Reforma e Hapja e Kinës krijojnë vende pune në ShBA

2018-07-23 15:26:24 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 2008, Lefby Poraiar u paralajmërua papritur një ditë se "Global Steering System" (GSS), kompani në shtetin amerikan të Konektikatit, ku ajo kishte punuar për 13 vjet, do të falimentonte së shpejti. Pasi mësoi këtë lajm, kjo zonjë 59-vjeçare përjetoi një kohë shumë të vështirë e plot me panik se do të mbetej pa punë, meqë ishte e pothuajse e pamundur për të që të gjente një punë të re, për shkak të moshës së saj. Por, fatmirësisht, jeta e saj ndryshoi në minutën e fundit.

Grupi kinez "Wanxiang", një prodhues pjesësh këmbimi për automjete, e bleu uzinën e kësaj kompanie që ishte në buzë të greminës dhe Porairar-i e ruajti punën e vet. "Falë pronarit kinez, uzina jonë mbijetoi dhe u rigjallërua", i tha ajo agjencisë kineze të lajmeve "Xinhua".

"Wanxiang"-u, që ka lindur në vitin 1969 si një uzinë për riparimin e makinerive bujqësore, e ndryshoi më vonë biznesin te prodhimi dhe shitja e pjesëve të këmbimit për automjete. Me të parë një mundësi të re në vitet 80' të shekullit të kaluar, pas shpalljes së Reformës e Hapjes në Kinë, "Wanxiang"-u mori vendimin të zgjerohej në tregun ndërkombëtar.

Sipas z. Ni Pin, drejtor i degës së kësaj kompanie në ShBA, para fillimit të hapjes së Kinës, pothuajse të gjitha eksportet kineze duhej të kryheshin nëpërmjet kompanive të përcaktuara tregtare, që i njihnin shumë pak tregun e produktet dhe punonin me rendiment shumë të ulët.

Pas fillimit të Reformës dhe Hapjes ndaj botës së jashtme, kompanitë kineze u lejuan të investonin dhe eksportonin drejtpërdrejt në tregun e huaj. Kjo u dha ndërmarrjeve si "Wanxiang"-u një mundësi për të konkurruar me kompanitë e tjera të nivelit botëror.

Z. Ni rikujton këmbënguljen e presidentit të atëhershëm Lu Guanqiu për cilësinë e produkteve në vitin 1992. "Z. Lu vendosi një rregull për ne, që duhej të bënim produkte po aq të mira sa kompanitë vendore amerikane. Fokusi te cilësia hodhi një bazë të shëndoshë për suksesin tonë të sotëm", thotë z. Ni.

Tani, si investitori më i madh kinez në ShBA-në Qendrore-Perëndimore, "Wanxiang"-u ka 21 uzina vendore. Vlerësohet se një ndër dy automjetet e prodhuara në ShBA përdor pjesë këmbimi të kësaj kompanie. Kjo ka shpëtuar edhe shumë uzina amerikane që kishin nevojë të madhe për investime.

"Global Steering System" është një ndër kompanitë amerikane që i mbijetuan krizën financiare në saje të investimeve nga dega e "Wanxiang"-ut në ShBA.

Nga ruajtja e 135 vendeve të punës pas ristrukturimit në vitin 2009, GSS-ja tani është bërë një kompani e globalizuar me uzina në Meksikë, Poloni dhe Kinë, me 750 punonjës në botë. "Nga 135 punonjës në 750 tani, mund të llogarisësh zgjerimin tonë", thotë Larry Finnell, CEO-ja i "Global Steering System".

Transformimi i GSS-së është një shembull i zhvillimit dhe lokalizimit të "Wanxiang"-ut në ShBA. Kjo kompani tani ka investuar në ose ka blerë shumë kompani në 25 shtete amerikane, duke punësuar mbi 9000 banorë vendorë.

Në mirënjohje të kontributit të "Wanxiang"-ut për ekonominë vendore, administrata e shtetit Illinois, ku ndodhet selia e kësaj kompanie, e caktoi 12 gushtin 2002 si "Dita e 'Wanxiang'-ut".

Në fakt, "Wanxiang"-u është një ndër kompanitë e panumërta kineze që kanë realizuar të ashtuquajturën "dalje jashtë vendit" pas Reformës dhe Hapjes të nisur në Kinë në fund të viteve '70 të shekullit të kaluar. Sipas të dhënave statistikore, nga viti 1990 deri në 2017-n, investimet e drejtpërdrejta kineze në ShBA arritën në 140 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa vëllimi i përgjithshëm i investimeve amerikane në Kinë arriti në 256 miliardë dollarë.

Numri i punonjësve amerikanë që punojnë në kompani kineze është nëntëfishuar nga viti 2009 në vitin 2016, duke i kaluar 140 mijët.

Gjatë katër dekadave të Reformës dhe Hapjes, kompanitë kineze që kanë investuar jashtë vendit kanë mbledhur përvojë lidhur me teknologjinë dhe tregun, duke e forcuar gjithnjë e më shumë vetëbesimin e tyre për të marrë pjesë në zinxhirin global të vlerës. Nga ana tjetër, prania e tyre në vende të tjera ka sjellë përfitime të shumta edhe për ekonominë vendore.

Në vitet e para të Reformës dhe Hapjes të Kinës, investimet midis Kinë dhe ShBA-së mund të thuhet se ishin si një rrugë me një drejtim, pasi mbizotëronin investimet amerikane në Kinë. Me zhvillimin e Kinës dhe zgjerimin e hapjes, kjo "rrugë" po bëhet "dydrejtimëshe", pasi janë shtuar gjithnjë e më shumë kompanitë kineze që investojnë në Amerikë.

Sipas një raporti të publikuar në prillin e sivjetshëm nga Komiteti Kombëtar mbi Marrëdhëniet ShBA-Kinë (NCUSCR), në vitin 2016 investimet vjetore kineze në ShBA shënuan një rekord të ri prej 46 miliardë dollarësh amerikanë, shifër kjo dhjetë herë më shumë në krahasim me pesë vjet më parë. Ndërkohë vëllimi vjetor i investimeve amerikane në Kinë qëndroi në nivelin e afro 13 miliardë dollarëve.

"Kina dhe ShBA-ja janë partneret më të mëdha tregtare të njëra-tjetrës. Ato përfitojnë nga suksesi i palës tjetër", theksoi biznesmeni miliarder dhe ish-kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Michael Bloomberg, duke komentuar për fërkimet tregtare midis dy vendeve në një forum të organizuar kohët e fundit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore