Zhvillimet e Kinës: Rritje e industrisë së robotëve (2)

2018-07-23 15:26:24 CRI Komenti juaj Printoni

Industria kineze e robotëve regjistroi një zhvillim të madh gjatë vitit 2017, vit kur u hapën rreth 1 686 kompani robotike.

Në Samitin e 5-të të Robotëve të Kinës, u publikua një raport ku thuhet se numri i kompanive kineze në këtë industri është mbi 6 500. Këto kompani ndodhen kryesisht në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei, në deltën e lumit Jance dhe në deltën e Lumit të Perlave.

Në vitin 2017, vëllimi i shitjes së robotëve industrialë në Kinë arriti 4.2 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje vjetore prej 24 për qind. Po vjet, tregu global industrisë së robotëve kapi vlerën e 23 miliardë dollarëve amerikanë

Siç u bë e ditur edhe në Konferencën Botërore për Robotët të vitit 2017, punimet disaditore të së cilës u mbajtën në Pekin, temat më të diskutuara në të janë fushat kryesore të kërkimit të mëtejshëm të zhvillimit të robotëve, aplikimit në praktikë për t'i sjellë robotët gjithnjë e më pranë jetës sonë të përditshme, si dhe novacionit.

Konferenca Botërore e Robotëve e vë theksin mbi të ardhmen robotike në prodhim dhe inxhinieri.

Ka nga ata që mendojnë se zhvillimi i robotikës do të rrezikojë në të ardhmen vendin e punës së njerëzve. Por Jeremy Watson, president i Institutit të Inxhinierisë dhe Teknologjisë, mendon se kjo është diçka që bota duhet ta presë me gëzim dhe jo me frikë.

"Siç ka ndodhur me lëvizjet e mëparshme të teknologjisë, kur puna e dorës është zëvendësuar nga makinat, njerëzit ishin me të vërtetë të shqetësuar. Format e reja të teknologjisë në industrinë e shërbimeve kërkojnë gjithnjë e më shumë njerëz. Mendoj se njerëzve u pëlqen të punojnë me njëri-tjetrin, ndaj do të duhet një kohë e gjatë që inteligjenca artificiale t'i zëvendësojë njerëzit me robotë. Për sa u përket punëve fizike, të dorës dhe të rrezikshme, mendoj se robotika do t'i bëjë ato në mënyrë shumë efektive," u shpreh ai.

Robotika mjekësore për trajtimin e pacientëve

Shkencëtarët kinezë janë gjithashtu liderë në zhvillimin e robotëve që mund të trajtojnë pacientët në mënyrë efektive, dhe madje të ndihmojnë në kryerjen e operacioneve për të shpëtuar jetën e njerëzve. Qyteti i Shenzhen-it mirëpriti Konferencën Botërore të Robotikës Mjekësore (KBRM) në nëntor të 2017-s.

KBRM-ja është një arritje e madhe në fushën e robotikës mjekësore, duke kombinuar kërkimet shkencore dhe aplikimin në mjekësi dhe industri. Tema e kësaj konference ishte "'Një brez, një rrugë' - Robotika Mjekësore, nga Hulumtimi Shkencor në Aplikimin Klinik". Konferenca synon të integrojë dhe të rrisë komunikimin midis shkencëtarëve dhe zhvilluesve të robotikës në Kinë dhe në Perëndim.

Të bësh pazar në "Robo-Supermarket"

Më tepër se 57 000 robotë industrialë u shitën në Kinë në 2014-n, sipas Federatës Ndërkombëtare të Robotikës. Industritë kineze kanë porositur blerjen e 400 000 njësive deri në fund të vitit 2017.

Rrjedhimisht, prodhuesit e robotëve po hasin probleme për plotësimin e kërkesave në rritje dhe arritjen e objektivave të shitjeve, por priten lajme të mira në këtë drejtim. Një supermarket "Robo" është hapur në shtator të vitit 2015 në Foshan, në provincën Guangdong të Kinës Jugore.

"Robo-Supermarket" është një treg për inkubatorët dhe zhvilluesit e robotikës për të bashkëvepruar me publikun, i cili ndodhet në distriktin Shinde të qytetit, ku është edhe djepi i robotikës industriale në Kinë.

"Supermarketi do të jetë i favorshëm për zhvillimin e industrisë së robotikës në Kinë." Yang Yang, drejtor i përgjithshëm i kompanisë "Changsha Chain Robotics Co.", tha për mediat se kjo nismë "do të sjellë teknologjinë më të fundit në një platformë të vetme".

Ka ardhur koha që të pranojmë robotët me Inteligjencë Artificiale

Zhvilluesit e sotëm të robotikës në Kinë po përpiqen të ndërtojnë robotë që mund të përmirësojnë cilësinë e jetës për të gjithë njerëzit në mbarë botën. Ata kanë një vizion për të përmirësuar efikasitetin nëpër fabrika, duke ulur kostot e punës me futjen në treg si krahë pune të sa më shumë robotëve industrialë.

Prodhuesit kinezë janë në fakt liderë në botë për sa i përket kësaj.

Gjiganti i teknologjisë "Foxconn" me bazë në Tajvan, i cili ka shumë fabrika të mëdha që veprojnë në jug të Kinës dhe është i famshëm për prodhimin e pajisjeve të markës "Apple", ka bërë të mundur që shumica e fabrikave të tij të mbështeten në përdorimin e robotëve industrialë. Në fabrikat e "Foxconn"-it në jug të Kinës bëhet e ditur se janë instaluar mbi 40 000 robotë.

Shumë kompani të tjera kineze kanë hapur fabrika, përfshirë këtu kompaninë "Alibaba", ku janë robotët dhe jo njerëzit, ata që po kryejnë detyra të rëndësishme në prodhimin e pajisjeve të ndryshme. Është më se e kuptueshme se bota sot pret përparime të tjera të mëdha në këtë drejtim.

Prandaj, novatorët kryesorë të industrisë së robotikës kineze vazhdojnë të sjellin në jetë robotë me Inteligjencë Artificiale, në mënyrë që njerëzimi të përfitojë sa më shumë që të mundet nga puna e tyre.

Mrekulli
Lajmet Kryesore