liuzhou-t ka zbatuar edhe një sërë projektesh gjelbërimi. Për shembull, në projektin "Qytet në kopshte të luleve" të nisur në vitin 2012, janë investuar 1.5 miliardë juanë (mbi 200 milionë dollarë amerikanë), duke mbjellë mbi 8.6 milionë bimë përgjatë rrugëve të qytetit.

Tani, qyteti Liuzhou po zhvillohet ekonomikisht duke mbrojtur mjedisin. Si një ndër qytetet pilot, këtu po bëhen edhe eksperimentime për të realizuar ekonominë qarkulluese.

Mrekulli
Lajmet Kryesore