Zhvillimet e Kinës: Vëmendje ndaj "të mësuarit me metoda digjitale" në shkollat rurale

2018-06-25 14:54:30 CRI Komenti juaj Printoni

Hendeku i pabarazisë në të ardhurat midis qyteteve të Kinës dhe komuniteteve rurale mbetet ende i madh dhe mund të çojë në një ngadalësim të ritmeve afatgjata të rritjes ekonomike.

Kina ka parë një zhvillim dhe urbanizim të shpejtë gjatë dekadave të fundit, por Pekini nuk mund të injorojë rajonet bujqësore të vendit, pasi fermerët janë ata që rrisin të korrat dhe bagëtitë për të ushqyer kombin.

Ndërkohë, qindra miliona punëtorë emigrantë kinezë kanë shkuar në qytete për të gjetur punë më të mira, duke shkaktuar kushte të rënda të mbipopullimit. Prandaj, është më se e nevojshme që shumë prej tyre të kthehen në vendlindje për të qenë pranë familjeve e për t'u kujdesur për fëmijët.

Zgjidhja më e mirë është që qeveria të mos u japë subvencione të mëdha fshatrave e fermave vendore, pasi ato mund të keqpërdoren, por ajo duhet të mendojë për një strategji më të mirë, siç është në këtë rast përmirësimi i shkollave të zonave rurale dhe ofrimi i një sërë programesh të "të mësuarit digjital", që boshllëku ekzistues të mbushet disi.

Të mos ketë më "ndarje digjitale"

Për të siguruar një të ardhme më të mirë për fermerët, qeveria duhet të ofrojë burime arsimore më cilësore dhe më të qëndrueshme për gjeneratën e të rinjve të zonave rurale.

Në Shangai, studentët po dalin me rezultate të larta në provime dhe kanë një nivel shumë më të lartë në shkenca krahasuar me studentët nga vendet e tjera anembanë botës.

Por, nga ana tjetër, studentët e zonave rurale vazhdojnë të mbeten prapa, për shkak të infrastrukturës së dobët arsimore, mungesës së mësuesve të kualifikuar dhe qasjes aspak të mirë me materialet më të zhvilluara arsimore të kohëve të fundit.

Pekini ka bërë përpara në trajtimin e sfidave me të cilat ballafaqohet sistemi arsimor në fshat.

Ministria e Arsimit e Kinës premtoi se do të shpenzonte rreth 500 milionë juanë, ose 74 miliardë dollarë ameriakne, nga viti 2016 deri në vitin 2020 për të ndërtuar më shumë shkolla dhe për të trajnuar mësuesit në zonat rurale.

Në vitin 2014, Pekini njoftoi një fushatë me sloganin "U kthyen në digjitalë" për të siguruar qasje në pajisjet dhe burimet digjitale të mësimdhënies për 63 500 shkolla të vogla të rajoneve të largëta dhe malore të Kinës Jugperëndimore.

Trajnimi i mësuesve

Pekini ka motivet e duhura për të instaluar marrës satelitorë digjitalë, kompjutera, televizorë me ekran të sheshtë dhe "dërrasa të zeza" elektronike në shkollat ​​rurale, por lidhur me këtë ka një shqetësim që s'mund të anashkalohet lehtë.

Shumica e shkollave fillore të fshatit kanë vetëm një mësues, i cili është përgjegjës për të gjitha lëndët. Ata kanë jetuar për shumë kohë të izoluar nga pjesa tjetër e Kinës dhe shumë prej tyre nuk kanë aspak njohuri për sa i përket përdorimit të pajisjeve digjitale. Nxënësve u janë ofruar pajisje digjitale vetëm në rast se mësuesi ka ditur sesi t'i përdorë ato.

Universiteti Normal i Shaanxi-së (SNU), një shkollë e lartë mësuesie në Kinën Perëndimore, nisi një projekt për mësimin në distancë në internet në vitin 2003. Ky program ofron kurse në internet për trajnimin e mësuesve dhe pas përfundimit të tij, mësuesit pajisen me certifikata profesionele.

Shkolla e Edukimit në Distancë pranë SNU-së ka zhvilluar mbi 400 kurse në 18 tema të ndryshme, të lidhura me një uebsajt që shërben si shpërndarës i burimeve dhe grup bashkëbisedimi në internet.

Në këtë mënyrë, mësuesit e zonave rurale njihen më shumë me pajisjet digjitale për përdorimin e tyre gjatë mësimdhënies në klasa.

Përveç kësaj, qeveria, kompanitë private dhe organizatat bamirëse janë bashkuar për të sjellë sa më shumë shpresë për komunitetet rurale.

Shkollat "Shpresë"

Kompania koreanojugore "Samsung" ka hapur një degë në Kinë, e cili ka sjellë fitime të mëdha nga shitja e pajisjeve të kësaj kompanie në vend. Për të kthyer "nderin", dega e "Samsung"-ut në Kinë është angazhuar në nisma edukative bamirëse për shkollat ​​rurale.

"Samsung"-u i Kinës ka bashkëpunuar me Fondin e Zhvillimit Rinor të Kinës që nga viti 2004. Gjiganti elektronik ka dhuruar mbi 200 milionë juanë për ndërtimin e 150 shkollave fillore "Shpresë" (Hope) në 28 provinca kineze.

81 shkollat ​​'Shpresë' janë pajisur me pajisje elektronike dhe kompjutera dhe gjithashtu janë lidhur me internet (WiFi).

"Dega e 'Samsung'-ut e Kinës do të luajë rol të plotë në teknologjinë tonë të informacionit (IT) dhe në produktet e teknologjisë së lartë, si dhe në avantazhet tona në burimet e brendshme, me qëllim përmirësimin e cilësisë arsimore në ato zona rurale", tha Yun Seong-he, zv.drejtor i burimeve njerëzore të "Samsung"-ut për Kinën.

"Studentët atje do të kenë të drejta të barabarta me studentët e qyteteve të mëdha", shtoi Yun-i. "Ata do të mësojnë më shumë mbi botën dhe do t'i bëjnë ëndrrat e tyre realitet", përfundoi ai.

Të mësuarit me kompjuter

Hulumtuesit pranë Universitetit të Stanfordit në Palo Alto të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara, kanë parë në mënyrë të drejtpërdrejtë se si të mësuarit me ndihmën e kompjuterit mund të përmirësojë rezultatet e nxënësve të zonave rurale.

Në qershor të 2011-s, uebsajti "Futurity" paraqiti studimin e Scott Rozell-it, një ekonomist i Stanfordit, mbi fëmijët emigrantë që ndiqnin shkollën "Chunlei", një institucion privat në rrethinat e Pekinit.

"Pyeti ata nëse duan të shkojnë në shkollë të mesme dhe në kolegj dhe të gjithë do të përgjigjen: 'Po'," tha Rozell-i. "Por ata nuk mund të shkojnë atje pa shumë ndihmë", shtoi ai.

Universiteti i Stanfordit, në koordinim me Projektin e Veprimit të Arsimit Rural (REAP), pajisi nxënësit e shkollës "Chunlei" me kompjutera dhe vendosi disa asistentë që u treguan atyre se si t'i përdornin pajisjet për të mësuar aftësitë themelore edukative, të arsimit, siç janë thyesat etj.

Pas 13 javëve të të mësuarit intensiv nëpërmjet kompjuterit, të dhënat treguan se nxënësit kishin përmirësuar ndjeshëm rezultatet në matematikë, ndërsa 20 për qind e tyre ishin të etur për të mësuar edhe më shumë.

Drejt një qasjeje të ekuilibruar

Ne të gjithë do të ishim patjetër të të njëjtit mendim që nxënësit e shkollave të zonave rurale meritojnë një qasje më të madhe ndaj pajisjeve digjitale për të mësuar më shumë. Por, mbështetja vetëm në të mësuarit nëpërmjet kompjuterit nuk do të bënte një mrekulli. Nxënësit kanë nevojë për mësues që janë në gjendje t'u mësojnë atyre aftësi të të mësuarit praktik.

"Megjithëse edukimi në internet ka plotësuar disa mangësi, të mësuarit nga kompjuteri është shumë më ndryshe sesa të mësuarit ballë për ballë nga një mësues", tha Chen Guiying, një mësues në një shkollë fillore në fshatin Hexi të qarkut Yongtai në Provincën Fujian.

Chen-i ka të drejtë. Mësuesit, veçanërisht ata që mësojnë fëmijët e vegjël, duhet të jenë të pranishëm në klasë. Mësimi digjital mund të jetë një mjet efektiv, por vetëm nëse një mësues i mirë i tregon atyre rrugën e duhur për të marrë njohuri.

Mrekulli
Lajmet Kryesore