"Një brez, një rrugë" shton pasionin në Lindjen e Mesme për të njohur Kinën

2018-10-08 14:10:25 CRI Komenti juaj Printoni

Me zbatimin e nismës së Kinës "Një brez, një rrugë", gjithnjë e më shumë të rinj në Lindjen e Mesme po shfaqin interes të madh për gjuhën dhe kulturën kineze.

Në të njëjtën kohë, shumë të rinj të këtij rajoni po planifikojnë të studiojnë në Kinë për t'u bërë më konkurrentë në tregun e punësimit.

Tani ata e kanë më të lehtë të ndjekin në Kinë programe studimi afatshkurtra dhe afatmesme, sepse nëpërjet nismës "Një brez, një rrugë" janë forcuar në mënyrë të dukshme shkëmbimet njerëzore midis Kinës dhe vendeve të përfshira në këtë nismë.

Sipas ambasadës së Kinës në Jordani, vitin e kaluar, 305 jordanezë patën mundësinë të trajnohen në Kinë, shifër kjo 23 % më e lartë se vitin 2016. Tani është në proces regjistrimi i studentëve për 39 programe akademike në Kinë.

Hamideh Fard është një vajzë iraniane e rritur në Kuvajt. Ajo morin vendimin të studionte në Kinë në gushti të vitit 2011, kur mbushi 18 vjeçe. Në një intervistë për "Xinhua"-në, Fardi tha se ky ishte një vendim i drejtë dhe se qëndrimi në Kinë i ka lënë shumë kujtime të çmuara.

Në fillim ajo dinte shumë pak për Kinën, por më vonë, pasi u mësua me jetën studentore në Universitetin të Shkencës dhe të Teknologjisë Huazhong në Wuhan të Kinës Qendrore, ajo i mbushi mendjen vëllait të vogël të ndiqte kolegjin në Kinë.

Gjatë gjashtë vjetëve të qëndrimit në Kinë, Fardi u mësua me ushqimin dhe klimën në Kinë dhe vizitoi mbi 20 qytete.

Në janarin e sivjetshëm, ajo u kthye te prindërit në Kuvajt dhe gjeti një punë të mirë brenda 20 ditësh, për shkak të zotërimit të gjuhës kineze.

Fardi dorëzoi CV-në nëpërmjet "Wechat"-it, një ndër aplikacionet më të përhapura të medias sociale në Kinë, dhe tërhoqi vëmendjen e shumë kompanive. Më në fund ajo zgjodhi "Huawei", një ndër gjigantët ndërkombëtarë të teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit. Tani ajo është një koordinatore e shpërndarjes së produkteve në "Huawei", përgjegjëse për nxitjen e biznesit me tregtarët vendorë.

Ndërsa ka krijuar mundësi gjithnjë e më të mëdha zhvillimi për njerëzit në Lindjen e Mesme, nisma "Një brez, një rrugë" gjithashtu i ndihmon ata ta njohin dhe ta kuptojnë Kinën. Fardi tha se nëpërmjet punës, ajo di jo vetëm të paraqesë produktet kineze, por edhe t'i njohë klientët në Kuvajt me kulturën dhe konceptet e popullit kinez.

Sipas shënimeve historike, në lashtësi Omani ka qenë një ndër pikënisjet e anijeve tregtare nga Lindja e Mesme drejt Kinës.

Parku Industrial Kinë-Oman, i krijuar nga kompania kineze e menaxhimit të investimeve "Wanfang", mbulon një sipërfaqe 12 kilometra katrorë. Ky është parku më i madh industrial me investimet e një vendi të vetëm në Oman dhe përbën gjithashtu investimin më të madh të Kinës në vendet arabe për forcimin e bashkëpunimit në kapacitetet e prodhimit.

Sha Yanju, drejtor i këtij parku, u shpreh se, nëpërmjet bashkëpunimit me qeverinë vendore, parku përzgjedh një grup të diplomuarsh çdo vit dhe i dërgon në Kinë për studim me financimin e palës kineze. Sipas planit, 1000 studentë do të trajnohen në këtë mënyrë në 8-10 vjetët e ardhshëm.

Në janarin e sivjetshëm, kontigjenti i parë prej 39 studentësh u kthye në Oman pasi trajnimit profesional në kompaninë "Ningxia Polytechnic" me seli në Kinën Perëndimore. Ata, pasi të mbarojnë praktikën në pjesën e mbetur të semestrit, do të fillojnë punë menjëherë në parkun industrial.

Saeed Ali, një ndër këta studentë, u shpreh se Kina është një vend me qytetërim të lashtë, një sistem të plotë industrial dhe teknologji të përparuar. Ai ka mësuar në Kinë për trashëgiminë e pasur kulturore kineze dhe ka përvetësuar aftësitë e duhura teknike për zhvillimin e shoqërisë moderne.

Në Lindjen e Mesme, pasioni për të njohur Kinën është ndezur edhe në shkollat e larta. Ahmed Foda, që studion për gjuhën kineze në Universitetin Ain Shams të Egjiptit, është përfshirë në këtë prirje që i ka ndryshuar jetën.

23-vjeçari ka një emër kinez, Dawei. Që kur filloi mësimin e gjuhës kineze, ai shkoi në Kinë për të udhëtuar. Para se të drejtonte për tre muaj një program televiziv në qytetin Tianjin, ai punoi si një vullnetar për mësimdhënien e gjuhës angleze për studentët kinezë.

Në gusht të vitit 2016 Dawei fitoi vendin e dytë në botë dhe u shpall kampion rajonal në Afrikë në finalen e "Urës kineze", një konkurs për nivelin e zotërimit të kinezishtes për studentët e huaj. Tani ai punon për një media kineze në Egjipt dhe po planifikon të aplikojë për të studiuar për gradën "master" në Kinë.

Dawei tha se nga miqtë e tij kinezë mësoi virtyte si vendosmëria dhe këmbëngulja.

Interesi për gjuhën dhe kulturën kineze është rritur në mënyrë të vrullshme në pesë vjetët e kaluar, kur numri i partnerëve të bashkëpunimit të "Një brez, një rrugë" është shtuar gjithnjë e më shumë.

Hassan Ragab, drejtor i Institutit "Konfuci" pranë Universitetit të Kanalit të Suezit në Egjipt, është dëshmitar i shtimit të këtij entuziazmi.

Ragabi, një ndër të diplomuarit e parë egjiptianë për gjuhën kineze, u shpreh se kishte vetëm gjashtë shokë kursi dhe tre pedagogë kur ai e studionte këtë gjuhë të lashtë në Universitetin Ain Shams, një institucion i arsimit të lartë me një fakultet të njohur për studimet kineze.

Në vitin 1995, Ragabi vazhdoi studimet në Kinë dhe mori një doktoraturën për letërsinë kineze. Para punës në Institutin "Konfuci", ai punoi si pedagog i kinezishtes në Universitetin Ain Shams.

Sipas tij, sivjet kishte mbi 300 të rinj që aplikuan për mësimin e gjuhës kineze, ndërsa plani i pranimit të katedrës ishte vetëm 30 studentë.

Kur një vend fuqizohet dhe luan një rol më të madh në arenën ndërkombëtare, gjuha e tij patjetër do të bëhet më e përhapur, tha z. Ragab. Sipas tij, pasioni për të njohur Kinën faktikisht është edhe rezultat i zbatimit të politikës së Kinës për nxitjen e harmonisë dhe paqes në Lindjen e Mesme.

Mrekulli
Lajmet Kryesore