Kinë, gjelbërimi i shkretëtirave i shërben zhvillimit të vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë"

2018-07-30 17:01:42 CRI Komenti juaj Printoni

Në fund të qershorit u organizua në Pekin simpoziumi "Rezultatet e sistemimit të shkretëtirës Kubuqi dhe zhvillimit të ekonomisë së gjelbër përgjatë 'Një brez, një rrugë'". Në këtë veprimtari, institute të ndryshme studimore publikuan rezultatet e hulumtimeve mbi përvojat e sistemimit 30-vjeçar të shkretëtirës Kubuqi. Praktikat e palës kineze do t'i shërbejnë edhe zhvillimit të vendeve përgjatë nismës "Një brez, një rruge".

 

Shkretëtira Kubuqi, që ndodhet në veri të Kinës, ka qenë një "legen plot rërë mbi qiellin e kryeqytetit", sepse, sa herë frynte era drejt Pekinit, rëra e kësaj shkretëtire mbizotëronte qiellin e kryeqytetit të Kinës. Në 30 vjetët e kaluar, nëpërmjet përpjekjeve të pandërprera të grupit "Elion" dhe të barinjve vendorë, mjedisi i kësaj shkretëtire ka njohur një ndryshim marramendës. Numri i ditëve me stuhi rërë u pakësua deri në një në vitin 2016, nga më shumë se 50 në vitin 1988. Ndërkohë, sasia e reshjeve është katërfishuar dhe përqindja e gjelbërimit ka arritur në 53%. Lidhur me këto arritje, presidenti i grupit "Elion" Wang Wenbiao shprehet:

"Përvoja jonë 30-vjeçare tregon se shkretëtirat mund të sistemohen në masë të madhe dhe ky proces është i vazhdueshëm dhe me përfitime për të gjitha palët. Me përpjekjet njerëzore, shkretëtirat mund të shndërrohen nga dete të thata të vdekjes në vatra të bukura".

Ai vuri në dukje se OKB-ja ka shpallur objektivin për zgjerim zero të degradimit të tokës deri në vitin 2030, ndërsa Kina ka propozuar krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe ndërtimin e "Një brez, një rrugë" të gjelbër. Kështu që grupi i tij do të përpiqet të përhapë përvojën e vet mbi tokat e zhveshura jo vetëm në Kinë, por edhe në mbarë botën.

"Shkretëtirëzimi është një problem serioz dhe kronik i Tokës. Mbi 1 miliard banorë përgjatë 'Një brez, një rrugë' po vuajnë nga shkretëtirat dhe stuhitë me rërë. Grupi 'Elion', duke pasur sistemimin e shkretëtirave si mision të vetin, premton t'i përkushtohet për 100 vjet këtij qëllimi. Kemi përcaktuar edhe dy objektiva. Së pari, që nëpërmjet reklamimit në internet, të realizohet pjesëmarrja e 1 miliard njerëzve në projektet e pyllëzimit. Së dyti, të përhapen para vitit 2030 teknikat thelbësore, burimet bimore cilësore dhe modeli i punës në Kubuqi në më shumë se 10 % të shkretëtirave në Kinën Perëndimore dhe vendet përgjatë 'Një brez, një rrugë', në mënyrë që banorët të shtojnë të ardhurat nga gjelbërimi i tokës së zhveshur", thotë presidenti i Grupit "Elion", Wang Wenbiao.

Lidhur me përvojat e palës kineze, zv.sekretari i përgjithshëm dhe sekretari ekzekutiv i Programit të Mjedisit të OKB-së Erik Solheim shprehu vlerësim të lartë në simpozium. Ai është i mendimit se këto përvoja mund të shfrytëzohen nga vendet e tjera.

"Sipas mendimit tim, shumë vende po përballen me sfidat nga shkretëtirëzimi. Për shembull, shumë vende afrikane vuajnë nga klima e thatë, por në kushtet e keqija natyrore, popullsia atje rritet shumë shpejt. Prandaj, bamorët nuk mund të kenë raste të shumta për rritje të nivelit ekonomik me kushte të tilla natyrore. Mendoj se përvoja e Kubuqi-së mund të përhapet në Afrikë dhe shpresoj se do t'i ndihmojë vendet afrikane të marrin njohuri nga pala kineze, si edhe që më shumë vende të përfitojnë nga nisma 'Një brez, një rrugë'", tha z. Solheim.

Në simpozium u publikua programi i përhapjes së modelit të Kubuqi-së në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" dhe u shpall krijimi i grupit të përbashkët të punës për vënien në jetë të projekteve të sistemimit dhe të trajnimit.

Ndërkohë, disa ditë më parë, shkencëtarët kinezë dhanë një kontribut të madh për sigurinë ushqimore nëpërmjet mbjelljes së orizit në shkretëtirë.

Në janarin e sivjetshëm, anëtari i Akademisë Kombëtare të Shkencave Inxhinierike të Kinës, prof. Yuan Longping, përzgjodhi dhjetëra lloje orizi hibrid dhe i mbolli në zonat e shkretëtirës afër Dubait për të bërë testin e cilësisë së farërave kundër thatësirës, ujit alkalin dhe shembjes. Pas rritjes prej më shumë se muajsh, me praninë e ekspertëve nga India, Egjipti, Emiratet e Bashkuara etj., farërat e ndryshme arritën një rendiment 60 - 75 kuintalë për hektar. Në bazë të këtyre rezultateve, shkencëtarët vendorë do të përzgjedhin lloje më të mira për studimin dhe prodhimin e farërave më të përshtatshme për mjedisin e Dubait.

Jo vetëm kaq, por sipas planifikimit, grupi studimor i kryesuar nga prof. Yuan Longping do të bashkëpunojë me homologët e Emirateve të Bashkuara për të nisur në gjashtëmujorin e dytë të sivjetshëm ndërtimin e një "ferme eksperimentale të orizit që rritet në ujë detar". Pritet që nga viti 2020 të zgjerohet shpejt sipërfaqja e mbjelljes së orizit në ujë detar, për të krijuar një "oazë artificiale" 10 kilometra katrorë për shtimin e sigurisë ushqimore vendore dhe përmirësimin e mjedisit ekologjik.

Shkencëtarët kinezë po japin kontributin e tyre për një të ardhme më të mirë për popujt e vendeve të ndryshme.

Mrekulli
Lajmet Kryesore