Zhvillimet e Kinës: Misioni eksplorues në planetin Mars do të nisë në 2020-ën

2018-07-30 17:02:14 CRI Komenti juaj Printoni

Kur tregimet fantastiko-shkencorë u përhapën në masë gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, Marsi u shfaq në to në mënyrë rutinore. Autorët e librave fantastiko-shkencorë shkruanin për tregime me të ashtuquajtur alienë nga Marsi të cilët do të pushtonin Tokën dhe kolonizonin njerëzimin.

Sidoqoftë, Marsi është një planet i shkretë, ku nuk ka krijesa të gjalla të cilat kanë aftësi të shpikin anije kozmike që të mund të udhëtojnë drejt hapësirës së jashtme. Megjithatë, shkencëtarët mbeten të hipnotizuar nga planeti i kuq.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ishin dy vendet e para që hynë në garën hapësinore dhe u përpoqën që në dekadat e fundit të nisin satelitë dhe të shkonin në misione që tashmë kanë arritur Marsin.

Agjencia Kombëtare Hapësinore e Kinës (CNSA) njoftoi se një ekip i saj po përgatitet të niset për një mision në Mars deri në vitin 2020, ndërsa është thënë se viti 2021 pritet të jetë data e uljes në planet.

Zv.drejtori i CNSA-së, Vu Yenhua, ka vënë në dukje se gjatë misionit të dytë do të mblidhen mostra nga sipërfaqja e këtij planeti, si dhe do të bëhen studime për sipërfaqen e tij. Në vijim Vu tha se Agjencia ka vënë në agjendën e projekteve studimore të eksplorimeve edhe një planet tjetër, Jupiterin.

Qeveria kineze synon që deri në vitin 2030 të zgjerojë industrinë e saj hapësinore, duke u kthyer në një "fuqi hapësinore".

Sipas një raporti të publikuar në vitin 2016 nga Këshilli i Shtetit i Kinës, qeveria kineze ka një program të gjerë hapësinor, duke filluar nga dërgimi i anijes së parë me njerëz në hapësirë deri në vitin 2020, eksplorimi i Hënës, dërgimi i satelitëve navigues me rezolucion të lartë etj.

Plane e projekte për të ardhmen

Para Pekinit, vende të tjera aziatike, si Koreja e Jugut dhe India, kanë dërguar në misione skuadra të specializuara për eksplorimin e hapësirës.

"Edhe pse ne nuk jemi vendi i parë aziatik që dërgon një ekip për zbulime në Mars, ne duam të fillojmë në një nivel më të lartë", ka thënë Ye Peijian, një studiues pranë Akademisë Kineze të Shkencave (CAS).

Sonda eksperimentale e Kinës që do të niset në Mars, do të përgatitet për ngritje në korrik ose gusht të 2020-s, duke udhëtuar 54.6 milionë kilometra (33 milionë milje), dhe do t'i duhet rreth 500 ditë për të arritur në planet.

Sonda e sofistikuar, në gjendje që të gërmojë në thellësi prë të marrë grimca studimore dhe të analizojë me detaje përbërjen e sipërfaqes së Marsit, është e përbërë nga tre pjesë.

CNSA-ja do ta drejtojë eksplorimin orbital dhe kërkimet në Mars nga Qendra e Komandës Hapësinore e Kinës në Taiyuan të provincës Shanxi.

Akademia Kineze e Shkencës dhe Teknologjisë (CAST) ka prodhuar një video 3D për të nxjerrë në pah detajet e misionit që është parashikuar se do të zgjasë rreth dhjetë muaj.

Arsyet për të eksploruar

"Metoda më e mirë dhe më e drejtpërdrejtë për të kërkuar dëshmi të jetës në Mars është të eksplorojmë sipërfaqen e tij", tha Zheng Yongchun, hulumtues pranë Observatorit Astronomik Kombëtar (NAO). "Marsi do të jetë një fokus kyç i eksplorimit të thellë hapësinor të Kinës në të ardhmen," shtoi ai.

Pekini mbështet eksplorimin e hapësirës, pasi shkencëtarët kinezë e njohin vlerën e kryerjes së eksperimenteve në hapësirën e jashtme, duke zhvilluar gjithashtu teknologji të reja për qëllime civile dhe ushtarake.

Sipas studiuesve të këtij misioni, ky hap i rëndësishëm i Kinës do të sjellë përparime dhe do të nxisë kërkimin dhe zhvillimin në fushat e hapësirës ajrore, gjeologjisë, meteorologjisë dhe energjisë së re.

Botuar në vitin 2016 nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit, "Libri i Bardhë" thekson ambiciet në rritje të programit hapësinor kinez tashmë në ekspansion të plotë duke detajuar projektin e zhvillimit të indsutrisë hapësinore.

"Të eksplorojmë kozmosin e gjerë, të zhvillojmë industrinë hapësinore dhe ta bëjmë Kinën një fuqi hapësinore është një ëndërr që ne e ndjekim pa u ndalur", shkruhet në dokumentin me titull "Aktivitetet hapësinore të Kinës në 2016" dhe që paraqet strategjinë e Kinës për pesë vjetët e ardhshme. Aty saktësohet se Kina po punon për qëllime paqësore, për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të kryer kërkime të përparuara shkencore.

Zhvillimi i fshatit "Mars"

Në përgatitje për misionin e Marsit, Kina ka zgjedhur një vend të largët në provincën Qinghai në veriperëndim të vendit për të ndërtuar një "Stacion artificial të Marsit", i cili do të përdoret gjithashtu për trajnimin e astronautëve, si laborator hulumtues dhe zonë turistike.

3/4 e Qinghai-t mbulohen nga shkretëtira e Gobit, ndërsa pjesa tjetër e krahinës përbëhet nga malet, livadhet, lumenjtë dhe liqenet.

Stacioni artificial i Marsit do të qëndronte në mënyrë ideale në pellgun e Qaidamit, një rajon i cili për nga kushtet atmosferike dhe të relievit i ngjan Marsit. Klima është e ftohtë, me erë dhe e thatë.

Por më e rëndësishmja është se vendi është i zbrazët dhe i izoluar. Astronautët duhet t'i mbijetojnë këtij misioni aspak të lehtë, ata duhet të qëndrojnë brenda një anijeje kozmike për më shumë se 500 ditë vetëm për të udhëtuar nga Toka në Mars.

Vetëm kandidatët me shëndet të mirë dhe një aftësi të fortë mendore për të përballuar psikologjikisht misionin mund të kenë sukses.

Turizmi hapësinor në Tokë

CNSA-ja do të luajë një rol të rëndësishëm për të nxitur eksplorimin e hapësirës që tërheq rininë kineze.

Mediat kineze kanë nxjerrë në pah suksesin e vendit në misionet e fundit në hapësirë, të tilla si ulja e roverit "Chang'e 3" në Hënë, por të rinjtë kinezë kanë nevojë për më shumë përvojë për të vlerësuar misione kaq të rëndësishme hapësinore.

Fshati "Mars", i ndërtuar në rajonin Dachaidan Hongya, jo vetëm do të jetë një terren trajnimi për astronautët dhe për laboratorët kërkimor, por një pjesë tjetër do të hapet gjithashtu për turistët.

Mrekulli
Lajmet Kryesore