5000 vjet, historia e qytetërimit kinez konfirmohet arkeologjikisht

2018-07-16 11:07:10 CRI Komenti juaj Printoni

Duke folur për historinë e qytetërimit kinez, i vetmi ndër katër qytetërimet më të vjetra në botë që nuk është ndërprerë asnjëherë, çdo banor kinez do të thotë pa ngurrim se është 5000-vjeçare, vlerësim që bazohet mbi analizën e shkrimeve të lashta. Por, për shkak se shkrimet për historinë e njohur filluan vetëm para 3000 vjetësh, ka pasur dyshime për një datim të tillë që bazohet pjesërisht mbi legjenda dhe gojëdhëna.

Për të gjetur dëshmi që mbushin këtë zbrazëti kohore 2000-vjeçare, qeveria kineze nisi në vitin 1996 një projekt të përcaktimit të kronologjisë. Pas përpjekjesh katërvjeçare, u konfirmuan edhe 1 200 vite tjera histori të qytetërimit kinez, që ishin sidoqoftë të pamjaftueshme për vërtetimin e 5000 vjetëve të kësaj historie. Prandaj, vetëm një vit pas daljes së projektit të kronologjisë për tre principatat e periudhës së skllavapronarisë (Xia, Shang, Zhou), studiuesit filluan në vitin 2001 kërkimet në mbarë vendin për më shumë dëshmi arkeologjike.

Pas gërmimeve dhe studimeve që zgjatën 16 vjet, të ndara në katër faza, Administrata Shtetërore e Trashëgimeve Kulturore e Kinës shpalli kohët e fundit konfirmimin përfundimtar për historinë mbi 5000-vjeçare të qytetërimit kinez.

Sipas grupit studimor të përbërë prej ekspertësh nga rreth 70 institucione kërkimore, disa krahina të Kinës kanë hyrë në fazën e qytetërimit që para 5300 vjetësh.

Zv.drejtori i Administratës Guan Qiang paraqiti në një konferencë shtypi rezultatet kryesore të kërkimit: "Në radhë të parë, kemi konfirmuar historinë 5000-vjeçare të qytetërimit kinez. Grupi studimor për datimin e origjinës është i mendimit se afro 5800 vjet më parë, në rrjedhat e Lumit të Verdhë e të lumit Jance dhe në perëndim të lumit Liaohe, u shfaqën shenjat fillestare të qytetërimit dhe 500 vjet më vonë, shumë krahina të vendit u futën në fazën e qytetërimit. Afro 3800 vjet më parë, qytetërimi në pjesën qendrore të vendit u bë më i pjekur dhe më i qëndrueshëm, duke përhapur ndikimin e tij kulturor dhe duke u bërë më vonë forca mbizotëruese dhe udhëheqëse e evolucionit të qytetërimit të tanishëm kinez."

Dëshmitë konkrete përfshijnë sistemin më të vjetër të digave në botë në rrjedhën e poshtme të lumit Jance, pallatin më të vjetër mbretëror kinez, hieroglifet më të lashta në rrjedhën e mesme të Lumit të Verdhë, observatorin më të vjetër astronomik në botë etj. Të marrim kërkimet në rrënojat Liangchu si shembull. Për një kohë të gjatë, delta e lumit Jance vlerësohej si një zonë ku nuk kishte një qytetërim parahistorik. Por, nga kërkimet e viteve të fundit del se gjurmët arkitekturore vendore dëshmojnë se para 5000 vjetësh, këtu janë shfaqur karakteristikat e qytetërimit të mbretërive të lashtësisë, si ndarja në klasa etj.

Wang Wei, studiues në Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, vë në dukje: "Në qendrën e rrënojave gjenden projektet e punimit në 12 milionë metra kubë tokë për një pallat madhështor. Për një sasi aq të madhe pune, 10 mijë veta duhej të punonin pandërprerë për të paktën dhjetë vjet. Mobilizimi i aq shumë punëtorëve për një projekt kaq të madh nuk mund të kryhej me forcën e një fisi para 5000 vjetësh. Përveç pallatit, këtu ka edhe varreza dhe disa altarë të ofrimit të sakrificave të niveleve të ndryshme, pa përmendur faktin se edhe objektet që janë varrosur bashkë me pronarët e tyre kanë dallime të dukshme. Prandaj, ne mendojmë se kjo ishte një shoqëri hierarkike. Me këtë provë, mund të arrihet në përfundimin se para 5000 vjetësh rrjedha e poshtme e lumit Jance kishte hyrë pjesërisht në fazën e qytetërimit të mbretërive të lashtësisë".

Nëpërmjet projektit të datimit të lashtësisë së qytetërimit kinez, ekipi i ekspertëve jo vetëm zbuloi karakteristikat e qytetërimeve të shumëllojshme të mbretërive të lashtësisë, por edhe ka formuluar katër kritere kryesore për të përcaktuar nëse një vend ka hyrë apo jo në fazën e qytetërimit. Këto katër kritere janë: zhvillimi i bujqësisë dhe i zejtarisë, diferencimi i dukshëm i klasave shoqërore, lindja e qyteteve qendrore dhe ndërtimi i veprave të mëdha arkitekturore. Këto kritere janë të ndryshme nga ato të përcaktuara nga studiuesit perëndimorë.

Lidhur me këtë, profesor Zhao Hui nga Shkolla e Arkeologjisë pranë Universiteti të Pekinit thotë se kjo është në përputhje me karakteristikat e historisë kineze: "Këto katër kritere mund të merren si një e tërë për të gjykuar në bazë të zbulimeve arkeologjike nëse një shoqëri është futur apo jo në fazën e qytetërimit. Studiuesit perëndimorë përdorin zakonisht si kritere shkrimin dhe metalurgjinë e bronzit. Por ne mendojmë se ky ndryshim tregon pikërisht faktin që qytetërimet e ndryshme njerëzore kanë pika të përbashkëta dhe karakteristika të veçanta gjatë procesit historik", thotë profesor Zhao.

Projekti vërteton njëkohësisht se gjatë zhvillimit, qytetërimi kinez është ndikuar edhe nga qytetërimet e tjera. Falë teknologjive të reja, tani e dimë se mbjellja e grurit në Kinë e ka burimin nga Azia Perëndimore e Qendrore. Gjithashtu, rritja e disa kafshëve shtëpiake, si delet etj., dhe metalurgjia e bronzit kanë pasur ndikim të madh gjatë përsosjes së qytetërimit kinez.

Mrekulli
Lajmet Kryesore