Paraqitje e përgjithshme e kuzhinës kineze

2018-11-26 15:21:27 CRI Komenti juaj Printoni

Kuzhina kineze është e përbërë nga shumë lloje, nga të cilat më ndikueset, më përfaqësueset dhe më të njohurat janë ato të Shandong-ut, Sichuan-it, Guangdong-ut, Fujian-it, Jiangsu-së, Zhejiang-ut, Hunan-it e Anhui-t, që njihen edhe si "tetë kuzhinat kryesore" të Kinës.

Krijimi i një kuzhine ka karakteristikat e tij të veçanta dhe ndikohet nga kushtet natyrore gjeografike e klimatike, burimet dhe traditat ushqimore vendore.

Disa u japin tetë kuzhinave kryesore të Kinës tipare antropomorfike. Kështu, kuzhinat e Jiangsu-së dhe të Zhejiang-ut i krahasojnë me vajzat e bukura e të brishta të zonave në jug të rrjedhës së poshtme të lumit Jance, kuzhinat e Shandong-ut e të Anhui-t me një burrë të fuqishëm, të sinqertë e të ndershëm të Veriut, ato të Guangdong-ut dhe Fujian-it me një të ri elegant dhe kuzhinat e Sichuan-it e Hunan-it me një zotëri të suksesshëm dhe të kënaqur.

Tetë kuzhinat kryesore të Kinës

Kuzhina e Shandong-ut

Kuzhina e Shandong-ut përbëhet nga kuzhinat vendore të Jinan-it dhe të gadishullit të Jiaodong-ut.

Karakteristikat e kësaj kuzhine janë shija e fortë dhe përdorimi i preshit dhe hudhrës. Kuzhina e Shandong-ut është e njohur për gatimin e frutave të detit, supave dhe të brendshmeve të kafshëve të ndryshme.

Disa gjellë të njohura të kësaj kuzhine janë molusqet me salcë soje, sallata me rrënjë lotusi, krapi i ëmbël dhe i thartë etj.

Kuzhina e Sichuan-it

Kuzhina e Sichuan-it ka si pjesë përbërëse kuzhinat e Chengdu-së dhe të Chongqing-ut.

Karakteristikat e kësaj kuzhine janë larmia e shijeve të ndryshme dhe sidomos shija e fortë djegëse.

Gjellët më të famshme janë pula "Gongbao", putrat e ariut, filetoja me mish derri me shije peshku dhe fletët e peshkaqenit të kripura.

Kuzhina e Jiangsu-së

Kuzhina e Jiangsu-së është zhvilluar nga kuzhinat e Yangzhou-t, Suzhou-t dhe Nankinit.

Kuzhina e Jiangsu-së është e njohur për gatimet me zjarr të ngadaltë, në enë të mbyllur ose me zierje, si edhe për bërjen e supave duke ruajtur shijen origjinale.

Gjellët më të famshme janë filetoja me djathë soje në supë pule, mishi i derrit në xhelatinë, qoftet me mish gaforresh etj.

Kuzhina e Zhejiang-ut

Kuzhina e Zhejiang-ut ka si përfaqësuese kuzhinën e Hangzhou-t dhe përbëhet edhe nga kuzhinat e Ningbo-s dhe Shaoxing-ut.

Karakteristikat e saj janë freskia, butësia dhe mungesa e yndyrës.

Gatimet më të njohura të kësaj kuzhine janë karkalecat e detit me çaj "Longjing", "pula e lypsarit" etj.

Kuzhina e Guangdong-ut

Përfaqësuese e kuzhinës së Guangdong-ut është kuzhina e Guangzhou-t, ndërsa kuzhina të tjera janë edhe ato të Chaozhou-t dhe Dongjiang-ut.

Kjo kuzhinë përdor zakonisht gatimin me skuqje, me zjarr të ngadaltë dhe në enë të mbyllur, ka shije të freskëta, të lehta dhe delikate.

Gatime të famshme të kësaj kuzhine janë frikaseja me mish gjarpërinjsh, pule dhe maceje, derri i zier në salcë soje, kungulli i bardhë, mishi i derrit i thartë dhe i ëmbël.

Kuzhina e Hunan-it

Kuzhina e Hunan-it ka më shumë shije djegëse dhe të thartë.

Gjellët më të famshme janë lotusi i Hunan-it me sheqer kristalor, pendët e peshkaqenit të ziera në salcë soje etj.

Kuzhina e Anhui-t

Ka si përfaqësuese kuzhinën e Wannan-it dhe pjesë e saj janë edhe kuzhinat e zonave përgjatë lumit Jance dhe lumit Huaihe.

Tipare të kësaj kuzhine janë përdorimi i proshutës dhe i sheqerit kristalor e gatimi me zjarr të ngadaltë dhe në enë të mbyllura, duke i kushtuar rëndësi përdorimit të zjarrit në gatim.

Gatimi më i famshëm është rosa e stilit fujili.

Kuzhina e Fujian-it

Përfaqësuese e saj është kuzhina e Fuzhou-t, si edhe përbëhet nga kuzhina e Quanzhou-t dhe ajo e Xiamen-it.

Karakteristikë e saj janë frutat e detit dhe shijet e ëmbla, të tharta, të kripura e aromatike

Gatimet e famshme janë "pula në dëborë", "Ari, jetëgjatësia e lumturia", peshku jiaji në portokall, karkalecat e detit e peshku në salcë djegëse.

Mrekulli
Lajmet Kryesore