OBSh, "Fryma e Shangait" për një bashkësi të së ardhmes së përbashkët

2018-06-11 16:04:03 xinhua Komenti juaj Printoni

Nga 9 deri më 10 qershor, liderët e vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait u mblodhën në qytetin bregdetar të Kinës Lindore, Qingdao, ku diskutuan mbi forcimin e mbëshetjes politike, sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe zgjerimin e shkëmbimeve njerëzore.

E krijuar gati 17 vjet më parë për zgjidhjen e problemeve të sigurisë rajonale, OBSh-ja është bërë një organizatë me ndikim global me tetë vende anëtare, që janë Kina, Kazakistani, Kirgizistani, Rusia, Taxhikistani, Uzbekistani, India dhe Pakistani.

India dhe Pakistani fituan statusin e vendit anëtar me të drejta të plota vjet, në samitin e zhvilluar në Astanë të Kazakistanit. Tani OBSh-ja me tetë vende anëtare, katër vende vëzhguese dhe gjashtë vende partnere të dialogut, zë mbi 60 % të sipërfaqes së Euroazisë, gati 50% të popullsisë botërore e mbi 20% të prodhimit të brendshëm bruto global.

Në botën e tanishme, ku ndodhin pandërprerë ndryshime të ndërlikuara dhe po rritet vazhdimisht paqëndrueshmëria, OBSh-ja ngul këmbë në parimin e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, të quajtur "Fryma e Shangait".

"Fryma e Shangait" ka si elemente besimin, përfitimet e ndërsjella, barazinë, konsultimet, respektin për larminë kulturore dhe synimin për zhvillim të përbashkët.

Në një takim me kryediplomatët e vendeve anëtare të OBSh-së në fund të prillit të sivjetshëm, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për të mbështur këtë frymë, duke shfrytëzuar mundësitë e zhvillimit nëpërmjet bashkëpunimit të gjithanshëm. Në këtë takim gjithashtu ministri i Jashtëm kinez Wang Yi e quajti "Frymën e Shangait" si "arsyen thelbësore pse OBSh-ja mund të zgjerohet".

Megjithëse përmbajtja e bashkëpunimit brenda kornizës së OBSh-së është pasuruar me nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shtimin e kontakteve njerëzore ndërmjet vendeve anëtare, siguria rajonale dhe rritja e bashkëpunimit në mbrojtje mbeten gjithmonë misionet më të rëndësishme të organizatës.

Që nga krijimi i OBSh-së, ruajtja e sigurisë dhe e stabilitetit rajonal janë përcaktuar si çështje me përparësi. Para kërcënimeve të sigurisë nga terrorizmi, ekstremizmi, separatizmi, trafiku i drogës dhe krimi i organizuar, Xi Jinping u shpreh në një takim të zhvilluar në fund të majit me zyrtarë të sigurisë të vendeve anëtare të OBSh-së se duhet të "mbetemi vigjilentë, të mendojmë me maturi, të gjykojmë saktësisht dhe të reagojmë në mënyrë të përshtatshme".

Në një intervistë ekskluzive për agjencinë "Xinhua" në fund të majit, kreu i Komitetit të Strukturës kundër Terrorizmit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Evgeny Sysoev tha se gjatë viteve 2013-2017, vendet anëtare të OBSh-së zhvilluan bashkëpunim lidhur me mbi 600 raste të krimit të organizuar, duke shkatërruar më shumë se 500 baza të trajnimit të militantëve, duke arrestuar 2000 anëtarë të organizatave terroriste, duke konfiskuar 1000 pajisje shpërthyese dhe mbi 50 tonë material shpërthyes, si edhe mbi 10 mijë armë dhe afro 1 milion fishekë. Sipas tij, vendet anëtare të OBSh-së në vitet 2016 dhe 2017 kanë mbyllur edhe mbi 100 mijë uebajte ku promovoheshin me shkrime dhe fotografi idetë terroriste dhe ekstremiste.

Tani, një ndër punët më të ngutshme për OBSh-në është vazhdimi i luftës kundër militantëve të IS-it nga disa prej vendeve të kësaj organizate, të cilët, pas dështimit në luftërat në Siri dhe Irak, janë kthyer në atdhe.

Përveç bashkëpunimit në fushën e sigurisë, OBSh-ja tani ka vendosur të nxisë edhe bashkëpunimin ekonomik për të realizuar lulëzimin e përbashkët, një konsensus i arritur prej kohësh nga të gjitha vendet anëtare.

Lidhur me këtë, nisma "Një brez, një rrugë" që propozon ndërlidhshmërinë e tregtinë ndërkombëtare, ka shërbyer si një platformë e rëndësishme.

Forcimi i bashkëpunimit brenda kornizës së OBSh-së rreth zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë" ka një domethënie të posaçme për vendet anëtare të kësaj organizate, sepse ato të gjitha gjenden në kontinentin euroaziatik dhe luajnë rol të rëndësishëm në konkretizimin e këtij propozimi të palës kineze.

Mund të marrim Parkun Industrial Kinë-Bjellorusi si një shembull. Parku është projekti me investime më të mëdha të huaja në Bjellorusi, një vend vëzhgues i OBSh-së. Ai është gjithashtu edhe një projekt shumë i rëndësishëm bashkëpunimi midis dy vendeve brenda nismës "Një brez, një rrugë".

Bjellorusia si një nyjë që lidh Bashkimin Doganor Euroaziatik dhe Bashkimin Europian, e konsideron këtë park industrial si një projekt strategjik që ndihmon të ardhmen ekonomike të vendit si një urë që lidh dy tregje të mëdha.

34 kompani të vendosura në këtë park janë nga tetë vende - Kina, Bjellorusia, Rusia, ShBA-ja, Gjermania, Austria, Lituania e Izraeli, duke e bërë atë një qendër të biznesit ndërkombëtar. Ky park industrial po planifikon të bashkëpunojë me kompaninë gjermane "Duisburger Hafen AG" që operon portin e Duisburgut, për të ndërtuar një hekurudhë që lidh këtë park me linjat hekurudhore kineze që shkojnë drejt tregjeve të Europës Qendrore e Perëndimore.

Mrekulli