Kinezët blejnë jashtë vendit reliktet e grabitura

2018-05-07 16:15:36 xinhua Komenti juaj Printoni

Një enë bronzi e çmuar kineze që u grabit nga një oficer britanik në vitin 1860 gjatë Luftës së Dytë të Opiumit (1856-1860) nga Pallati i Vjetër Veror në Pekin u shit në prill për 582 mijë dollarë amerikanë në një ankand të organizuar në Galerinë Canterbury të qytezës Kent të Britanisë Juglindore.

Bronzi, i quajtur Hu Ying, është një mbajtëse e lashtë e ujit, me një histori që mund të datohet deri në dinastinë Zhou (1027-771 p.e.s). Deri tani janë gjetur vetëm nëntë enë të tilla në mbarë botën.

Para ankandit, Administrata Shtetërore e Trashëgimisë Kulturore e Kinës e kritikoi kompaninë e ankandit dhe i kërkoi ta anulonte veprimtarinë reklamuese dhe shitjen, për të respektuar të drejtat dhe ndjenjat e popullit kinez.

Lajmi i tij shkaktoi indinjatë te publiku kinez që po bëhet gjithnjë e më i vëmendshëm dhe i pasionuar për kthimin e relikteve që u grabitën gjatë pushtimit dhe luftërave.

Sipas statistikave të publikuara nga Akademia e Relikteve Kulturore e Kinës, që nga Lufta e Parë e Opiumit në vitin 1840, mbi 10 milionë relikte kulturore kineze u dërguan në Europë, ShBA, Japoni dhe në Azinë Juglindore.

Megjithëse ka disa kanale zyrtare për kthimin e relikteve antike si konventa të UNESCO-s, marrëveshjet dypalëshe dhe bisedimet diplomatike, përpjekjet e qytetarëve kinezë kryesisht bëhen nëpërmjet blerjeve. Znj. Zhao Sihong, autore e një libri për imigrantët kinezë në ShBA dhe sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Koleksionistëve Kino-Amerikanë ka përvojë të pasur në këtë fushë.

Në vitin 2005, Zhao që kishte eksperienca bamirësie në ShBA, lexoi një lajm se Kina kishte krijuar një fondacion special për kthimin e relikteve nga jashtë vendit. Nga ajo kohë, i lindi një ide që të jepte kontributin e saj për këtë punë.

"Është hidhëruese për të gjithë kinezët, sidomos emigrantët si unë që të shohin aq shumë relikte të çmuara të humbasin jashtë vendit. Ne duam që ato të riatdhesohen", i tha ajo gazetës "Global Times".

Grupi i saj përbëhet nga mijëra vullnetarë brenda e jashtë ShBA-së. Ata kërkojnë relikte nëpër dyqane dhe mbledhin para për të blerë thesaret që gjejnë.

Në 12 vjetët e kaluar, Zhao dhe grupi i saj kanë blerë mbi 5000 antika, të cilat u dhurohen muzeve ose bibliotekave në Kinë, si Muzeut Kombëtar dhe atij për Luftën kundër Agresorëve Japonezë.

Zhao kujtoi një artefakt me kuptim të jashtëzakonshëm që grupi i saj gjeti në vitin 2016, Atlasin e Collier-it. Në korrikun e vitit 2016, doli arbitrazhi ndërkombëtar mbi mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore, duke u mbështetur kërkesa e Filipineve për sovranitetin në ujërat përkatëse.

Pikërisht në këtë muaj, grupi i znj. Zhao, gjatë kërkimeve rutinë nëpër pazare dhe dyqane ku shiten materiale antike kineze, zbuloi atlasin që vërteton sovranitetin e Kinës për ishujt në Detin e Kinës Jugore. Me të mësuar këtë, Zhao e bleu dhe ia adhuroi atë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Znj. Zhao nuk është e vetmja që punon për kthimin e thesareve kombëtare. Muzeu Ruian në provincën Zhejiang të Kinës Lindore njihet gjithashtu për riatdhesimin e relikteve nga jashtë vendit. Një ndër drejtorët e muzeut, Jin Jianxin, është një koleksionist që ka përvojë shumëvjeçare studimore për porcelanin, nefritin dhe enët e bakrit. Në 10 vjetët e kaluar, ai bleu mbi 100 relikte kineze në Europë.

Vitet e fundit, në përpjekjet për kthimin e relikteve në vend po përfshihen më shumë qytetarë, organizata e bile edhe një fshat i tërë. Në vitin 2016, banorët e fshatit Yangchun të provincës Fujian të Kinës Lindore ngritën një padi ndërkombëtare ndaj një koleksionisti holandez për kthimin e një skulpture, brenda së cilës ndodhen eshtrat e një ndër paraardhësve të tyre. Bëhet fjalë për mjeshtrin Zhang, një murg budist.

Statuja u vodh nga fshati i tyre në vitin 1995 dhe 20 vjet më vonë, një banor e pa atë në një program televiziv për një ekspozitë të veprave të një koleksionisti holandez.

Pasi provuan të gjitha metodat për t'i mbushur mendjen koleksionistit ta kthente, në vitin 2015, fshatarët i shkruan një letër kryeministrit holandez, ndërsa ai ndodhej për vizitë zyrtare në Kinë.

Pas përpjekjeve të shumta, koleksionisti Oscar van Overeem ra dakord për të zhvilluar negociata, por me kushte të ashpra për shpërblimin dhe ndihma në nivel kombëtar për studimet e koleksionit të tij. Komiteti administrativ i fshatit refuzoi të pranonte këto kushte dhe vendosi ta zgjidhte këtë çështje në rrugë ligjore.

Në qershorin e vitit 2016, një gjykatë në Holandë e pranoi këtë çështje. Megjithëse ende nuk është marrë vendimi, kjo veprimtari shërben për të treguar vendosmërinë e publikut kinez në luftën vullnetare për kthimin e artefakteve. Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se gjetja e relikteve të lashta kineze mund të nxitë agjenci të huaja ankandi të ngrenë çmimet.

"Ato mund të manipulojnë çmimet në ankand, duke shfrytëzuar patriotizmin e popullit kinez", i tha "Global Times-it" z. Liu Zheng, anëtar i Akademisë së Relikteve Kulturore të Kinës.

Huo Zhengxin, zv./drejtor i Shkollës së Ligjit Ndërkombëtar pranë Universitetit të Shkencave Politike dhe të Drejtësisë, u shpreh se veprimi më i mirë për riatdhesimin e relikteve duhet të merret nga qeveria. Por, kjo nuk është e lehtë.

Herët në vitin 1997, Kina nënshkroi "Konventën mbi reliktet e vjedhura dhe të eksportuara në mënyrë të paligjshme" të UNIDROIT-it (International Institute for the Unification of Private Laws), një organizatë ndërqeveritare për unifikimin e ligjit privat. Sipas marrëveshjes, çdo relikte që ndodhet jashtë vendit të origjinës për shkaqe si lufta etj., duhet të kthehet pa kufizime kohore. Megjithatë, kthimi i thesarit kombëtar është ende shumë i vështirë.

Për shembull, pjesa kryesore e nënshkruesve të konventës janë vendet viktima, kurse ato që kanë shumë koleksione nuk janë pjesë e marrëveshjes. Edhe pse për vendet pjesëtare, vlefshmëria apo zbatimi i konventës nuk mund të kalojë ligjet shtetërore që zakonisht janë shumë të lirshme për importin e relikteve të huaja.

Prandaj, deri tani, blerja nga tregu është edhe mënyra e rëndësishme e qeverisë kineze për rikthimin e thesarit kombëtar.

Që nga viti 2002, Ministria e Financave dhe Drejtoria Shtetërore e Relikteve e Kinës krijuan një fond të posaçëm për blerjen e relikteve më të çmuara kombëtare. Prandaj, çmimet në tregun ndërkombëtar të relikteve kineze mund të ndikojnë përpjekjet qeveritare në këtë drejtim.

Mrekulli