Hunan, kulturë, rini dhe novacion

2018-10-15 15:59:07 CRI Komenti juaj Printoni

Hunan është një ndër pesë provincat e Brezit Ekonomik përgjatë Lumit Jance, për të cilat do të flasim sot në rubrikën "Hot-Pot", duke theksuar faktin se Hunan është edhe provinca e fundit që vizituam gjatë një inspektimi disa javorë, ndër pesë të tilla në total. Zhvillimi i provincave Yunnan, Guizhou, Sichuan, Hubei dhe Hunan, si dhe arritjet që këto provinca kanë bërë në ekonomi, industri, teknologji, art, kulturë, në mbrojtjen e mjedisit etj, janë shembull i zhvillimit të mëtejshëm të gjithë zonave të shtrira përgjatë "Brezit Ekonomik të Lumit Jance".

Akualisht në Kinë, "Një brez, një rrugë", "zhvillimi paralel Pekin-Tianjin-Hebei" dhe "Brezi Ekonomik përgjatë lumit Jance" janë tre vepra kombëtare, që drejtohen nga vetë presidenti i Kinës, Xi Jinping. Zonat e shtrira përgjatë "Brezit Ekonomik të lumit Jance" dhe zhvillimi i tyre ka qenë në fokusin tonë gjatë një sërë rubrikash këtu në Hot Pot për disa javë me rradhë, të cilat i janë dedikuar zhvillimit të Kinës në përgjithësi, si koncept, por specifikisht edhe provincave të lartëpërmendura, të cilat patëm fatin t'i vizitojmë dhe inspektojmë nga afër.

Hunan-i është provinca e shtatë më e populluar e Kinës dhe e dhjeta për nga hapësira që zë. Kryeqyteti i Hunan-it është Changsha-ja.

Hunan do të thotë "në jug të liqenit Dongting". Liqeni i Dongting-ut shtrihet në verilindje të provincës. E vendosur në pjesën e mesme të pellgut të lumit Jance, Hunan-i është një provincë jugperëndimore e Kinës. Pyjet e hershme të Hunan-it janë banuar për herë të parë nga paraardhësit e kombësive Miao, Tujia, Dong dhe Yao. Provinca hyri në historinë e shkruar kineze në vitin 350 p.e.s.

Provinca Hunan është e njohur për pikat e saj turistike, të cilat janë të përfshira në listën e UNESCO-s. Ndër mrekullitë e Hunan-it janë qytetet historike të Hongjiang-ut dhe Qianjiang-ut, po ashtu shpella e Dragoit të Verdhë, malet Zhangjiajie në zonën Wulingyuan (nga ku është inspiruar regjisori i filmit Avatar) dhe mali Tianmen.

Me një sipërfaqje prej 211,800 kilometra katrorë, Hunan-i ka një popullsi prej mbi 70 milionë banorësh. Lindja, jugu dhe perëndimi i provincës rrethohen nga malet Luoxiao, Nanling, Xuefeng dhe Wuling. 80 për qind të territorit e zënë malet dhe kodrat, dhe 20 për qind uji. Lumenjtë Xiangjiang, Yuanjiang, Zijiang dhe Lishui, të cilët takohen të gjithë në Liqenin Dongting, formojnë një sistem të madh e të integruar ujor. Të gjitha këto e bëjnë Hunanin një vend me burime të pasura natyrore ku rriten orizi, pambuku, portokalli dhe shumë peshq. Hunan-i njihet gjithashtu edhe për burime të pasura mineralesh.

Hunan-i u bë një qendër e rëndësishme e komunikimit për shkak të pozicionit të tij përgjatë lumit Jance. Hunan-i ishte një qendër e rëndësishme akademike dhe e mendimit konfucian, veçanërisht Akademia "Yuelu" në Changsha, e cila njihet si një ndër katër akademitë më prestigjoze gjatë 1000 vjetëve të fundit në Kinë. Akademia "Yuelu" ka qenë një institucion i njohur i arsimit të lartë, si dhe një qendër e aktiviteteve akademike e kulturore që nga themelimi zyrtar i saj gjatë dinastisë Song të veriut.

Hunan-i gëzon pasuri të shumta kulturore. Ka disa dialekte, ku veçohen dialektet Xiang, Gan dhe Kejia. Opera e Hunan-it i ka fillesat që nga dinastia Ming dhe është e njohur jo vetëm në Hunan, por edhe në Guandong. Provinca e Hunan-it është cilësuar si "shtëpia e veçantë e talenteve", pasi shumë figura të shquara në historinë e Kinës kanë lindur e jetuar pikërisht në këtë provincë.

Zona e Portit të Ri, e njohur si "Chenglingji", ndodhet në qytetin Yueyang të provincës Hunan në jugperëndim të Kinës. "Chenglingji" është një qendër e rëndësishme e zhvillimit të Brezit Ekonomik të Lumit Jance. Është porti i vetëm i Hunan-it që lidh lumin Jance me detin. Ai renditet si një ndër 50 portet më të rënëdsishme në botë, me tonazh 100 milionë tonë. Ky projekt i suksesshëm është një zonë e tregtisë së lirë, një port pilot i dërgesave ku aplikohet politika e rimbursimit të taksave, port për importin e automjeteve, mishit, produkteve të ndryshme ushqimore dhe mbetjeve të ngurta etj.

Sipas autoriteteve, "Yueyang është i vetmi qytet në nivel prefekture në Kinë që ka 6 porte të rëndësishme në nivel shtetëror, duke nënkuptuar një rritje të jashtëzakonshme të ekonomisë së provincës Hunan të orientuar drejt eksporteve".

Mrekulli
Lajmet Kryesore