Zhvillimet e Kinës: Pagesat online, asnjë vend tjetër si Kina

2018-07-09 15:26:37 CRI Komenti juaj Printoni

U bë kohë tashmë që kur Kina ka futur novacionin në shkencë dhe teknologji, të cilat kanë sjellë tendenca novatore në arenën globale. Por a e dini se Kina ishte kombi i parë sovran që shtypi dhe nisi qarkullimin e parave letër për qytetarët e saj?

Ndoshta jo, por shumica e botës ende nuk e di se shoqëria kineze, për shumë shekuj, ka sjellë pranë njerëzve një sërë sistemesh novative dhe shoqërore të jashtëzakonshme, të cilat e kanë bërë jetën e tyre shumë herë më të lehtë se ç'mund të imagjinojmë ne në ditët e sotme.

Është krejt e mundur që vendi i cili futi për herë të parë qarkullimin e parave letër në botë, mund të bëhet po ashtu kombi i parë i cili eleminon përdorimin e parasë në dorë. Kinezët, të rinj e të moshuar, po braktisin gjithnjë e më shumë paratë letër, duke përdorur smarfonët e tyre për të bërë pagesa online, si për dyqanet e mëdha ushqimore ashtu edhe për shitësit ambulantë etj.

Kudo që të gjendesh në Kinë e shkon për të blerë diçka në një dyqan, mallra a shërbime nga më të ndryshmet, do të shohësh se thuajse të gjithë konsumatorët preferojnë pagesat elektronike mbi pagesat me para në dorë.

Më shumë shifra specifike

Shumica e konsumatorëve kinezë të pagesave elektronike janë të lidhur me "Alipay", platformën e të paguarit të palës së tretë pranë kompanisë kineze të biznesit online "Alibaba". Me anë të platformës "Alipay", çdo klient mund të bëjë blerje të ndryshme, financim, pagesat e faturave të ujit, energjisë e gazit, shlyerje për kartë krediti etj.

Kina ka afro gjysmë miliardi përdorues të platformës "Alipay".

Gjiganti i teknologjisë "Tencent", kompania më e madhe e internetit në Kinë për nga të ardhurat, ofron platformën e pagesave online "WeChatPay", nga faqja më popullore e mediave shoqërore në botë, "WeChat", me mbi 800 milionë përdorues të përditshëm.

Sipas të dhënave të shitjeve në Kinë, vlera e mallrave bruto (totali i shitjeve me pakicë në vend) e pagesave elektronike të palëve të treta u rrit mbi 200 për qind, duke arritur në 38 trilion juanë, ose 5.5 trilion dollarë amerikanë, krahasuar me vitin paraprak, 2016-n.

Kjo është gati 50 herë më e lartë se Shtetet e Bashkuara, tregu i dytë më i madh, i cili raportoi se shifrat e shitjeve në vend kapin vlerën prej 112 miliardë dollarë.

Aleanca "Më mirë pa Para në Dorë", e sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara, në një raport të publikuar në korrik të 2017-ës parashikoi se pagesat me para në dorë të Kinës do të përbëjnë vetëm 30 për qind të të gjitha shitjeve me pakicë në vend deri në vitin 2020.

Kinë, Java pa Para në Dorë

Kinezët kanë dhënë prova se janë konsumatorët më entuziastë të pagesave elektronike. Rrjedhimisht, "Ant Financial" njoftoi se do të organizonte "Javën e Qyteteve pa Para në Dorë" në mbarë vendin më 1-8 gusht, javën e parë të gushtit 2017-ë.

Të gjithë kinezët inkurajohen të bëjnë vetëm pagesa elektronike nëpërmjet smarfonëve të tyre. Pesë qytete si Hangzhou, Wuhan, Tianjin, Fuzhou dhe Guiyang kanë lajmëruar se do të jenë pjesë e kësaj nisme dhe do të nxitin shumë qytete të tjera që të marrin pjesë në të. Zona e parë eksperimentale komplekse për tregtinë elektronike ndërkufitare u krijua në qytetin Hangzhou. Analistët janë të mendimit se nxitja fuqishëm nga Kina e zhvillimit të tregtisë elektronike ndërkufitare jo vetëm do të jetë në të mirë të kompanive dhe konsumatorëve vendës, por do të favorizojë edhe tregun e jashtëm.

Bërja e pagesave elektronike nuk është aspak e vështirë. Ju thjesht duhet të keni një llogari bankare dhe një smartfon. Më pas, duke u bërë pjesë e platformave online si "Alipay" dhe "WeChat", ose të dyja bashkë, ju do të pajiseni me një kod pagese të veçantë, kodin e reagimit të shpejtë (QR), të cilin mund ta përdorni për çdo lloj blerje që ofron një shërbim të tillë.

"WeChat": kampioni i pagesave elektronike

Platforma më e madhe e pagesave elektronike në Kinë është "WeChatPay", pasi mund të hapet dhe të përdoret gjithashtu falas. Ndërkaq, "ApplePay" dhe platformat e tjera të pagesave elektronike kanë disa tarifa shtesë të cilat duhen shlyer nga tregtarët etj, por "Wechat" është i gjithi falas.

Por lind pyetja, si gjenerohen të ardhurat për "WeChat"? Çdo herë që një përdorues hap një llogari në platformën "WeChat", ai krijon një gjurmë letre digjitale. Të gjitha blerjet ruhen në formën e "Big Data" nga ku transmetohen në një platformë "cloud".

Kompania "Tencent" përdor "Big Data" për të analizuar tendencat e konsumit dhe u shet raportet korporatave të mëdha, duke shpresuar që në këtë mënyrë të mund të arkëtojë të ardhura.

Le të marrim shembullin e një kompanie që shet lloje të ndryshme sapuni, e cila në raportet e "Big Data" mund të zbulojë se produkti është shumë herë më i njohur në Kinën jugore se sa në zona të tjera të vendit, kështu që ata mund të punojnë me logjistikën, marketing-un dhe reklamimin e produktit dhe kompanisë etj.

Gjiganti i internetit, "Tencent", ka bashkëpunuar gjithashtu me një kompani pagesash elektronike me bazë në Gjermani, "Wirecard", e cila do të nisë shërbimet e "WeChatPay" në Europë. Ata sfidojnë "AliPay", e cila tashmë ofron shërbimet e saj në vendet e Bashkimit Europian.

"Tencent", do të bashkohet me kompaninë "Citcon" për të nisur gjithashtu shërbimin në ShBA.

Përmes llogarive të "Wechat", përdoruesit do të kenë mundësi të paguajnë në monedhë kineze.

Aplikacioni "Wechat Pay", për pagesat nëpërmjet telefonit, funksionon në 15 vende e rajone, duke lejuar pagesa në 12 monedha të huaja.

Pagesat elektronike bëhen edhe më të lehta

Kompanitë kryesore të kartave të kreditit, me bazë në ShBA, "MasterCard" dhe "Visa", kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me "UnionPay", me bazë në Kinë, për të zgjeruar më tej sistemin e pagesave eletronike të transaksioneve nëpërmjet kodit "QR".

Tashmë është gjithnjë edhe më e mundur që pagesat kineze elektronike nëpërmjet telefonit, në mbarë botën, të qarkullojnë midis bankave dhe kompanive të kartave të kreditit që nga një dyqan i vogël, një biznes familjar në Lagos të Nigerisë, deri në një restorant të klasit të lartë në Miami, Florida të Shteteve të Bashkuara.

Tendenca kryesore e tregut dhe të ardhmes së tij do të jetë pikërisht blerja e mallrave dhe e shërbimeve pa para në dorë. Por ndoshta jo të gjithë mund ta pranojnë këtë, veçanërisht të moshuarit, por një gjë është e sigurtë, smartfoni juaj do të bëhet edhe më i vlefshëm nëse dyqanet nuk do të operojnë më me para letre.

Për shitësit, transaksionet me para në dorë nuk janë aq të përshtatshme sa pagesat elektronike. Pra, edhe nëse preferoni të paguani me para në dorë në Kinë, është e mundur që disa vjet më vonë, kjo metodë të pushojë së ekzistuari plotësisht për blerësit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore