Hubei, Diga "Tre Grykat", më e madhja në botë

2018-10-08 14:19:43 CRI Komenti juaj Printoni

Akualisht në Kinë, "Një brez, një rrugë", "zhvillimi paralel Pekin-Tianjin-Hebei" dhe "Brezi Ekonomik përgjatë lumit Jance" janë tre vepra kombëtare, që drejtohen nga vetë presidenti i Kinës, Xi Jinping. Zonat e shtrira përgjatë "Brezit Ekonomik të lumit Jance" dhe zhvillimi i tyre janë fokusi ynë i rradhës në një seri rubrikash të "Hot Pot".

Hubei është një ndër pesë provincat e Brezit Ekonomik përgjatë Lumit Jance. Zhvillimi i provincave Yunnan, Guizhou, Sichuan, Hubei dhe Hunan, si dhe arritjet që këto provinca kanë bërë në ekonomi, industri, teknologji, art, kulturë, në mbrojtjen e mjedisit etj, janë shembull i zhvillimit të mëtejshëm të gjithë zonave të shtrira përgjatë "Brezit Ekonomik të Lumit Jance". Në Hubei ndodhet edhe Diga Sanxia, që është projekti më i madh i energjisë hidrike në vend dhe në botë.

Diga "Tre Grykat" (Three Gorges) është më e madhja në botë. Për ndërtimin e saj u deshën 17 vjetë dhe një fuqi punëtore prej 40 000 personash. Që ky projekt të bëhej i mundur, nga zona u zhvendosën, me sakrifica të mëdha, miliona persona. Diga është 180 metra e lartë, tërësisht prej betoni dhe mund të prodhojë 1 trilionë kilovat energji elektrike në orë, ose 22 500 megavat. Ajo kapërdin 70 000 metra kub ujë në sekondë, më shpejtë se sa një makinë printimi parash, duke u shndërruar në energji elektrike. Fuqia totale e prodhimit e përcakton këtë digë si burimin më të madh të energjisë së pastër. Ndërtimi i kësaj dige planifikohej prej kohësh, por si pasojë e përmbytjes shkatërrimtare të vitit 1998, u bë e mundur fillimi i punimeve të saj.

Përtej numrave e historive të suksesit, që fatmirësisht janë pjesë e jetës sonë, ajo ç'ka më preku me tepër ishte fryma e bashkimit dhe sakrificës që mbizotëron tek populli kinez, në çdo zonë e tek cilado grupmoshë. Këto janë veçori që i kam vënë re edhe në rrethin e personave me të cilët punova përditë në rrugëtimin përgjatë Jances. Fjalë pak e punë shumë.

Sot, përballë Digës "Tre Grykat" ne mburremi se ajo është diga më e madhe në botë, me kapacitete të jashtëzakonshme prodhimi energjie, sukses i teknogjisë moderne etj dhe ndoshta, pa qëllim, harrojmë sa djersë e lotë janë derdhur për ndërtimin e saj, ndër vite, ditë e natë, që nga inxhinierët e deri tek punëtorët e thjeshtë. Mirënjohja është virtyti që e lartëson më shumë njeriun e misionin e tij në jetë. Prandaj le të shprehim mirënjohje e të përkujtojmë gjithmonë ata punëtorë të padukshëm. Por numri i heronjve është shumë herë më i madh se kaq, pasi nuk duhen harruar kurrë banorët e thjeshtë, në vështirësi jete apo jo, që braktisën gjithçka për ndërtimin e kësaj dige që më pas ndryshoi shumë fate njerëzish. Përgjatë digës shtrihen sakrificat e jetëve të miliona njerëzve pa fjalë, por me vepra.

Teoritë nuk e kanë kurrë forcën e praktikës, e aq më tepër kur bëhet fjalë për projekte gjigante dhe jetësore si ajo e Digës "Tre Grykat" të lumit Jance në provincën Hubei, digës më të madhe në botë. Kur njihemi me suksesin e padiskutuar të ndërtimit të kësaj dige, ne njihemi gjithashtu edhe me ndikimin pozitiv që ajo ka patur e ka në jetët e njerëzve. Ndërsa poshtë këmbëve tona, përballë kësaj mrekullie të dorës së njeriut, ndodhet një qytet i tërë i përmbytur, ndaj kujtoj se ndjesia e atij momenti ishte të përfytyroja veten mes dy epokave historike dhe ndjeva nderim për këdo që sakrifikoi jetën për një të ardhme të përbashkët më të mirë.

Diga "Tre Grykat" është bërë e mundur vetëm nga mendja e dora e njeriut. Një zhvillim i atyre përmasave nuk solli veç gëzim, por trishtim gjithashtu. Të mundohemi për pak çaste të përfytyrojmë nëse secili prej nesh do të sakrifikonte gjithçka për të njëjtën çështje? Nuk është aspak e lehtë! Por e rëndësishmja është që secili nga ne, së pari, të pranojë dhe besojë se gjithçka e paimagjinueshme mund të bëhet realitet nga dora e njeriut! Siç edhe thuhet, çdo banorë i zhvendosur, në ikje, ka kthyer kokën pas tre herë, duke i kaluar para syve e gjithë jeta.

Digat e hershme janë përdorur për të kontrolluar përmbytjet dhe rrjedhjen e ujit pas shirave të dendur, kurse tani ato janë burimi më i madh i prodhimit të energjisë elektrike. Me kalimin e kohës funksioni dhe ndërtimi i tyre u sofistikua edhe më shumë, e një ndër mrekullitë e dorës së njeriut është pikërisht Diga "Tre Grykat" në lumin Jance këtu në provincën Hubei. Përfundimi i saj konsiderohet si arritje tejet e madhe e inxhinierisë moderne.

Zona San Xia, duke përfshirë digën dhe parkun pranë saj, zë një hapësirë prej 12.8 kilometra katrorë. Pas përfundimit të digës u be e mundur rehabilitimi i zonës së gjelbëruar përreth dhe u ndërtua parku me një shumëllojshmëri bimësh, përfshirë edhe gjashtë bimë të llojeve të rralla. Gjatë ndërtimit të digës "Tre Grykat" u rrezikuan plot 650 lloje bimësh të ndryshme, por për fat të mirë autoritetet morrën masat përkatëse për mirëmbajtjen e tyre dhe nuk u shkatërrua asnjëra prej tyre. Në të ardhmen është në plan shtimi gradual i numrit të tyre, për të arritur në 1000 të tilla. Për sa i përket fushës studimore të bimësisë se rrallë në këtë zonë, është në përfundim e sipër instituti studimor i bimësisë e cila rritet në provincën e Hubei-t, përgjatë lumit Jance.

Mrekulli
Lajmet Kryesore