Qytete të vogla tërheqëse të Kinës

2018-11-19 15:58:05 CRI Komenti juaj Printoni

Qytetet kineze kanë një histori të gjatë, dhe veçanërisht qytetet e vogla qindravjeçare janë shumë interesante. Një prej tyre, Lijiang-u në provincën Yunnan të Kinës Jugore, është përfshirë në listën e trashëgimive jomateriale botërore. Historia dhe kultura, e kaluara dhe e tashmja e qyteteve të vogla të Kinës tërheq aty vizitorë kinezë dhe të huaj. Kështu, Zhouzhuang-u, Qyteti i Feniksit, Yangshou, Wuzhen-i, Nanxun-i dhe Dali tani kanë hyrë në listën e vendeve që duhen vizituar nga turistët kinezë dhe të huaj.

Zhouzhuang-u

Zhouzhuang-u ndodhet në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, vetëm 38 kilometra larg qytetit të lashtë të Suzhou-t. Piktori i famshëm kinez Wu Guanzhong ka shkruar: "Huanshan-i mbledh bashkë të gjitha bukuritë e maleve të Kinës, ndërsa Zhouzhuang-u përqendron tërë bukuritë e qytezave ujore". Shtypi i huaj e ka quajtur Zhouzhuang-un "Qyteza ujore nr. 1 e Kinës".

Zhouzhuang është i rrethuar nga mbi 30 liqene dhe kanale, ndër të cilët janë Denghu, Baiyan, Dianshanhu e Nanhu. Të gjitha shtëpitë e tij janë ndërtuar përgjatë kanaleve, në komplekse madhështore të stilit rural, që krijojnë një pamje të thjeshtë dhe të qetë. Rreth 60 % e shtëpive të lagjes së vjetër të qytezës datojnë në dinastitë Ming e Qing. Në vetëm 0.4 km katrorë të kësaj lagjeje ka rreth 100 oborrë klasikë dhe rreth 60 porta me gurë të gdhendur. Ndërkohë, Zhouzhuang-u ka gjithashtu edhe 14 ura të lashta, tipike për peizazhin në Jiangnan, zona në jug të rrjedhës së poshtme të lumit Jance, që karakterizohet nga "urat e vogla, uji i rrjedhshëm e shtëpitë". Zhouzhuang-u është shumë i bukur dhe i qetë, kështu që është një vend i mirë për të studiuar dhe ka një traditë të mirë të studimeve. Gjatë historisë nga këtu kanë dalë më shumë se 20 dijetarë që kaluan provimet perandorake në nivel province dhe në nivel kombëtar. Një numër i madh dijetarësh i kanë dhënë shkëlqim qytezës në fushën e artit dhe letërsisë. Zhang Han, shkrimtari i dinastisë Jin Perëndimore, dhe Liu Yuxi e Lu Guimeng, poetë të dinastisë Tang, kanë jetuar në Zhouzhuang.

Pikat kryesore panoramike në Zhouzhuang janë: tempulli "Quanfu", manastiri taoist "Chengxu", shtëpia e familjes Shen, ura "Fuan" dhe Tenda e Labirintit.

Zhouzhuang-u ndodhet midis Suzhou-t e Shangait dhe kushtet e transportit janë shumë të përshtatshme. Këtu ka autobusa që shkojnë drejtpërdrejt në të dy qytetet. Zhouzhuang-u është afër Shangait dhe vizitorët mund të shkojnë dhe të kthehen aty nga Shangai brenda ditës. Për këtë arsye, në qytete nuk ka shumë hotele me yje. Shumica e hoteleve menaxhohen nga banorë vendorë, me shërbim të thjeshtë, por me kushte të mira pastërtie.

Qyteti i Feniksit

Qyteti i Feniksit (Fenghuang) ndodhet në prefekturën e pakicave kombëtare tujia e miao, në provincën Hunan të Kinës Qendrore. Ky qytet, i përshkruar nga shkrimtari i njohur neozelandez Rewi Alley si një një nga qytetet e vogla më të bukura të Kinës, është ndërtuar në kohën e perandorit Kangxi të dinastisë Qing. Qyteti i Feniksit, i quajtur si "një perlë e perëndimit të Hunanit", është aq i vogël, që ka vetëm një rrugë që kalon nga lindja në perëndim, e cila megjithatë është e gjitha si një korridor i gjatë i gjelbër.

Qyteti i Feniksit ndahet në dy pjesë, pjesa e vjetër dhe pjesa e re. Pjesa e vjetër e qytetit shtrihet në shpatin e një mali. Atë e përshkon lumi Toujiang, në brigjet e të cilit ngrihen muret e vjetra me gurë të kuq, ndërsa në malin Nanhua gjenden kullat e vjetra, të ndërtuara gjatë dinastisë Qing. Në lumin e gjerë që shtrihet poshtë portës veriore të qytetit është një urë e ngushtë e mbështetur mbi gur. Ura është aq e ngushtë, saqë për të kaluar dy veta që vijnë nga drejtime të kundërta, ata duhet të ecin anash, por kjo urë qe dikur i vetmi kalim për të dalë nga qyteti.

Qyteti i Feniksit njihet edhe si vendlindja e shkrimtarit të famshëm Shen Congwen. Shtëpia e vjetër e Shen Congwen-it gjendet në një rrugicë të ngushtë të shtruar me gurë në rrugën "Zhongying" dhe ka dy korridorë me kthina anësore, të ngjashme me të ashtuquajturit "oborrë katrorë" të Pekinit. E gjithë struktura është e ndërtuar në dru dhe baltë. Tjegullat janë të përhime dhe muret të bardha. Dritaret në dru janë gdhendur me mjeshtëri, duke krijuar një atmosferë të fortë kulturore. Ndër gjërat më tërheqëse të qytetit janë Maja Lindore, ku mund të shijohet lindja e diellit; Deti i Gjelbër i malit Nanpingit, tingujt e kambanës së tempullit të malit, drita e barkave të peshkimit, bukuria e qukapikëve, kënga e druvarëve dhe ura nën dritën e hënës. Për të shkuar në Qytetin e Feniksit duhet së pari të mbërrish me aeroplan në qytetin Jishou të provincës Hunan, dhe pastaj të marrësh ndonjë mjet të transportit publik.

Mrekulli
Lajmet Kryesore