Teknologjia e lartë kineze shkëlqen në Konferencën Botërore të Cilësisë

2018-05-14 15:14:27 xinhua Komenti juaj Printoni

Në Konferencën Botërore të Cilësisë dhe të Përmirësimit 2018 që zhvillohet në fillim të majit në Seattle nga Shoqata Amerikane për Cilësi (ASQ), tetë ndërmarrje dhe institucione kineze që demonstruan arritjet e tyre teknologjike, kanë tërhequr mbi 2500 profesionistë të teknologjisë së lartë nga mbarë bota.

Më poshtë vijnë disa nga rezultatet kryesore studimore të ndërmarrjeve kineze:

Teknologjia e shfrytëzimit të sigurtë të energjisë bërthamore

Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve të Inxhinierisë Bërthamore i Shangait zbuloi në konferencë teknologjinë e projektimit digjital që përdoret në reaktorët bërthamorë të modelit CAP1400 për centralet bërthamore të vendit.

Në bazë të një qendre të integrimit të të dhënave, teknologjia kombinon mjetet e shumëllojshme dixhitale si Big Data, platformat Cloud, internetin e gjërave (Internet of Things, IoT) dhe ofron zgjidhje për garantimin absolut të sigurisë gjatë funksionimit të centraleve, duke eliminuar mundësinë e ndodhjes së katastrofave bërthamore, si ajo që ndodhi në vitin 2011 në prefekturën Fukushima të Japonisë.

"Energjia bërthamore është një burim i sigurtë, i pastër, efikas dhe ekonomik energjetik. Ajo është edhe një ndër zbulimet më të rëndësishme shkencore të shekullit të kaluar", thotë drejtori i Institutit, Zheng Guangming.

Sipas tij, në centralet bërthamore të pjesës kontinentale të Kinës, po funksionojnë 38 reaktorë. Ndërsa, 18 të tjerë janë në ndërtim e sipër. Ndërkohë, 450 reaktorë bërthamorë në mbarë botën prodhojnë 11% të energjisë elektrike që konsumohet çdo ditë nga njerëzimi.

Sistemi super i madh i metrosë në Kinë

Në Shangai, një metropol ekonomiko-financiar i Kinës po krijohet një sistem super i madh dixhital për metronë e qytetit, që ka një gjatësi prej 673 kilometrash. Si rrjeti më i madh në botë, sistemi i metrosë i Shangait menaxhoi 3.5 miliardë udhëtime në vitin 2017, afro 2.5 herë dhe 1.3 herë më shumë sesa ato të Londrës dhe Nju Jorkut, respektivisht.

Në sajë të teknologjisë së përparuar dixhitale, sistemi kompjuterik mund të kryejë kontrollin e tërë trenit brenda një minute, proces për të cilin duheshin në të kaluarën dy orë punë të katër punëtorëve.

Me garanci të lartë teknologjike, Grupi i Metrosë i Shangait po ndërton tre linja të reja me trena pa pilotë që mund të udhëtojnë për 118 kilometra. Sistemi i përparuar është në gjendje t'u ofrojë pasagjerëve shërbime cilësore të lidhjes me internetin nëpërmjet Wifi-it, si dhe ofron shitjen e biletave nëpërmjet celularëve të mençur.

Motori që reziston kushte ekstreme natyrore

Tan Xuguang, presidenti i bordit të korporatës kineze 'Weichai Power', e specializuar për prodhimin e motorëve me djegie, i njohu vizitorët me cilësinë e lartë të motorëve të kompanisë së tij.

Sipas z. Tan, Weichai ka një grup inxhinierësh të veçantë që merren me ekspozimin e motorëve të kompanisë në kushtet më të ashpra natyrore për të testuar besueshmërinë e cilësinë.

"Produktet tona duhet të kalojnë provën e funksionimit normal në një mjedis natyror ku temperatura varjon nga -45℃ në 50℃. Ndërsa, nga departamenti ynë i kontrollit të cilësisë garantohen 3000 standarde për nivelin teknologjik të produkteve tona," thotë ai.

Tan shtoi se motorët e Weichai-it që bazohen mbi 3 miliardë dollarë investime për kërkim zhvillimin, kanë fituar certifikatën e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të ShBA-së (EPA) dhe atë të Gjermanisë për verifikimin e nivelit teknologjik TUV.

Urat kineze që kapërcejnë vështirësitë natyrore

Grupi i Inxhinierisë së Urave të Mëdha (MBEC) ka ndërtuar mbi 2600 ura brenda e jashtë Kinës gjatë historisë së tij 65 vjeçare. Ai është fitues i 'Medaljes George S.Richardson', nder vlerësimet më të larta botërore për ndërtimin e urave si dhe shumë çmime të tjera ndërkombëtare përkatëse.

Sipas presidentit të bordit të kompanisë, Liu Ziming, në bazë të idesë së zhvillimit me novacion, bashkërendim, Grupi i Inxhinierisë së Urave të Mëdha (MBEC) ka synuar vazhdimisht mbrojtjen maksimale të mjedisit gjatë ndërtimit të urave nëpërmjet përdorimit të teknologjive të përparuara inxhinerike.

Kjo kompani ka kryer ndërtimin e të gjitha urave gjatë itinerarit hekurudhor Qinghai-Tibet, duke mbrojtur migracionin e lirshëm të kafshëve të egra në rrezik zhdukjeje në rrafshnaltën më të lartë të botës.

Ndërtimi i portit inteligjent

Grupi i Industrive të Rënda Zhenhua ka një reputacion të mirë në botë si prodhues i dalluar i vinç-urave dhe ndërtues i njohur i porteve me terminale të trajnimit inteligjent të kontejnerëve.

Gjatë konferencës, Fred Huang, presidenti i bordit të kompanisë i prezantoi publikut projektin "Super Terminal", sistemi i brezit të katërt të nivelit botëror për trajtimin automatik të mallrave pa lëshim të lëndëve ndotëse.

Ky projekt u realizua vjet në qytetin bregdetar Qingdao me përurimin e terminalit të parë në Azi për trajtimin inteligjent të mallrave.

Sipas z. Huang, me këtë sistem të ri, një punonjës mund të kontrollojë në të njëjtën kohë katër vinça të lëvizshëm dhe një vinç-urë afërsisht 11 metra të gjerë, duke ngritur me 30 për qind efikasitetin e operacionit të mëparshëm.

Prezenca e kompanive kineze ngjalli interes dhe u vlerësua nga vizitorët me duartrokitje të shumta pasi çdo përfaqësues kinez përfundonte prezantimin.

Konferenca Botërore për Cilësinë dhe Përmirësimin është takimi më i madh dhe më i rëndësishëm për ekspertët, që tani tërheq 2000 deri 3000 pjesëmarrës nga më shumë se 50 vende e krahina të botës, që kur filloi të organizohet në vitin 1947. (Zhang Yan/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore