Kina mirëpret vendet anëtare të OKB-së të shfrytëzojnë stacionin e saj hapësinor

2018-06-18 11:44:48 CRI Komenti juaj Printoni

Kina shpalli ditët e fundit se mirëpret të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të zhvillojnë bashkëpunim për përdorimin e stacionit të saj në hapësirën kozmike.

"Përdorimi i stacionit hapësinor kinez nuk është i kufizuar vetëm te Kina, por është i hapur edhe ndaj botës. Të gjitha vendet anëtare të OKB-së, pavarësisht nga madhësia dhe niveli i zhvillimit, mund të marrin pjesë në këtë bashkëpunim me status të barabartë", tha z. Shi Zhongjun, ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Kinës në OKB dhe organizatat të tjera ndërkombëtare në Vjenë.

Stacioni hapësinor i Kinës do të lëshohet vitin tjetër dhe do të fillojë nga funksionimi para vitit 2022. Ai do të jetë stacioni i parë hapësinor në botë që prodhohet nga një vend në zhvillim dhe i vetmi stacion hapësinor i hapur ndaj të gjitha vendeve anëtare të OKB-së. Të gjitha organizatat publike dhe private, duke përfshirë institute, akademi, universitete dhe sipërmarrje private të orientuara nga kërkimet shkencore mund të aplikojnë për projekte bashkëpunimi, qoftë për mbjellje të një bime në hapësirën kozmike apo akomodim të një astronauti, tha ambasadori kinez në ceremoninë e publikimit të ftesës nga ana e Kinës për përdorimin e stacionit të saj hapësinor nga vendet anëtare të OKB-së. Ndërkohë, Zyra për Çështjet e Hapësirës së Jashtme e OKB-së (UNOOSA) u shpërndau njoftime vendeve përkatëse për dorëzimin e aplikimeve para fundit të gushtit.

Eksplorimi i hapësirës kozmike nga Kina ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës, që nga lëshimi i satelitit të parë të saj në vitin 1970. Stacioni hapësinor është një hap i rëndësishëm i ecjes së Kinës në këtë drejtim.

Në vitin 1992 Kina hartoi një strategji prej tre hapash mbi projektin e fluturimeve kozmike me astronautë: lëshimi i anijeve kozmike me astronautë për zhvillimin e eksperimenteve; lidhja e laboratorit kozmik me anijet kozmike për krijimin e një mjedisi të favorshëm për qëndrimin e shkurtër të astronautëve dhe ndërtimi i stacionit hapësinor për qëndrimin afatgjatë të astronautëve në hapësirë.

Me një modul ku do të jetojnë dhe punojnë astronautët dhe dy të tjera për eksperimente, stacioni hapësinor i Kinës do të jetë në gjendje të akomodojë tre astronautë në të njëjtën kohë dhe gjashtë në përgjithësi gjatë periudhës së ndërrimit. Me një orbitë rreth 400 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, stacioni mund të përdoret për kërkime në fusha të shumta, si shkencat e jetës, bioteknologji, mikrogravitet, shkencat e tokës dhe teknologjia hapësinore.

Trupi kryesor përbërës i stacionit hapësinor i Kinës quhet "Tianhe", që në gjuhën kineze do të thotë "Harmonia e qiellit" që pasqyron dëshirën e Kinës për paqe dhe nxitjen e besimit të ndërsjellë në mbarë botën.

Në fakt, ky është një angazhim që Kina e ka mbajtur që nga fluturimi i parë i saj me astronaut. Në vitin 2003, Yang Liwei, astronauti i parë kinez në hapësirën ​​kozmike, shpalosi para mbarë botës një flamur të OKB-së, gjë që mund të vlerësohet si një vërtetim i këtij qëndrimi të palës kineze.

"Nëpërmjet stacionit hapësinor, ne dëshirojmë të krijojmë një model bashkëpunimi për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapësirës kozmike me përfitime të përbashkëta. Nën drejtimin e konceptit për një të ardhme të përbashkët të të gjithë njerëzimit, stacioni hapësinor i Kinës do të bëhet një shtëpi e hapur me paqe dhe dashamirësi," tha ambasadori Shi.

Por një gjë mjaft ironike është se Kina ka qenë e izoluar plotësisht për sa u përket projekteve të bashkëpunimit mbi stacionet hapësinore të vendeve të zhvilluara.

Në fazën e parë të ndërtimit të stacionit hapësinor në vitin 1994, Kina dorëzoi aplikim për pjesëmarrje, që nuk u pranua nga pala amerikane, me pretekstin që "Kina do ta përdorë stacionin hapësinor për qëllime ushtarake". Kështu që Kina u detyrua të ndërtojë stacionin e vet hapësinor. Me përparimin e pandërprerë të Kinës, ShBA-ja nxori në vitin 1999 ligjin që ndalonte lëshimin e satelitëve amerikanë me raketa kineze dhe që nga viti 2011, pasi Kina ndërtoi me sukses laboratorin kozmik, ShBA-ja ndaloi çdo formë kontakti me palën kineze në fushën e astronautikës.

Ndërsa, për propozimin bujar që sapo bëri pala kineze, shumë të pranishëm në ceremoninë e publikimit të deklaratës, sidomos përfaqësues të vendeve në zhvillim, shprehën interes të madh. Znj. Priyani Wijesekera, ambasadore e Sri-Lankës në OKB në Vjenë, u shpreh se stacioni hapësinor i Kinës do të favorizojë shumë vende në zhvillim si vendi i saj të cilave u mungojnë financimet dhe teknologjia për kryerjen e studimeve lidhur me hapësirën ​​kozmike.

Edhe znj. Simonetta di Pippo, drejtore e Zyrës së OKB-së për Çështjet e Hapësirës së Jashtme, e mirëpriti nismën e Kinës. "Para sfidave tona të përbashkëta globale, është e rëndësishme të forcojmë bashkëpunimin në fushën e shfrytëzimit të hapësirës kozmike", tha Di Pippo. Sipas saj, gjithë njerëzimi mund të përfitojë nga përparimet teknologjike në fushën e hapësirës kozmike, që do të jenë dhe faktorë për garantimin e zhvillimit të vazhdueshëm ekonomiko-shoqëror.

"Duke punuar së bashku, qielli nuk do të jetë më kufiri për ne", u shpreh znj. Di Pippo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore