Kina shton prodhimin e sojës në sfondin e fërkimeve tregtare

2018-08-30 14:08:59 CRI Komenti juaj Printoni

Në kushtet e përshkallëzimit të fërkimeve tregtare nga politikat agresive tarifore të ShBA-së, autoritetet e rajoneve kryesore të prodhimit të sojës në Kinë po marrin masa për të nxitur fermerët të shtojnë kultivimin e kësaj bime ekonomike.

Disa muaj më parë, jeta e Ly Guangyan-it, që punon në një fermë në kufirin verior të Kinës, vazhdonte si gjithmonë. Por, tani ferma e tij po tërheq vëmendjen e mbarë vendit, madje të tërë botës.

Ai po tregon të gjithë përkujdesin e mundshëm për sojën e mbjellë në një fermë shtetërore në veri të provincës Heilongjiang të Kinës Veriore. Ly thotë se moti i mirë mund të ndihmojë në rritjen e rendimentit sivjet. Përveç kësaj, ai shpreson edhe në marrjen e subvencionit kombëtar.

Subvencionet u shpallën në fund të prillit në një dokument urgjent të Komitetit Bujqësor të Heilongjiang-ut, ku u kërkohet autoriteteve vendore të shtojnë me 333 mijë hektarë sipërfaqen e mbjellë me sojë sivjet. Ly mendon se, teksa çmimi i sojës në treg është i ulët, subvencionet shtetërore do të ishin një motiv për të nxitur më shumë fermerë të mbjellin sojë vitin e ardhshëm, në sfondin e fërkimeve tregtare të Kinës me vendin nga ajo importon një pjesë të madhe të sojës, ShBA-në.

Prandaj, pasi mësoi këtë lajm, Ly mbolli 72 hektarë sojë në fund të prillit në tokën e tij në një fermë, e cila është pjesë e të ashtuquajturave Ferma Shtetërore "Jiusan".

Me 11 ferma dhe 82 zona bujqësore, "Jiusan" njihet jashtë si "baza e prodhimit të sojes". Ndërsa provinca Heilongjiang, ku ndodhet "Jiusan"-i, prodhoi 39 % të vëllimit të përgjithshëm të sojës në shkallë vendi në vitin 2016.

Fermat Shtetërore "Jiusan" u ndërtuan në vitin 1949 nga një grup ushtarësh, të rinjsh të arsimuar dhe kuadrosh revolucionarë. Kjo zonë ka ofruar gjithmonë ushqime për nevojat e vendit. Edhe gjatë fërkimeve tregtare të tanishme midis Kinës dhe ShBA-së, "Jiusan" ka vazhduar ta luajë rolin e vet.

Mirëpo, pavarësisht se qeveria shpalli masa inkurajuese për rritjen e sojës, disa fermerë nuk ishin në gjendje të përmbushnin kërkesën sepse në këtë pranverë ata nuk e kishin përgatitur tokën, sepse nuk kishin në plan të mbillnin sojë si Ly.

Për shkak se nuk këshillohet që soja të mbillet për dy vjet radhazi në të njëjtën tokë, sepse e varfëron atë, fermerët këshillohen që një vit të mbjellin sojë dhe vitin tjetër misër. Kështu, ata që mbollën sojë vjet humbën mundësinë për të marrë subvencione. Por Ly ishte me fat. Ai mbolli misër vitin e kaluar.

Përveç zgjerimit të mbjelljes së sojes, Kina po shpejton kërkimet për rritjen e rendimentit të prodhimit të sojes, duke kultivuar varietete me produktivitet të lartë.

Ekspertët nga Akademia e Shkencave Bujqësore e Heilongjiang-ut vënë në dukje se cilësia dhe prodhimi i sojës kineze nuk janë në nivel më të ulët sesa ato të sojës amerikane të modifikuar gjenetikisht. Për shembull, një varietet që quhet "Heinong 84", i studiuar nga Instituti i Kërkimeve të Sojës pranë kësaj Akademie, mund të prodhojë 42 kuintalë për hektar, 12 kuintalë më shumë sesa rendimenti mesatar i sojës amerikane. Sipas rezultateve të mbjelljes eksperimentale në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, varietetet "Heinong" mund të realizojnë një prodhim prej 45 00 kuintalësh për hektar.

Varietetet e suksesshme përfshijnë edhe "Heinong 87", përbërja e së cilës mund të arrijë deri në 23% vaj, ndërsa "Heinong 48" mund të arrijë deri në 44% proteina. Këta parametra për sojën amerikane janë përkatësisht 19 % dhe 34 %.

Por për përhapjen e përdorimit të këtyre farëve duhet kohë. A do të thotë se Kina mbetet e cenueshme para masave agresive tarifore të ShBA-së? Përgjigjja është "jo", sepse në tregun ndërkombëtar ka mjaft vende furnizuese alternative, si Brazili, Argjentina, Kanadaja dhe Rusia.

Përveç blerjes së drejtpërdrejtë, Kina dhe Rusia kanë krijuar edhe një mënyrë të re bashkëpunimi në zonat kufitare.

Sipas Komitetit Bujqësor të Heilongjiang-ut, fermerët kinezë po punojnë 600 mijë hektarë tokë në Lindjen e Largët të Rusisë. Për shkak se Rusia ka standarde më të larta për përdorimin e pesticideve dhe të plehrave kimike, soja që prodhohet atje ka cilësi më të lartë.

Në vitin 2017, mbi 80 % e sojës që konsumohej në Kinë erdhi nga jashtë. Soja nga ShBA-ja zuri 1/3 e vëllimit të përgjithshëm të importit të Kinës.

Zhang Lichen, zv.president i grupit "Jiusan", mendon se ndryshimet në fushën e kërkesës për produktet e sojës mund të jenë një tjetër rrugë për të zgjidhur problemet që krijohen nga tarifat amerikane. Soja amerikane përdorej kryesisht për të prodhuar vaj dhe si ushqim foragjer. Sipas tij, si foragjere për të ushqyer kafshët, soja mund të zëvendësohet me kolzën vajzëse, kikirikun dhe palmën. Me këto burime zëvendësuese që mund të sigurohen nga tregu i brendshëm ose tregu i jashtëm, Kina nuk ka nevojë të importojë aq shumë sojë nga ShBA-ja.

"Bota mund të kalojë nga mosbalancimi në një situatë të re të balancuar. Në të kaluarën, nuk kemi importuar sojë nga Kanadaja, por tani po importojmë. Edhe vende si India dhe Rusia mund t'i shesin Kinës sojë. Për mua, lufta tregtare mund të shndërrohet edhe në një mundësi për Kinën për rishikimin e rregullave të tregtisë ndërkombëtare", thotë Zhang Lichen-i, njëkohësisht kryestrategjist i grupit "Jiusan".

Mrekulli
Lajmet Kryesore