Sichuan-i, provinca e mijëra lumenjve

2018-09-10 15:16:22 CRI Komenti juaj Printoni

Sichuan është një ndër pesë provincat e Brezit Ekonomik përgjatë Lumit Jance. Ne do të flasim për inspektimin e bërë në këto provinca këtu në rubrikën "Hot-Pot". Sot do të vijojmë me Sichuan-in, për të cilin nisëm përshkrimin qysh të hënën e kaluar, për zonat urbane dhe rurale të tij, ndërsa në javët në vijim do të flasim për provincat e tjera që vizituam. Zhvillimi i provincave Yunnan, Guizhou, Sichuan, Hubei dhe Hunan, si dhe arritjet që këto provinca kanë bërë në ekonomi, industri, teknologji, art, kulturë, në mbrojtjen e mjedisit etj, janë shembull i zhvillimit të mëtejshëm të gjithë zonave të shtrira përgjatë "Brezit Ekonomik të Lumit Jance".

Akualisht në Kinë, "Një brez, një rrugë", "zhvillimi paralel Pekin-Tianjin-Hebei" dhe "Brezi Ekonomik përgjatë lumit Jance" janë tre vepra kombëtare, që drejtohen nga vetë presidenti i Kinës, Xi Jinping. Zonat e shtrira përgjatë "Brezit Ekonomik të lumit Jance" dhe zhvillimi i tyre janë fokusi ynë i rradhës në një seri rubrikash të "Hot Pot".

Sichuan-i, provinca e mijëra lumenjve, është një qendër e rëndësishme historike e Kinës. Sichuan-i është kryesisht i fokusuar në nxitjen dhe ruajtjen e kulturës e traditave vendase. Zhvillimi i ekonomisë dhe mbrojtja e mjedisit janë prioritete tejet të rëndësishme të Sichuan-it, së bashku me zhvillimin e sektorit të teknologjisë së lartë ku shihet një rritje e madhe e numrit të ndërmarrjeve "high-tech". Bukuria njerëzore e natyrore, rakia dhe ushqimi janë tipare dalluese karakteristike të zonës. Chongqing-u, qyteti më i madh i Kinës, i varur direkt nga pushteti qendror, një qendër shumë e rëndësishme ekonomike për Sichuan-in dhe mbarë Kinën, shtrihet në pjesën e sipërme të lumit Jance, në lindje të pellgut të Sichuan-it.

Bujqësia ende luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Chongqing-ut, që ka një klimë të përshtatshme për rritjen e perimeve e frutave, si dhe përbëhet nga toka të gjëra e të punueshme.

"Kopshti i Portokalleve me Aromë Trëndafili" është një fshat jo shumë i thellë i qarkut Wanzhou të qytetit të Chongqing-ut, i cili është i njohur për rritjen e portokalleve dhe mandarinave që mbulojnë 360 000 hektarë tokë. Një lloj i veçantë i portokallit, me aromë trëndafili, i cili importohet nga Italia, është veçanërisht popullor në treg. Kapaciteti aktual i prodhimit nuk është ende në gjendje të plotësojë kërkesën e tregut, por me punë gjithçka mund të jetë e mundur.

Serat e fshatit Tongxing të qarkut Yunyang në Chongqing, në të cilat rriten perime të ndryshme, fruta dhe lule, janë një pasqyrë e zhvillimit të jetesës në fshat, ku banorët merren me bujqësi dhe punojnë për prodhimin sa më cilësor të produkteve për zonën, për komunën, por edhe më gjerë në Kinë e jashtë saj.

Në Yunyang vizituam qendrën e planifikimit Urban të Qarkut, ku u fol për faktin se si qyteti i ri, pas përmbytjes së atij të vjetrit, u ndërtua brenda 7 vjetëve dhe kjo kërkoi sakrificën e shumë njerëzve që u zhvendosën në zona të tjera, duke menduar për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin afatgjatë të qytetit të ri, jo thjesht për ndërtimin e tij. Gjatë ndërtimit të kësaj zone, u gjetën edhe skeletë dinosaurish, një pjesë e të cilave janë bërë publike edhe për vizitorët e ekspozitës së Qendrës së Planifikimit Urban dhe çdo kush që ka interes për këtë fushë mund ta vizitojë atë në çdo kohë.

Ndodhemi 1000 metra mbi nivelin e detit, në malin Wushan, mbi lumin Jance, në "Zonën Panoramike të Perëndeshës së Wushan-it", në një teleferik që kalon përmes maleve, mbi zonën e famshme të njohur edhe si "Tre Grykat e Ulëta të lumit Jance". "Zona Panoramike e Perëndeshës" është një nga trashëgimitë natyrore më të rëndësishme në Kinë por edhe në botë. Zhvillimi i infrastrukturës rrugore ka bërë të mundur që vendasit e turistët të kenë më në fund akses ndaj kësaj perle të natyrës. Brenda tre vjetëve, 2013-2016, u punua për çarjen e malit në mes dhe për ndërtimin e 13 km rrugëve malore të cilat më parë ishin të pakalueshme.

Sipas legjendës, mbreti Xiang i mbretërisë së lashtë Chu të Wushan-it, gjatë udhëtimit të tij të gjatë e të lodhshëm në malet e lartë e të thellë të zonës, ndaloi diku për të pushuar, ku e zuri gjumi. Në gjumë të rëndë, ai pa në ëndërr një vajzë me bukuri hyjnore, Perëndeshën Yaogi të mbretërisë së lashtë Ba, me të cilën u dashurua marrëzisht. Kur u zgjua ai ia tregoi ëndrrën shoqëruesit të tij, Yu Song-ut, i cili shkroi një poemë për të. Poema u përhap kudo dhe iu rrëfye kujtdo, duke e bërë këtë legjendë shumë të dashur dhe të veçantë.

Duke e mbyllur me Sichuan-in, do të takohemi sërish, shumë shpejt, në provincën e rradhës, atë të Hubei-t.

Mrekulli
Lajmet Kryesore