2018-06-18 10:37:01 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Asgjë nuk mund të jetë më e dhimbshme për një familje sesa kur humb fëmijët e saj. Në fillim ata e mohojnë këtë fakt, duke menduar se të dashurit e tyre kanë humbur përkohësisht dhe presin me shpresën se do t'i gjejnë ata së shpejti. Por, sa më shumë kohë kalon, prindërit fillojnë të panikohen, duke mos ditur se çfarë po ndodh me fëmijët e tyre.
Ata e kuptojnë se nuk bëhet më fjalë për një shaka dhe vërtet fillojnë të mendojnë se fëmija e tyre nuk është duke u fshehur diku, se nuk po bën lojën e prapësisë së radhës. Sa më shumë kohë kalon në pritje, aq më pak gjasa ka që fëmija të mund të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë.
Në momente të tilla, çdo sekondë ka rëndësinë e vet. Familjarët e fëmijëve të humbur ose duhet të veprojnë menjëherë, ose rrezikojnë t'i humbasin ata përgjithmonë. Ata duhet patjetër të lajmërojnë njerëzit përreth tyre për çfarë ka ndodhur, ose duhet të bëjnë thirrje publike për ndihmë. Nëse fëmija është rrëmbyer nga një i huaj i panjohur, atëherë duhet bërë shumë më tepër sesa vetëm një kërkim i thjeshtë apo disa telefonata njerëzve të afërm.
"Alarmi Amber" për Kinën
Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet ligjzbatuese bashkëpunojnë me publikun për të nxjerrë njoftimet përkatëse në raste fëmijësh të zhdukur, të cilat njihen si "Alarmet Amber".
Kur policia vendore shpall zyrtarisht humbjen e një fëmije, ata menjëherë nisin punën për gjetjen e fëmijës duke ndjekur një sërë hapash. Ata paralajmërojnë oficerët e tjerë të policisë dhe mediat vendase, duke bërë publike identitetin e fëmijës dhe inkurajojnë njëkohësisht njerëzit e tjerë që të jenë vigjilentë e të vihen në kërkim të tij brenda mundësive të tyre, një lloj procesi që në terminologjinë policore quhet BOLO (të vihesh në vëzhgim).
Prandaj, Ministria e Sigurisë Publike e Kinës ka nisur të bëjë paralajmërime të ngjashme, por me një përmirësim të teknologjisë së lartë. Sistemi i reagimit emergjent, i quajtur zakonisht "Ribashkimi", është një aplikacion që instalohet në celularin e kujtdo dhe përdoret për t'i dërguar mesazhe publikut në rast nevoje.
Aplikacioni i quajtur "Ribashkimi" bën të mundur ndarjen më efikase të informacionit publik dhe mundëson një bashkëpunim më të mirë midis zyrtarëve ligjzbatues. Qytetarët, të cilët hapin një profil në këtë aplikacion, marrin njoftime që mundësojnë identifikimin dhe përshkrimin e një fëmijë të humbur.
Sistemi "Ribashkimi" nisi për herë të parë në maj të vitit 2016 dhe që prej 22 majit 2017, një vit pas hedhjes së tij në treg, ai ka rezultuar i suksesshëm në gjetjen e mbi 1 274 fëmijëve të humbur.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në identifikimin e fytyrës
Mbi 20 000 fëmijë raportohen të rrëmbyer në Kinë çdo vit. Disa ekspertë pretendojnë se shifrat e vërteta mund të jenë edhe më të larta, pasi disa familje ngurrojnë të hapen për krimet e kryera kundër fëmijëve të tyre.
Por kohët e fundit, një sërë zbulimesh të reja teknologjike po ndihmojnë familjet në nevojë që të gjejnë të afërmit e tyre të humbur. "Baidu" dhe kompani të tjera kineze kanë bërë zbulime të reja, duke ofruar infrastrukturë të epokës digjitale që lehtëson veprimtarinë novative. Në këtë rast, "Baidu" ka nxjerrë në treg teknologjinë e re të Inteligjencës Artificiale (IA) të identifikimit të fytyrës, që ka luajtur një rol të rëndësishëm për gjetjen e fëmijëve të humbur, duke i ndihmuar ata të ribashkohen me familjet e tyre.
Duke filluar që nga marsi i vitit 2017, "Baidu" ka nxitur përdorimin e një uebsajti të quajtur "Kthehu në Shtëpi" (Baby Come Home), në të cilën shkarkohet një bazë të dhënash mbarëkombëtare të fotografive të fëmijëve të humbur.
Fëmijët e humbur paraqesin fotot e tyre, të cilat skanohen dhe analizohen për t'u krahasuar më pas me fotot e dërguara nga prindërit e fëmijëve të zhdukur. Sistemi i identifikimit të fytyrës mund të kufizojë kërkimin në një rreth më të ngushtë të përbërë prej pothuajse 30 familjesh dhe pastaj, përmes komunikimeve të mëtejshme, familjarët mund të ribashkohen nëse të dhënat e e paraqitura përputhen me njëra-tjetrën.
Fu Gu, 33-vjeçar nga Chongqing-u, është një histori e vërtetë suksesi. Ai u rrëmbye në moshën 6-vjeçare dhe prindërit nuk mësuan më asgjë se ç'bëhej me të. Pas shumë kohësh djali i rritur tashmë shkarkoi foton e tij në uebsajtin "Kthehu në Shtepi". Fotografitë e bëra në kohë të ndryshme u përputhën me njëra-tjetrën dhe pas konfirmimit nga testi i ADN-së, ai dhe prindërit e tij biologjikë u ritakuan pas shumë vjetësh.
Sistemi i mbështetjes për familjet
Është e trishtë kur mendon se çfarë ndodh me fëmijët e humbur dhe familjet e tyre. Në Kinë, rrëmbimi i fëmijëve është bërë një problem shoqëror dhe frika më e madhe është se numri i rrëmbimeve mund të rritet, pasi një numër bandash kriminale që përfshihen në krime të tilla ose i detyrojnë familjarët të paguajnë shuma të caktuara parash, ose i shesin fëmijët e rrëmbyer në familje të tjera.
Thuhet se të ashtuquajturat "banda të motorëve" bëjnë disa veprime karakteristike për të rrëmbyer fëmijët. Ata futen në zona publike e parqe të populluara ku luajnë shumë fëmijë. Pasi i piketojnë fëmijët, ata i kapin dhe i rrëmbejnë brenda fare pak minutave. Më pas i transportojnë fëmijët në makina, me të cilat ata dërgohen në një qytet tjetër kinez për t'u shitur.
Pjesëtarët e disa bandave të tilla të arrestuar nga policia, kanë njoftuar zyrtarët se një fëmijë shitet në një familje tjetër për rreth 50 000 dollarë amerikane, ose 300 000 - 350 000 juanë.
Trafikantët e fëmijëve preferojnë të rrëmbejnë djem, pasi kultura kineze i favorizon familjet që rrisin djem më shumë se familjet që rrisin vajza. Prandaj, autoritetet kanë nevojë për më shumë ndihmë për të mbështetur familjet që janë në kërkim të fëmijëve të rrëmbyer.
Për fat të mirë, kompanitë kineze të mediave shoqërore, si "Tencent" dhe kompanitë e tjera të teknologjisë së lartë, përfshirë gjigantin e internetit "Alibaba", janë bashkuar për të ofruar teknologji dhe novacione që kanë përmirësuar sistemin e alarmit "Ribashkimi".
Më shumë shpresë me teknologji më efektive
Shqetësimi i çdo prindi për fëmijën e vet të humbur kthehet në një makth të vërtetë gjatë gjithë procesit të kërkimit të tij. Ata e nisin çdo ditë duke pyetur veten nëse fëmija i tyre është ende gjallë apo jo. Ata ndiejnë se ka ende shumë për të bërë, derisa të munden ta kthejnë fëmijën e tyre në shtëpi, ose në rastin më të keq, të gjejnë trupin e pajetë.
Megjithëse sistemi "Ribashkimi" ka identifikuar me sukses 1 274 fëmijë të humbur në një periudhë prej 12 muajsh, u zbulua gjithashtu se 75 prej fëmijëve të humbur ishin mbytur, ndërsa 29 të tjerë ishin vrarë.
Dhimbja e prindërve të atyre 104 fëmijëve të pajetë është e paimagjinueshme, por të paktën familjet mësuan të vërtetën e hidhur dhe ndaluan kërkimet.
Nga ana tjetër, përmirësimet e bëra në fushën e teknologjisë po u japin përgjigje familjeve të fëmijëve të zhdukur. Në shumë raste, përgjigjet përfundimtare të kërkimeve të tyre janë pozitive, duke bërë të mundur gjetjen e fëmijëve të humbur dhe rikthimin e tyre në shtëpi pranë familjarve të tyre, ku mund të ndiejnë siguri dhe dashuri.