2018-11-19 14:38:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në orën 9 të mëngjesit, 29-vjeçari Yang Yunhai nis orën e mësimit të bukurshkrimit për fqinjët e vet. "Nxënësit" janë rreth 20 banorë të shtëpisë së të moshuarve "Sunshine" në distriktin Binjiang të qytetit Hangzhou të Kinës Lindore. Në fillim të orës, Yang bën komente për "detyrat e shtëpisë" të çdo kursanti, pastaj i udhëzon ata si të bëjnë përparim më të shpejtë.
Ashtu si Yang Yunhai, edhe Shan Ting-u filloi një shërbim të ngjashëm që nga korriku i sivjetshëm në të njëjtën shtëpi të moshuarish. Shan, i punësuar në këtë distrikt si inxhinier hardeurësh, ndihmon në kursin e vallëzimit dhe të anglishtes.
Këta dy të rinj janë ndër 14 pjesëmarrësit e projektit të shoqërimit të të moshuarve të këtij distrikti. Me financimin e bashkisë së qytetit, të rinjtë e diplomuar mund të banojnë falas në shtëpitë e të moshuarve në shkëmbim të 20 orëve shërbim në muaj.
Wang Kai, drejtor i punës shoqërore në këtë institucion, njëherësh edhe drejtues i projektit, u shpreh se ky projekt u mundëson të rinjve të shkëmbejnë kohën e tyre të lirë me banimin në shtëpinë e të moshuarve, ndërsa të moshuarit mund të gëzojnë edhe më shumë shoqëri, në kushtet kur mungon stafi i mjaftueshëm. Vullnetarët mund të zgjedhin mënyra të ndryshme shërbimi, që shkojnë nga shoqërimi e dhënia e kurseve si ai i përdorimit të smartfonave deri në pjesëmarrjen në raste të veçanta, si kremtimi i festave etj.
Sipas z. Wang, projekti i iniciuar nga Komiteti i Lidhjes së Rinisë Komuniste dhe Zyra e Çështjeve Civile e distriktit Binjiang, është frymëzuar nga projekte të tilla në disa vende europiane.
Vende si Holanda dhe Danimarka kanë zbatuar projekte të ngjashme vitet e fundit.
Ndërsa në distriktin Binjiang, kjo ide është përshtatur me synimin për nxitjen e ndërveprimit shoqëror mes 600 banorëve në shtëpinë e të moshuarve, të cilët zakonisht mund të komunikojnë vetëm me moshatarët e vet.
Por projekti mund të ndihmojë edhe në lehtësimin e trysnisë të të sapodiplomuarve. Një sondazh i publikuar në gusht të këtij viti nga gazeta "Economic Observer" tregon se Hangzhou renditet në vendin e katërt në mbarë Kinën, vetëm pas Pekinit, Shenzhen-it dhe Shangait, për sa i përket vlerës mesatare të qirasë mujore, që arrin në 8 dollarë amerikanë për një metër katror. Kjo do të thotë se qiraja e një dhome me sipërfaqe 30 metra katrore kushton mesatarisht mbi 215 dollarë në muaj.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, filloi prova e parë e projektit. Kandidatët u propozuan nga kompanitë e këtij distrikti, sepse kështu ata mund të gjenin më lehtë ekuilibrin midis punës dhe shërbimit në shtëpinë e të moshuarve.
Tani Shan Ting dhe Yang Yunhai ndajnë një apartament me dy shtretër, një tryezë pune dhe një ballkon të madh. Dhomat janë plot dritë dhe kanë pajisje elektroshtëpiake, kushte shumë më të mira sesa banesat që këta dy të rinj kishin marrë më parë me qira. Ata tani duhet të shpenzojnë vetëm 43 dollarë amerikanë në muaj për shërbimet.
Yang, i cili u diplomua në Universitetin e Heilongjiang-ut, në degën e pikturës tradicionale kineze, jep mësimin e bukurshkrimit për të moshuarit çdo mëngjes të së mërkurës. Nxënësit e tij përfshijnë 77-vjeçaren Shi Shaohua, e cila u zhvendos këtu nga Shangai, pasi bashkëshorti i saj u nda nga jeta vitin e kaluar.
"Për mua, këta të rinj i sjellin energji shtëpisë sonë të të moshuarve. Përveç bukurshkrimit, ata na ndihmojnë edhe për zotërimin e teknologjisë së re etj," shprehet e moshuara.
Huang Jing, ish-farmaciste, u shpreh se të rinjtë janë të kujdesshëm me të moshuarit. "Kur parashikimi i motit thotë se do të bëjë ftohtë ose kur ka punime në rrugës përpara shtëpisë sonë, ata na njoftojnë në aplikacionin 'Wechat'. Ata janë shumë zemërmirë", thotë ajo.
Shan Ting jep një herë në javë mësime anglishteje. Ai u mëson fqinjve të moshuar këngë interesante dhe fjalë të thjeshta.
Ai, bashkë me Yang-un, shprehen se projekti u ofron edhe një mundësi që të mësojnë nga brezi i vjetër.
"Në klasën time ka një zonjë të moshuar, por që është shumë energjike, madje edhe më energjike se të rinjtë. Ajo gjithmonë thotë: 'Dua të mësoj këtë, dua të mësoj atë, sepse nuk më ka mbetur edhe shumë kohë. Etja e saj më prek dhe më bën të reflektoj se si mund të kaloj kohën time kur jam i ri", tha Yang.
Ndërsa, Shan-i vëren se shumë prej këtyre të moshuarve kanë qenë ekspertë në fusha të caktuara. "Disa kanë qenë mjekë, disa menaxherë. Kur kam pyetje lidhur me këto fusha, mund të konsultohem me ta dhe ata janë gjithmonë të lumtur të më përgjigjen", shton ai.
Sipas të dhënave statistikore, numri i të moshuarve mbi 60 vjeç në Kinë ishte 240 milionë në fund të vitit 2017, duke përbërë 17.3 % të tërë popullsisë. Nga ana tjetër, shumë të rinj tani nuk punojnë në vendlindjen e tyre dhe banojnë larg prindërve.
Plotësimi i kërkesave për përkujdesjen ndaj kaq shumë të moshuarve përbën një sfidë të madhe për qeverinë kineze.
Z. Wang Kai, nga shtëpia e të moshuarve "Sunshine", vë në dukje se projekti që ata kanë ndërmarrë është me përfitime të ndërsjella për individin dhe shoqërinë. Megjithatë, një projekt i tillë është e vështirë të zbatohet në një numër të madh shtëpish të moshuarish në Kinë, të cilat kanë një listë pritjeje të gjatë dhe nuk kanë kështu dhoma të lira për t'u ofruar të rinjve.
Për këtë problem, qyteti Wuhan ka gjetur një rrugëzgjidhje: të moshuarit që jetojnë vetëm në shtëpi, u ofrojnë të sapodiplomuarve dhoma të lirë në këmbim të shoqërimit prej tyre.
Zhou Li, e diplomuar sivjet, tani banon në shtëpinë e 72-vjeçares Fang Fengju. Zhou ndihmon në punët e shtëpisë, bisedon me të moshuarën dhe e shoqëron atë kur bën vizitat rutinë në spital.
Vullnetarët dhe të moshuarit nënshkruajnë një marrëveshje për të qartësuar detyrimet e veta. Marrëveshja ka afate të ndryshme vlefshmërie, që shkojnë nga një, tre deri në gjashtë muaj dhe mund të rinovohet. Para nënshkrimit të marrëveshjes, zyrtarët e çështjeve civile bëjnë vlerësim për zakonet dhe tiparet e karakterit të vullnetarit e të moshuarit dhe të dyja palët kanë dy muaj kohë për përshtatje para marrjes së vendimit përfundimtar.
Zhou Li thotë: "Faktikisht, ne kujdesemi për njëra-tjetrën. Unë e shoqëroj gjyshen, kurse ndonjëherë, kur unë punoj me orar të zgjatur, ajo gatuan për mua, për të ngrënë pasi kthehem. Ne jemi shoqëruese të njëra-tjetrës".