Zhvillimet i Kinës: Qyteti i Ndaluar, tashmë edhe si muze digjital

2018-07-03 10:42:37 CRI Komenti juaj Printoni

Muzeu i Pallatit, i njohur edhe si Qyteti i Ndaluar, pallati i perandorëve kinezë të dinastive Ming dhe Qing, që u ndërtua në vitet 1406 -1420 nga perandori Yongle, ndodhet në zemër të Pekinit. Ai ka tërhequr vëmendjen e botës për trashëgiminë e tij të gjatë dhe shumë të pasur.

Dhjetëra milionë vizitorë vijnë të shohin Qytetin e Ndaluar çdo vit, për të mësuar më shumë rreth së kaluarës së lashtë perandorake të Kinës.

Problemi më i madh i këtij muzeu është dyndja e madhe e vizitorëve gjatë periudhave më të ngarkuara turistike të vitit, sidomos gjatë pushimeve zyrtare në vend dhe kjo ka shkaktuar shqetësimin e zyrtarëve, punonjësve të muzeut dhe vizitorëve. Muzeu i Pallatit i Pekinit vizitohet çdo vit nga mbi 15 milion njerëz.

Duke u përballur me këto sfida, muzeu vendosi të bashkëpunojë me disa kompani të teknologjisë së lartë për të sjellë te vizitorët një muze digjital, i cili u lejon atyre të shohin mbi një milion relikte të rralla, piktura dhe objekte të lashta kulturore. Ata mund të njihen me këto vepra të rralla nëpërmjet disa aplikacioneve të ndryshme, të cilat ofrojnë një kuptim më të thellë mbi mënyrën e jetesës së perandorëve kinezë nën rregullat e dinastive të kohërave ku ata jetonin.

I pari i këtij lloji

Pas tre vjet përpjekjesh, më 1 gusht 2017, Muzeu i Pallatit i Pekinit njoftoi për të gjithë vizitorët e tij se gjithë koleksioni i muzeut është ruajtur në një komunitet digjital, në plot nëntë aplikacione të ndryshme.

Kuratori i muzeut, Shan Jixiang, pati një rol të rëndësishëm në krijimin e Qytetit të Ndaluar digjital, i cili integron një muze inteligjent, tashmë me sisteme më të forta të sigurisë e komunikimit.

Duke shfrytëzuar teknologjitë dhe pajisjet e reja të përparuara, muzeu inteligjent është i bazuar në sisteme të tilla si të dhënat e mëdha, Realiteti Virtual, imazhet 3D (tre-dimensionale) dhe videolojëra për të bërë të mundur që publiku të ketë informacione të vlefshme, në një format të këndshëm e shumë mirë të menaxhueshëm.

Për shembull, uebsajti informativ kinez "Xinhua" citon aplikacionin "The Night Revels" të Han Xizai-t, ku përdoruesit e aplikacioneve mund të zbulojnë, nëpërmjet smartfonave të tyre, më shumë njohuri mbi pikturën që përshkruan jetën luksoze të gjykatës gjatë periudhës së Pesë Dinastive (906-960 e. s).

Nëpërmjet këtij aplikacioni piktura duket si e gjallë, duke të kthyer pas në kohë. Kështu vizitorët mund të jenë dëshmitarë të artit të lashtë të performancës, që ishte i përbërë nga muzika dhe valle të epokës.

Aplikacione të veçanta e argëtuese

Në Muzeun e Pallatit mund të gjenden gjithashtu edhe disa aplikacione të veçanta dhe argëtuese. Aplikacionet e veshjeve të perandorit të dinastisë Qing i mundësojnë publikut që të bëjë dallimet midis veshjeve të vërteta perandorake të dinastisë Qing (1644-1911 e.s) dhe atyre që shumë kinezë i kanë parë të veshura nga aktorë në dramat televizive shumë të njohura në Kinë, ku shfaqen skena nga ajo periudhë e historisë.

Përdoruesit marrin informacione mbi funksionet dhe proceset gjyqësore të gjykatave të dinastisë Qing dhe përshkrime mbi veshjet e veçanta të veshura nga familjet perandorake, gjyqtarët dhe personeli i gjykatës.

Një tjetër aplikacion ofron një hartë digjitale dhe informacione për rreth 1 200 ndërtesa të Qytetit të Ndaluar dhe 9 371 dhomat e tij. Aktualisht, muzeu ka mbi 1 milion artikuj dhe vepra arti, por kurrë nuk shfaqen më shumë se 1 për qind e tyre në një kohë të caktuar, ndërsa vetëm një e treta e ndërtesave janë të hapura për publikun e gjerë.

Ture të Realitetit Virtual "3D"

Përdoruesit e aplikacioneve mund të informohen mbi çdo pjesë dhe sektor të ekspozuar në Muzeun e Pallatit. Ndërkohë, vizitorët inkurajohen të vizitojnë vendin fizikisht, ku ata mund të shkojnë drejtpërdrejt në "Sallën e Harmonisë Supreme" (Dhoma e Tre Thesareve të Rralla).

Vizitorët mund të përdorin një pajisje VR (realiteti virtual) dhe mund të bëjnë një tur realiteti virtual. Ata mund të shikojnë imazhe me rezolucion të lartë dhe të dëgjojnë transmetimet audio.

Për më shumë argëtim, "Salla e Harmonisë Supreme" ka vënë në dispozicion imazhe tredimensionale (3D), të cilat i bëjnë reliktet dhe veprat e artit të duken sa më të gjalla. Gjigandi kompjuterik "IBM" në vitin 2008 ra dakord për të investuar në një projekt të përbashkët me Muzeun e Pallatit, projekt që kapte vlerën e 3 milionë dollarëve amerikanë dhe ishte pikërisht realizimi i këtij projekti specifik.

Kompania "Toppan Printing" me bazë në Japoni, nënshkroi gjithashtu një marrëveshje për ndërtimin e një Qendre Kërkimore për Digjitalizimin e Pasurive Kulturore të Qytetit të Ndaluar, i cili nisi në tetor 2014 me një investim prej 37 milionë juanësh.

Gou Qingqing është një ndër personat që ka vizituar Muzeun e Pallatit duke përdorur këtë aplikacion në internet, turin 3-dimensional.

21-vjeçarja nuk ndodhet fare në Pekin, por këtë udhëtim e ka kryer nga kompjuteri, nga shtëpia e saj në Chongqing.

Ky tur përshkoi virtualisht çdo cep të Pallatit dhe ajo e pa atë dhe gjithçka brenda tij në tërësi. Pavarësisht se dëshira e Gou-t për të vizituar Qytetin e Ndaluar ishte shumë e madhe, ajo u mjaftua me turin virtual të pallatit madhështor perandorak të Pekinit.

"Mu duk sikur isha vërtet brenda Muzeut të Pallatit. Me një të klikuar të mausit unë mund të lëvizja kudo nëpër Pallat, të shëtisja nëpër kopshtet apo mjediset e brendshme të tij", thotë e entuziazmuar Gou.

Gou tregon se është mjaft interesante të shohësh në ekranin e kompjuterit personazhe të familjeve perandorake në 3 dimensione, të cilat, pavarësisht se nëpërmjet internetit, të impresionojnë po aq shumë. Kjo përvojë e 21 vjeçares Gou në Pallatin e Muzeut njihet edhe si turizëm virtual, i cili mund të realizohet fare thjeshtë me anë të kompjuterit apo të telefonit celular dhe po bëhet gjithmonë dhe më i pranishëm në ditët e sotme.

Përfitimet e digjitalizimit të Qytetit të Ndaluar

"Për shumë njerëz, përvoja me Muzeun e Pallatit mund të bëhet gjithmonë dhe më e bukur e të rrisë vlerat e muzeut, pasi përdorimi i aplikacioneve në këtë epokë digjitale mund ta bëjë të mundur diçka të tillë", tha për gazetën "Daily Mail", Yu Zhuang, kreu i Mediave të Reja në Muzeun e Pallatit. "Interneti na ka siguruar më shumë kanale për të zgjeruar ndikimet e muzeut në shumë aspekte të jetës së përditshme të njerëzve".

Yu foli në mënyrë të veçantë për aplikacionin e kalendarit të muzeut, '365 Ditët e Kryeveprave'. Ky aplikacion përmban 1 kryevepër për çdo ditë të vitit. Përdoruesi mund të klikojë për të marrë informacion mbi prejardhjen kulturore të secilës prej kryeveprave që gjenden në të.

Faqja e internetit "Google Arts & Culture" ka rënë dakord të publikojë 100 objekte nga Muzeu i Pallatit, të cilat janë të disponueshme në internet për këdo që dëshiron t'i shohë ato. Dihet fare mirë se "Google Arts & Culture" ka veprat artistike më të famshme nga e gjithë bota.

Vizitorët përfitojnë padiskutim shumë. Pjesa më e madhe e përdoruesve digjital mund të mësojnë më shumë mbi jetën e vërtetë të perandorëve kinezë dhe gjykatat në kohët e tyre. Një tur virtual me emrin "Përtej hapësirës dhe kohës" gjendet tashmë në një format loje kompjuterike.

Vizitë në muze nga distanca të largëta

Në vitin 2008, Drejtori i atëhershëm i Departamentit të Informacionit pranë Muzeut të Pallatit, Hu Chui, njoftoi gjatë një interviste me revistën "PC World" se Qyteti i Ndaluar do të përqafonte teknologjinë më të fundit duke u bërë kështu digjital për të gjithë ata që donin ta vizitonin atë, pavarësisht vendodhjes së tyre.

"Projekti ka disa qëllime, kryesisht do të lejojë njerëzit, që nuk mund të vizitojnë Pekin, për të parë Qytetin e Ndaluar sikur të ishin vetë aty dhe për ata që do të vizitojnë fizikisht ambientet e muzut, do të jetë e mundur që të mësojnë më shumë rreth tij", tha ai.

Personeli ishte krenar për trashëgiminë e pasur kulturore të Muzeut të Pallatit dhe u përpoq ta sillte atë sa më pranë pjesës tjetër të botës.

Shumë aplikacione inkurajojnë përdoruesit të ndajnë përvojat e tyre me të tjerët duke u kërkuar atyre që të shkarkojnë në to artikuj dhe fotografi që do të mbeten të rëndësishme në historinë e muzeut dhe do ta sjellin, më afër se kurrë ditëve të sotme, kulturën e lashtë kineze.

Muzeu është më shumë se sa një muze dhe që kur ai u bë digjital, hapi dyert e tij me mbarë botën.

Mrekulli