Kina kundërshton kritikat për investimet e saj në Afrikë

2018-06-04 14:48:12 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, znj. Liu Qinghai, studiuese e ftuar në Universitetin "Johns Hopkins" për çështjet e ekonomisë afrikane, duke iu referuar të dhënave statistikore të palës amerikane, vuri në dukje se investimet dhe kreditë e Kinës për Afrikën janë para së gjithash për ndërtimin infrastrukuror dhe jo për shfrytëzimin e mineraleve siç hamendësohet nga disa vende. Sipas saj, janë të padrejta akuzat se Kina grabit burimet natyrore nëpërmjet investimeve dhe varfëron vendet afrikane me kredi bankare. Për hollësi, le të ndjekim reportazhin nga CRI-ja.

Ditët e fundit, Liu Qinghai, studiuese në Institutin e Ekonomisë Afrikane të Kolegjit Pedagogjik të Zhejiang-ut(provincë e Kinës Lindore), që ndodhet e ftuar për një program studimor në Universitetin "Johns Hopkins", botoi një artikull në gazetën më të madhe kineze "Renminribao". Në artikullin e saj, znj. Liu thotë se vitet e fundit, krahas shpejtimit të zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë", po shtohen zërat që e shtrembërojnë, sulmojnë dhe keqinterpretojnë këtë nismë të Kinës, për shembull, duke e quajtur Kinën "një grabitëse të burimeve natyrore" ose "huadhënëse që rëndon borxhet e vendeve afrikane". Por, sipas studiueses, të dhënat statistikore të publikuara nga disa institucione kërkimore amerikane, duke përfshirë Shkollën e Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare të Universitetit "Johns Hopkins", vërtetojnë me fakte të pamohueshme se investimet dhe kreditë që Kina u ka dhënë vendeve afrikane përqendrohen te ndërtimi infrastrukturor për nxitjen e zhvillimit vendor, jo te burimet natyrore. Znj. Liu Qinghai i quan këto akuza "të pambështetura në fakte dhe në shifra".

Lidhur me këtë, studiuesja e ekonomisë afrikane paraqet katër arsye, me shumë të dhëna të hollësishme të bazuara mbi studimet e institucioneve studimore amerikane: "Së pari, për sa u përket investimeve të drejtpërdrejta të Kinës, shumica e tyre realizohen në sektorin e ndërtimit e jo të minierave. Së dyti, pjesa kryesore e kredive për të cilat ka më shumë kritika, shkojnë për zhvillimin infrastrukturor, jo te minierat. Së treti, mjaft nga vendet që marrin më shumë kredi, nuk kanë burime të pasura natyrore. Për shembull, pesë vende afrikane që kanë marrë më shumë kredi nga Banka e Import-Eksportit e Kinës në vitin 2015, ishin Kenia, Uganda, Senegali, Etiopai dhe Xhibuti, të cilat nuk kanë epërsi të dukshme për sa u përket burimeve natyrore në kontinentin afrikan. Së katërti, Kina, gjatë shkëmbimeve me vendet afrikane, ka bërë shumë punë për trajnimin dhe kualifikimin e talenteve afrikane. Nga këto katër aspekte, mund të mësojmë se Kina nuk grabit burimet e Afrikës, por u kushton më shumë vëmendje përparimit infrastrukturor dhe ngritjes së nivelit profesional të burimeve njerëzore, gjë që ka rëndësi kyçe për zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë afrikane nëpërmjet plotësimit të pikave të dobëta të saj."

Për strukturën përbërëse të sektorëve të ekonomisë së Afrikës që thithin investime të drejtpërdrejta kineze, Liu Qinghai, duke iu referuar të dhënave të "Raportit statistikor të investimeve të drejtpërdrejta jashtë vendit të Kinës 2016", vuri në dukje se deri në fund të vitit 2016, vëllimi i përgjithshëm i investimeve kineze në Afrikë i kaloi 39.9 miliardë dollarët amerikanë. Pesë sektorët që kanë tërhequr më shumë investime kineze janë ndërtimi, minierat, manifaktura, financat dhe shkenca e teknologjia, me një përqindje përkatësisht 28.3%, 26.1%, 12.8%, 11.4% dhe 4.8%.

Për të bërë krahasim, znj. Liu iu referua edhe të dhënave statistikore të publikuara nga Zyra e Analizës Ekonomike pranë Departamentit amerikan të Tregtisë, sipas të cilave, deri në fund të vitit 2015, minierat, blerjet e aksioneve mbizotëruese (të kompanive jobankare) dhe manifaktura zënë përkatësisht 66%, 14% dhe 7% të investimeve të drejtpërdrejta të ShBA-së në Afrikë. Nga një gjë e tillë mund të shihet se sektori minerar zë një vend të dukshëm në investimet e drejtpërdrejta amerikane në Afrikë. "Prandaj, pala amerikane, e cila ka zell të madh për ta kritikuar Kinën, zbaton kritere të dyfishta", thotë Liu Qinghai.

Duke folur për kreditë që Kina u ofron vendeve afrikane, ajo vuri në dukje se, megjithëse vitet e fundit është rritur sasia e këtyre kredive, ato zënë një pjesë shumë të vogël në borxhet e përgjithshme të këtyre vendeve. Të dhënat e publikuara nga Banka Botërore tregojnë se deri në fund të vitit 2016, vëllimi i përgjithshëm i borxhit të vendeve afrikane arriti në 6.01 trilionë dollarë amerikanë, kurse kreditë kineze nga viti 2000 deri në vitin 2016 kapnin vlerën 114 miliardë dollarë amerikanë, duke zërë vetëm 1.8 % të borxhit të huaj të vendeve afrikane. Banka Botërore, bankat komerciale dhe kompanitë private janë burimet kryesore nga të cilat vendet afrikane marrin kredi.

Gjithashtu, katër sektorët më të mëdhenj që kanë shfrytëzuar më shumë kredi kineze nga viti 2000 deri në 2014-n ishin transporti (28 %), energjetika (20 %), minierat (10 %) dhe telekomunikacioni (8 %). Në vitin 2015, industria minerare afrikane nuk mori asnjë kredi kineze, ndërkohë që energjetika dhe minierat janë dy industritë afrikane që kanë qenë më të parapëlqyerat nga huadhënësit amerikanë. Këta dy sektorë zënë 71% të kredive amerikane, dhe transporti që vjen pas tyre, zë vetëm 17 %.

Në reagimin ndaj akuzave që kreditë kineze kanë rënduar borxhet e Afrikës, znj. Liu tha se financimet kineze mund të luajnë një rol pozitiv në lehtësimin e borxheve dhe jo e kundërta. Sipas saj, niveli i borxhit të një vendi llogaritet mbi bazën e përqindjes që zë ai në GDP-në e atij vendi: "Kreditë dhe investimet jo të drejtpërdrejta kineze në Afrikë janë të përqendruara në sektorë si ndërtimi dhe infrastruktura. Kreditë kineze janë me një normë më të ulët interesi se ato të vendeve perëndimore ose të organizatave ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kompanitë kineze të ndërtimit kanë teknologji të përparuar dhe përvoja menaxhimi, që mund të shkurtojnë kohën e punimeve, gjë që kursen shpenzimet e vendeve afrikane për ndërtimin e infrastrukturës. Jo vetëm kaq, por përmirësimi infrastrukturor ndihmon zhvillimin e industrisë dhe të tregtisë vendore. Po ashtu, kreditë kineze që lidhen ngushtë me ndërtimin e parqeve industriale, mund të nxitin rritjen e GDP-së së vendeve afrikane. Të gjitha këto, në fakt, shërbejnë për pakësimin e vëllimit të përgjithshëm të borxhit të huaj të Afrikës."

Përveç këtyre, pasi themelimit të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë në vitin 2000, janë shtuar projektet e kualifikimit të talenteve midis Kinës dhe Afrikës. Nga viti 2003 deri në vitin 2016, numri i studentëve afrikanë në Kinë është shtuar 30 herë. Deri në fund të vitit 2014, Kina zinte vendin e dytë në botë për pranimin e studentëve afrikanë, vetëm pas Francës.

Znj. Liu Qinghai tha se shifrat janë më të fuqishme se fjalët. Të dhënat nga shumë institucione amerikane tregojnë se investimet dhe kreditë kineze nuk synojnë "grabitjen" e minierave në Afrikë, por përmirësimin e infrastrukturave dhe të burimeve njerëzore, në mënyrë që vendet afrikane të zotërojnë aftësinë për realizimin e zhvillimit me forcat e veta.

Mrekulli
Lajmet Kryesore