Orizi kinez do të mbulojë 10% të Dubait

2018-09-17 17:02:16 CRI Komenti juaj Printoni

Po të ngasësh me makinë në juglindje të portit Jebel Ali, pasi kalon zonën tërheqëse urbane të Dubait, pamja do të shndërrohet shpejt në tokë të njelmët alkaline dhe duna rëre pa fund. Por pas një orë udhëtimi, gjashtë ara të gjelbra gjenden papritur para syve të tu.

Kjo është baza në Dubai e Qendrës për Studimin dhe Prodhimin e Orizit Tolerant ndaj Kripës dhe Alkalit e Qingdao-s. Ky projekt, i drejtuar nga agronomi kinez Yuan Longping, "babai i orizit hibrid", synon të rrisë oriz në shkretëtirat e Dubait dhe të ushqejë banorët e tokave të kripura dhe alkaline.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar midis Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, sipërfaqja me oriz do të mbulojë 10% të sipërfaqes së përgjithshme të Dubait, duke i shndërruar shkretëtirat në oaza artificiale.

Eksperimenti me orizin u iniciua nga zyra e Mohameed bin Rashid Al Maktoum-it, zv.presidenti e kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe udhëheqës i Dubait. Sipas gazetës vendore "Khaleej Times", Emiratet e Bashkuara e importojnë 80 % të ushqimit dhe po marrin masa për nxitjen e prodhimit të brendshëm të drithërave vitet e ardhshme.

Në vitin 2017, pasi autoritetet e Dubait mësuan për suksesin e grupit të z. Yuan në studimin e orizit që mund të tolerojë ujë të kripur, ata i ftuan shkencëtarët kinezë të zhvillojnë eksperimente në shkretëtirat e Dubait.

"U habitëm jashtë mase kur morëm ftesën. E besuam përfundimisht vetëm kur e konfirmuam nga burime të ndryshme", tregon Zhang Guodong, zv.drejtor i Qendrës në Qingdao të provincës Shandong.

Yuan Longping-u ndihmoi në ngritjen e kësaj qendre në vitin 2016 për të prodhuar oriz që mund të rritet në tokë të kripur dhe alkaline. Pas eksperimentimit njëvjeçar me ujë të holluar detar, katër variarite arritën një rendiment 60.5 deri në 93 kuintalë për hektar.

Por kjo nuk do të thotë se vështirësitë kryesore të kultivimit të orizit në shkretëtirë janë zgjidhur. "Megjithëse bashkëpunimi me autoritetet e Dubait është mjaft nxitës, për shkak të kushteve krejt të ndryshme tokësore dhe klimatike, kishim frikë se eksperimenti do të dështonte. Megjithatë e pranuam ftesën, sepse ishim të mendimit se, edhe po të dështonte, kjo mund të ishte një përpjekje e re në historinë e kultivimit të orizit në botë", thotë z. Yuan.

Bujqësia në shkretëtirë është plot sfida të mëdha. Temperatura në Dubai ka luhatje të madhe nga dita në natë, me një ndryshim deri në 30 gradë celsius. Stuhitë me rërë shpesh godasin zonat eksperimentale. Dheu me pak lëndë ushqyese është shumë ranor, ndërsa uji i kripur detar vetëm 7-8 metra nën tokë e përkeqëson edhe më situatën.

"Kjo do të thotë se shumica e sistemit tonë për rritjen e orizit, që ka arritur fazën e pjekurisë, është pa vlerë këtu në Dubai. Duhej të eksploronim metoda të reja në përshtatje me realitetin vendor", thotë Zhang Shuchen, drejtori i projektit në Dubai të qendrës.

Përveç përzgjedhjes së llojeve të orizit që përshtaten më mirë me dheun vendor, grupi studimor gjeti edhe mënyra për të përmirësuar cilësinë e këtij të fundit.

Ata përdorën të ashtuquajturit kondicionerë dheu për të ndryshuar alkalinitetin dhe një sistem të bazuar në Internetin e Gjërave për ujitjen nëntokësore. Shkencëtarët futën një sistem ujitës rreth gjysmë metri nën tokë për t'u ofruar rrënjëve të bimëve lëndë ushqyese dhe ujë të holluar detar.

"Kishte raste kur ndienim ankth dhe shqetësim. Por në fund, kur hasnim probleme, ktheheshim prapë në arë për të gjetur zgjidhje. Nuk i mashtron dot të tjerët në bujqësi, sepse e tregon prodhimi", thotë Zhang.

Sivjet, më 26 maj, Qendra ftoi një grup ndërkombëtar, i cili ishte i përbërë prej ekspertësh nga India, Egjipti, Emiratet e Bashkuara dhe vendet e tjera për të vlerësuar përparimin e arritur. Rezultatet e hulumtimeve konfirmuan se pesë llojet e orizit arritën një rendiment 48 deri në 78 kuintalë për hektar. Të gjitha e kaluan nivelin mesatar global prej 45 kuintalësh.

Gjatë vlerësimit, grupi zbuloi edhe katër varietete të tjera që patën prodhimtari të mirë, gjë që mbështeti suksesin e mbjelljes eksperimentale të orizit tolerant ndaj ujit të kripur në shkretëtirë.

Për të shënuar këtë moment historik, autoritetet e Dubait e kanë kthyer një pjesë të orizit në suvenir. Ndërsa gjatë intervistës së tyre, gazetarët e "Global Times"-it u ftuan për të provuar oriz që rritej në shkretësirë. Pasi orizi nisi të nxirrte avull, një aromë e posaçme mbizotëroi tërë dhomën ku gjendeshin ata. Shija e tij ishte mbresëlënëse dhe aspak e kripur.

Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit "Dubai i Gjelbër" të nënshkruar midis dy qeverive, grupi studimor kinez do të kryejë katër faza provash eksperimentale dhe industriale.

Faza e parë përfshin një varg metodash për mbjelljen e orizit në temperatura të ndryshme, me qëllim për të gjetur burimet gjenetike dhe teknikat e rritjes më të përshtatshme.

Krahas zhvillimit të eksperimenteve të mbetura për vitin 2018, që përfshihen në fazën e dytë, shkencëtarët do të fokusohen në përcaktimin e parametrave optimalë të dheut dhe të sasisë së plehrave kimike, për të ulur shpenzimet e prodhimit.

Në vitin 2019, të dyja palët do të nisin fazën e tretë të eksperimentit, që do të përfshijë krijimin e një ferme orizi.

Ndërsa, në fazën përfundimtare, para vitit 2020, do të përhapet teknologjia përkatëse në më shumë zona. Synimi është që 10 % e sipërfaqes së tokës të Dubait të kultivohet.

Në të ardhmen, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të nxisin bashkërisht përhapjen e orizit që rritet në ujë detar në Lindjen e Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore nëpërmjet krijimit të një qendre studimore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore