Kina kujdeset: Zbutja e varfërisë, t'i hedhim një vështrim më të thellë këtij fenomeni

2018-05-14 16:04:43 CRI Komenti juaj Printoni

Zbutja e varfërisë mbetet ndër përparësitë e qeverisë kineze dhe ndër qëllimet kryesore të saj për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Qeveria kineze, Kombet e Bashkuara dhe mediat kanë folur shpesh për përpjekjet që ka bërë Pekini për uljen e varfërisë në një vend me rreth 1.4 miliardë banorë. Që nga mesi i viteve '80 të shekullit të kaluar, më shumë se 700 milionë kinezë kanë dalë nga varfëria.

Megjithatë, çdo vend ka synime të ngjashme për reduktimin e varfërisë dhe për t'i ofruar kushte më të mira jetese shtresës së varfër të shoqërisë, por çfarë ka bërë Kina ndryshe nga vendet e tjera për të arritur këto rezultate kaq pozitive? Presidenti Xi Jinping dhe qeveria kineze kanë theksuar një qasje afatgjatë për të ulur varfërinë në vend.

Qeveria kineze vë në shënjestër zbutjen e varfërisë

Kabineti qeveritar i Kinës, Këshilli i Shtetit, shpalli çrrënjosjen e varfërisë si një nga qëllimet kryesore të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe qeverisë qendrore. Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së, në vitin 2012, bëri thirrje për eliminimin e varfërisë në vend deri në vitin 2020.

Pekini ngriti Zyrën e Grupit Qendror Drejtues të Uljes së Varfërisë dhe Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit. Chen Zhigang, zëvendësdrejtor i Zyrës, mbajti një fjalim në Adis Abeba më 21 qershor 2017, për strategjinë e përgjithshme të Kinës për zbutjen e varfërisë.

Chen vuri në dukje se Pekini ka ndërmarrë "programe të gjera, të mirorganizuara dhe të planifikuara për zbutjen e varfërisë që nga mesi i viteve '80".

Sipas shifrave, më shumë se 700 milionë kinezë kanë dalë nga varfëria, duke zënë 70 për qind të numrit të përgjithshëm të botës. Nga viti 2013 deri në vitin 2016, rreth 55 milionë banorë të zonave rurale kanë gëzuar të ardhura më të larta e për pasojë kushte jetese më të mira.

Statistika që kanë rëndësi

Normat e rritjes të të ardhurave në zonat rurale, veçanërisht në pjesët qendrore dhe perëndimore të Kinës, janë rritur mbi mesataren kombëtare në vitet e fundit. Kina është përqendruar më shumë në rajonet rurale perëndimore për zbutjen e varfërisë.

Strategjia e rigjallërimit rural përfshin hapat që duhen ndjekur për përmirësimin e cilësisë së zhvillimit të bujqësisë, nxitjen e zhvillimit të gjelbër, zhvillimin e kulturës fshatare, formimin e sistemit të ri administrativ të fshatit, ngritjen e nivelit të garantimit të jetës së fshatarëve, shpejtimin e luftës së kundër varfërisë, përkrahjen e talenteve, shtimin e investimeve etj.

Han Jun, i cili kryeson Zyrën e Grupit Qendror Drejtues të Çështjeve Rurale, thotë se "strategjia e rigjallërimit rural" e paraqitur në "Dokumentin Qendror Nr. 1" do të sjellë më shumë mbështetje politike dhe financiare për zhvillimin rural.

"Ne duam të sigurohemi se financimet e qeverisë qendrore do të investohen drejt në sektorë që mund të ndihmojnë në rigjallërimin e zonave rurale. Dua ta bëj të qartë, çdo huamarrje dhe veprimtari financiare nga qeveritë vendore duhet të rregullohet (me ligj). Qeveritë vendore nuk do të lejohen që të marrin borxhe në mënyrë të paligjshme në emër të zhvillimit rural. Një pjesë më e madhe e të ardhurave nga taksat mbi tokën duhet të përdoren për zbutjen e varfërisë dhe rigjallërimin rural," tha ai.

329 departamente të qeverisë qendrore u caktuan të bashkëpunonin me 592 qarqe të prekura nga varfëria, ndërsa 68 ndërmarrje shtetërore qendrore po ndihmojnë 108 qarqe të varfra.

Më shumë se 10 000 fshatra të varfër kanë arritur të kenë rrjet kanalizimesh më të mirë, ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Këto qarqe kanë tashmë infrastrukturë më të mirë, siç janë rrugët, urat etj.

Shumë fshatra dhe qytete të pjesës perëndimore janë rindërtuar për të tërhequr punëtorët nga fshati të kthehen në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, 18 provinca dhe komuna të zhvilluara, kryesisht në rajonet jugore dhe lindore, kanë ofruar mbështetje për provincat më pak të zhvilluara dhe rajonet autonome në perëndim të vendit.

Rajonet e zhvilluara kanë ofruar profesionistë të kualifikuar, ide novative dhe investime të mëdha për të mbështetur zonat rurale, që në Kinë zhvillimi të jetë më i balancuar.

Xi thekson ndihmën për ata që kanë nevojë

"Të ndihmosh njerëzit për të bërë një jetë më të mirë është synimi fillestar dhe qëllimi përfundimtar i gjithë punës sonë. Kina vazhdimisht u përmbahet parimeve të varësisë nga njerëzit, duke u shërbyer njerëzve, duke i bërë njerëzit të ndajnë me njëri-tjetrin rezultatet e zhvillimit dhe përpjekjet për zhvillim ", tha presidenti Xi Jinping.

"Për këtë qëllim, qeveria qendrore dhe pushteti vendor u kanë dhënë përparësi çështjeve që kanë të bëjnë me nevojat jetësore të njerëzve të varfër, arsimin e detyrueshëm, kujdesin mjekësor bazë dhe strehimin", shtoi ai.

Në vitin 2016, qeveria qendrore dha 100 miliardë juanë (15.09 miliardë dollarë amerikanë) dhe ofroi gjithashtu një linjë kredie mikrofinancuese me vlerë 170.6 miliardë juanë (25.92 miliardë dollarë amerikanë).

Përveç kësaj, mbi 8 milionë familje të varfra kanë marrë kredi të vogla, që arrijnë në vlerën 283.3 miliardë juanë, ose 42.75 miliardë dollarë amerikanë. Shumica e kredive janë dhënë për të përmirësuar jetën për grupe specifike: gratë, fëmijët dhe të moshuarit.

Qasja e planifikuar dhe objektivat

Pekini beson se ka përmbushur me sukses qëllimet kryesore për uljen e varfërisë duke pasur një "qasje të planifikuar" me "objektiva të përcaktuara", përmes përcaktimit të standardeve të qarta në financimin e projekteve dhe përzgjedhjen e përfituesve.

Autoriteteve vendore u kërkohet të ofrojnë zgjidhje specifike për komunitetet, pasi një qasje e njëllojtë për të gjithë është e paefektshme. Pushteti vendor duhet t'i nxjerrë njerëzit nga varfëria duke u bazuar në kushtet dhe nevojat e çdo komuniteti.

Janë marrë disa masa specifike, të tilla si kryerja e disa sondazheve dhe ruajtja e informacionit në një platformë të madhe të dhënash. Duke analizuar të dhënat, pushteti vendor mund të vendosë se çfarë masash do të marrë për çdo person të varfër, familje dhe fshat që është regjistruar në to.

Planet specifike të veprimit mund të përfshijnë zhvillimin e industrive të lokalizuara - turizmin rural, logjistikën dhe prodhimin - një rrjet më të fortë sigurimesh shoqërore dhe kompensimin për ruajtjen ekologjike.

Për sa i përket kujdesit shëndetësor, arsimimit, financave, ndërtimit të infrastrukturës, mikrofinancimit dhe rritjes së biznesit të vogël familjar, ka vend për përpjekje më të mëdha.

Mundësi të reja për të varfrit e zonave rurale

Po, është e vërtetë, qeveria kineze ka bërë përparime të rëndësishme në transformimin e ekonomisë së vendit. Por më shumë mund të bëhet në këtë drejtim, pasi dalja e njerëzve nga varfëria do të thotë se ata tashmë kanë disa para më shumë. Çfarë do të ndodhë me ta?

Hapi tjetër është që shtresa e varfër në Kinë duhet të përfitojë nga mundësitë e reja dhe të gjejë punë më të mira për përmirësimin e standardeve të jetesës. Trajnimi profesional ofron zgjidhjen e duhur për t'i aftësuar dhe dhënë një profesion banorëve të zonave më pak të zhvilluara, në mënyrë që fuqia punëtore e Kinës të jetë më e aftë profesionalisht.

Nuk është turp të jesh i varfër, por nëse të varfrit refuzojnë të marrin arsimimin e duhur dhe shmangin ngarkesën në punë, ata pa dyshim që do të kenë më pak mundësi për një jetë më të mirë.

Shumë familje të varfra aspirojnë për mirëqenie më të madhe dhe ata janë të gatshëm t'u përkushtohen arritjes së këtyre qëllimeve. Qeveria kineze u ka dhënë atyre një shtysë për të bërë më të mirën që ata të kenë sukses në jetë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore