Kina kujdeset: mbi 50 milionë vullnetarë, çfarë do të bëjnë ata?

2018-05-21 16:57:05 xinhua Komenti juaj Printoni

Vullnetarizmi në Kinë vazhdon të rritet, ndërsa më shumë qytetarë kanë përfituar të ardhura më të larta për shkak të zhvillimit të shpejtë të vendit. Qindra milionë familje kanë dalë nga varfëria në dekadat e fundit.

Përkundër transformimit të madh ekonomik, jo të gjithë kanë kapërcyer problematikat e një jetese në kushte të varfra. Presidenti kinez, Xi Jinping, shpreson të eleminojë varfërinë në vend deri në vitin 2020, por qeveria nuk mund të jetë e vetme në zgjidhjen e problemeve.

Ndërkohë që Kina hyn në etapën e zhvillimit dhe rritjes ekonomike të qëndrueshme, fushata mbarëkombëtare për eleminimin e varfërisë kërkon përpjekje të përbashkëta nga qeveria, si dhe nga qytetarët e kompanitë private.

Pekini ka ndërmarrë tashmë një hap të madh që kur Ministria e Punëve Civile njoftoi në fillim të shtatorit 2017 se vendi ka mbi 50 milionë vullnetarë të regjistruar.

Shifra me të cilat duhet të krenohemi

Sipas uebsajtit "WomenofChina", deri në fund të gushtit 2017, Kina kishte 306 000 organizata të shërbimit vullnetar. 2, 109 organizata joqeveritare (OJQ) rezultojnë të regjistruara, ndërsa 513 prej tyre lejohen të mbledhin donacione në publik.

Në vitin 2016, shifra e donacioneve bamirëse të mbledhura në vend ishte 80 miliardë juanë, ose 12.2 miliardë dollarë amerikanë. Statistikat janë të habitshme nëse marrim parasysh faktin se shumë kinezë kanë qenë prej kohësh ngurrues të japin para për organizatat e shërbimit ndaj komunitetit.

Për shkak të zakoneve tradicionale, shumë kinezë janë edukuar për të qenë bujar me familjarët dhe miqtë, por jo për ata jashtë qarqeve të tyre të ngushta. Ata kishin frikë se dhënia e parave për organizatat që pretendonin të përfaqësonin një kauzë bamirësie të caktuar, ishin mashtruese.

Megjithatë, qeveria kineze ka nisur një fushatë të fuqishme për të luftuar korrupsionin, duke përfshirë organizatat e paligjshme të bamirësisë, prandaj dhe këto organizata duhet së pari të plotësojnë kërkesat e rrepta për t'u kualifikuar si OJQ e për t'u regjistruar si të tilla, në mënyrë që të ushtrojnë veprimtaritë e tyre bamirëse.

Masat kanë ndihmuar për të rritur transparencën dhe ndershmërinë midis organizatave bamirëse, të cilat kanë frymëzuar më shumë kinezë që të japin para dhe të regjistrohen si vullnetarë.

Të mbetesh i ri në zemër

Grupet bamirëse, që të kenë sukses në gjeneratat e ardhshme, duhet të mbështeten tek të rinjtë për të shërbyer si vullnetarë. Për sa i përket kësaj, organizata më e madhe rinore në vend, Lidhja Rinore Komuniste e Kinës (LRKK), po luan një rol vendimtar.

Në vitin 2013, Wang Hongyan, asokohe kreu i sekretariatit të LRKK-së, shpalli një nismë që synonte të kishte më shumë se 20 milionë të rinj të regjistruar si vullnetarë deri në vitin 2020.

Ajo shpjegoi se të rinjtë me gjasë do të bashkohen me projekte "përforcuese të imazhit" ose do t'i shmangen pjesëmarrjes.

"Ata (të rinjtë) votojnë me këmbët e tyre", tha zonja Wang. "Nëse një program nuk duket tërheqës, ata nuk do të vijnë."

Në një konferencë shtypi në Pekin të organizuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit në vitin 2013, znj. Wang prezantoi një plan për të inkurajuar më shumë të rinj që të dilnin vullnetarë dhe t'u vijnë në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë.

Vepro aty ku nevojitesh më shumë

"Shumica e vullnetarëve ... kanë tre kanale të ndryshme përmes të cilave do të shërbejnë – shoqatat dhe grupimet e të rinjve (Forumet Rinore), organizatat bazë të OJQ-ve dhe organizatat me bazë komunitare që bashkëpunojnë me departamentet e Çështjeve Civile", tha Deng Guosheng, drejtor i Qendrës Kërkimore të OJQ-ve të Universitetit "Tsinghua" të Pekinit.

Deng shtoi se "Forumet Rinore në Kinë mburren për numrin më të madh të vullnetarëve, por shumica e tyre nuk janë aktive".

Si një nga ekspertët kryesorë të Kinës për OJQ-të, Deng inkurajon Forumet Rinore që të ofrojnë sa më shumë shërbime e të ndihmojnë me fonde, trajnime e mbështetje.

Sfida kryesore me të cilën ballafaqohen shumë grupe bamirësie është financimi i ulët. Shumë drejtues dhe anëtarë të OJQ-ve kanë ide të shkëlqyera për të ndihmuar komunitetet dhe personat në nevojë, por nuk kanë mjaftushëm fonde për t'i vënë idetë e tyre në jetë. Për këtë arsye ata nuk mund të arrijnë rezultatet e dëshiruara për të mirën e përbashkët.

Disa grupime të Lidhjes Rinore të Partisë Komuniste të Kinës tashmë kanë krijuar projekte pilot për të eksploruar bashkëpunim më të thellë me OJQ-të dhe krijimin e inkubatorëve për të fuqizuar organizatat vullnetare.

Kujdesi ndaj të moshuarve

Kina pret që rinia e vendit të shërbejë si shtylla kurrizore e aktiviteteve në shërbim të komunitetit, por zyrtarët e pushtetit vendor në Shangai kanë vënë re se në fakt vullnetarët nuk i kanë kushtuar aq vëmendje sa duhet kujdesit ndaj të moshuarve në vend.

Në mars të vitit 2017, Instituti i Sociologjisë në Akademinë e Shkencave Shoqërore të Shangait dhe Shoqata e Vullnetarëve të Shangait kreu një studim me 1 005 vullnetarë dhe 2 000 banorë dhe pas analizës të të dhënave nxori një raport lidhur me të.

Shangai ka rreth 2.6 milionë vullnetarë të regjistruar dhe 22 000 organizata bamirësie që sponsorizojnë mbi 110 000 projekte. Por vetëm 5.8 për qind e projekteve ndihmojnë drejtpërdrejt të moshuarit dhe vetëm disa vullnetarë ofrojnë kujdes mjekësor për ta.

Pavarësisht se në përgjithësi kultura kineze, më saktësisht vlerat konfuciste, u bëjnë thirrje të rinjve të kujdesen për prindërit në vitet e pleqërisë, raporti ka vërtetuar të kundërtën.

Në të vërtetë, studimi zbuloi gjithashtu se shumë vullnetarë nuk po kryejnë vepra të mëdha vullnetarizmi, pasi rreth 40 për qind e tyre thjesht ndihmojnë të moshuarit në rrugë të cilët kanë humbur drejtimin e nuk dinë ku duhet të shkojnë.

Vullnetarizmi, një akt që kërkon guxim

Vullnetarizmi është më shumë sesa thjesht të thuash apo bësh diçka që e bën personin në nevojë të ndihet mirë.

Nganjëherë, vullnetarët priten të tejkalojnë këto funksione e të shkojnë përtej detyrës për të ndihmuar ata që nuk mund të ndihmojnë vetveten.

Të moshuarit kanë më shumë nevojë për kujdes emergjent dhe ndërsa vendi përballet me prirjen demografike të një popullsie në plakje, mbi 50 milionë vullnetarë kinezë të regjistruar duhet të ecin përpara dhe të bëjnë përpjekje më të mëdha për të ofruar ndihmë të nevojshme për qytetarët e moshuar, shumë prej të cilëve përballen përditë me vetminë, sëmundje të ndryshme dhe depresion.

Ata kanë nevojë për më shumë dashuri dhe e meritojnë atë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore