Kina kujdeset: Interneti, një mënyrë për të mbështetur organizatat bamirëse

2018-05-28 20:36:28 xinhua Komenti juaj Printoni

Nuk ka qenë kurrë më e lehtë sesa tani për kinezët që të japin para për një kauzë të denjë. Duke bërë pagesa me celular, nëpërmjet platformave "Alipay" dhe "Apple Pay", si dhe rrjetit shoqëror kinez "WeChat", ata mund t'i dërgojnë para ndonjë organizate joqeveritare (OJQ), e cila ndihmon personat në nevojë.

Qeveria kineze vuri në zbatim një ligj bamirësie më 1 shtator 2016, i cili lehtëson kufizimet mbi mbledhjen e fondeve dhe fushatat e grupeve bamirëse të regjistruara, ndërkohë që ato duhet t'u nënshtrohen rregullave më të rrepta të transparencës dhe mbikëqyrjes financiare nga ana e qeverisë.

Ministria e Çështjeve Civile (MCA-ja) u ka dhënë miratimin 12 platformave në internet për të promovuar fushatat bamirëse, duke përfshirë platformën "Taobao.com", portalet e faqeve informative "Sina.com" dhe të kompanisë "Tencent", si dhe rrjetin shoqëror më popullor në Kinë, "WeChat".

"Tencent", donatori më i madh në vend

Tre kompanitë më të mëdha të teknologjisë në Kinë, të njohura si "BAT" ("Baidu Inc.", "Alibaba Group" dhe "Tencent Holdings"), janë renditur si kompanitë kryesore në mbledhjen e fondeve nëpërmjet internetit në emër të shumë kauzave bamirëse. Kompania "Tencent" renditet në vendin e parë si donatori më aktiv në vend.

Themeluesi miliarder i kompanisë, njëherësh Drejtor Ekzekutiv i saj, Ma Huateng, premtoi të dhurojë 2 për qind të fitimeve vjetore të kompanisë për bamirësi. Në prill 2016, ai ofroi për bamirësi 100 milionë aksione, me vlerë 2 miliardë dollarë amerikanë. Ai beson se rrjeti shoqëror "WeChat" ka forcën për t'i transformuar bamirësitë në Kinë e për t'i bërë ato edhe më të besueshme.

"Për shembull, pak vjet më parë, 90 për qind e donacioneve në platformën tonë në internet janë bërë nga kompjuterat personalë, ndërsa tani 90 për qind e donacioneve bëhen nëpërmjet celularit", citon "Reuters" fjalët e Ma Huateng-ut.

Në vitin 2015, "Tencent" dhuroi për Fondin e Bamirësisë të saj 480 milionë juanë, që përbënin 1.6 për qind të fitimeve të kompanisë atë vit, me vlerë prej 29.12 miliardë juanë.

9 shtatori, Dita e Bamirësisë

Në vitin 2015, "Tencent" themeloi Ditën e Bamirësisë në Kinë, e cila u vendos të ishte 9 shtatori. Të gjithë përdoruesit kinezë të rrjetit shoqëror "WeChat" u inkurajuan të vizitonin faqet zyrtare të jetimoreve, spitaleve dhe qendrave sociale për gratë dhe fëmijët e dhunuar, si dhe të shpërndanin sa më shumë fotografi për miqtë dhe familjarët e tyre, në mënyrë që mesazhi sensibilizues për sa më shumë mirëqenie shoqërore, të përhapej sa më gjerë.

Duke theksuar vullnetarizmin në mediat shoqërore, gjithmonë e më shumë persona mund të ndihen të frymëzuar për të dhuruar para dhe kohë për organizatat bamirëse në vend.

Duket se kjo ide është bërë tashmë një prioritet. Gjithnjë e më shumë kompani kineze, figura të njohura të ekranit dhe media janë përfshirë në këtë nismë, që mbi të gjitha kërkon shpirtin e vullnetarizmit dhe dëshirën e sa më shumë njerëzve për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Reklamimi pozitiv nga ana e personave me ndikim në shoqëri, mund të rrisë gjithashtu klientët dhe admiruesit e tyre.

Sipas revistës "Beijing Review", qëllimi i "Tencent"-it është: "Të bëjë bamirësi, të përmirësojë stilin e jetesës dhe të bashkojë njerëzit e thjeshtë që të zgjedhin internetin si platformën e duhur për aktivitetet e tyre".

Ndërkohë, firmat e internetit mund të përdorin teknologji të përparuara për të sjellë rezultate më pozitive në projektet e bamirësisë.

"Alibaba", një ndër donatorët më të mëdhenj

Kina ka afro gjysmë miliardi përdorues të platformës "Alipay". Kompania gjigante kineze e shitjeve në internet "Alibaba", ka nisur aktivitetin e saj bamirës, me 'Javën e Filantropisë'. Kompania ka bërë thirrje që secili pjesëmarrës të përkushtohet, së paku tre orë, për të bërë vepra të mira për nevojtarët e t'i ndihmojë atë me çfarëdo të mundet.

Më 11 shtator, kompania me bazë në Hangzhou, njoftoi se gjatë javës ishin bërë mbi 270 milionë vepra bamirësie.

"Ne duhet të mbajmë përgjegjësinë për vendin tonë dhe për të gjithë botën në të ardhmen," shkruan revista "Beijing Review" duke cituar bashkëthemeluesin e kompanisë "Alibaba", Jack Ma-në.

Ligji për bamirësinë i Kinës siguron përparësi shtesë për "Alibaba"-n dhe donatorët e tjerë. Ata mund të marrin kredi tatimore dhe për më tepër, mund të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative, për shkak të kontributeve të tyre, duke rritur kështu, deri në 12 për qind, fitimet e tyre.

Kompanitë japin vazhdimisht një kontribut të madh nga ana e tyre, duke mbështetur presidentin kinez Xi Jinping në përpjekjet për t'i dhënë fund varfërisë në Kinë deri në vitin 2020.

Tejkalimi i sfidave dhe dyshimeve

Që nga 5 shtatori 2017, qeveria kineze ka regjistruar mbi 2 100 organizata joqeveritare (OJQ) në vend, ndërsa rreth 520 prej tyre janë të kualifikuara për të mbledhur para publikisht. Kinezët, vetëm nëpërmjet pagesave në internet, kanë dhuruar mbi 1 miliard juanë për bamirësi, shifër kjo që përbën 80 për qind të të gjitha donacioneve në Kinë.

Sidoqoftë, shumë kinezë hezitojnë të dhurojnë para, pasi frikësohen se organizatat joqeveritare, nëpërmjet fushatave të tyre për mbledhje fondesh në emër të shumë kauzave bamirëse, mund të mashtrojnë. Në raste të tilla, fare pak para do të përfundojnë në duart e të varfërve.

"Në të kaluarën, OJQ-të shqetësoheshin kryesisht për gjetjen e njerëzve që mund të dhurojnë", tha Zhang Jianmin, zv.sekretare e përgjithshme e Fondit të Zhvillimit të Gruas të Kinës. "Por tani, ato duhet të japin sa më shumë informacion."

"Donatorët duhet të dinë se kush do të përfitojë nga donacionet e tyre dhe se si është i tërë procesi, jo vetëm se ku shkojnë paratë", shtoi Zhang.

Për një të ardhme më të mirë

"Ekspozimi i informacionit të plotë dhe të vërtetë garanton që pjesëmarrësit të kenë sa më shumë të dhëna, gjë që fiton besimin e publikut gjithnjë e më shumë dhe u mundëson gjithashtu njerëzve të zgjedhin projektet më të mira, i ndihmon ata të përmbushin qëllimet e tyre", thotë Chen Yidan, sponsor dhe kryetar nderi i Fondacionit të Bamirësisë të kompanisë "Tencent".

Qeveria kineze po ndërmerr hapat e duhur për të parandaluar mashtrimin në një mision të tillë fisnik, siç është bamirësia. Shumë njerëz dëshirojnë të dhurojnë kohën dhe paratë e tyre për një arsye të mirë, por kur rastet e bamirësisë kapen nga korrupsioni i shfrenuar, donatorët nuk do të jenë bujarë dhe nuk do të kenë besim në çështje të tilla.

Përparësia e presidentit Xi për të luftuar korrupsionin, mund të luajë gjithashtu një rol vendimtar për të motivuar qytetarët kinezë që të bëjnë donacione nëpërmjet telefonave të tyre, duke dërguar pagesa për OJQ-të, të cilat në fakt po përpiqen realisht që ta bëjnë Kinën një vend më të mirë me përpjekjet për eleminimin e varfërisë në vendin më të populluar të botës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore