"Kina Kujdeset": Kina rikthen shpresën për personat me aftësi të kufizuara mendore

2018-05-07 16:13:09 CRI Komenti juaj Printoni

Çështjet e shëndetit mendor kanë qenë tabu për familjet në Kinë dhe rajonin e Azi-Paqësorit.

Një numër i madh aziatikësh besojnë se një person i prekur nga sëmundjet mendore është dikush që nuk ka vullnet të fortë për të kapërcyer sfidat emocionale të jetës.

Sipas shkencës, këta persona janë thjesht të sëmurë për shkak të problemeve në tru ose përvojave traumatike të ndryshme që pengojnë aftësinë e tyre për të patur një jetesë normale, të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Por tashmë personave me probleme të shëndetit mendor po u jepet gjithnjë e më shumë ndihmë mjeksore. Qeveria kineze ka ndërmarrë hapa të rëndësishme për të zvogëluar stigmën shoqërore të sëmundjeve mendore në vend dhe për ta bërë më të lehtë për ata që vuajnë nga këto sëmundje duke marrë nga institucionet përkatëse trajtimin e duhur.

Ligji kinez për shëndetin mendor

Në Kongresin e 18-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës në vitin 2013, qeveria kineze miratoi ligjin e parë të kujdesit shëndetësor mendor në vend.

Ligji i miratuar pesë vjet më parë, u jep të drejta personave me aftësi të kufizuara mendore. Policia nuk mund të detyrojë një person të rritur të shkojë në një spital psikiatrik për mjekim, nëse kjo është kundër vullnetit të tij, me përjashtim të atyre personave që përbëjnë kërcënim për veten apo për të tjerët.

Ligji mund të përkrahë të sëmurët mendorë, në raste kur, siç ka ndodhur më parë, familja e një personi mendërisht të pashëndetshëm, njofton policinë për të dërguar të afërmin e tyre në një spital psikiatrik, nëse e konsideron atë me probleme shumë serioze e rrezik edhe për vetë familjarët.

Ndërkohë, qëllimi i këtij ligji të ri ishte që të ofronte trajtim për shëndetin mendor dhe personat e prekur nga çrregullime të kësaj natyre, ligj i cili do të bëhej më i aksesueshëm dhe njerëzor.

Trajtimi ka për qëllim që të ndihmojë të sëmurët mendorë që ata të rivendosin dinjitetin e tyre dhe të bëjnë një jetë sa më normale, si gjithë njerëzit e tjerë.

"Ne duam t'i kthejmë pacientët në shoqëri", thotë dr. Liu Ming, zëvendësdrejtor i Spitalit të Parë të Specializuar të Harbinit, në provincën Heilongjiang në Verilindje të Kinës.

Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë e Kinës përcaktoi objektivin që, deri në vitin 2020, të dyfishohet numri i mjekëve psikiatër të trajnuar dhe pagat e tyre do të rriten.

Familja mbi të gjitha

Kina gjithashtu përcaktoi objektivin që 80 për qind e të gjithë kinezëve që vuajnë nga sëmundje të rënda mendore të marrin trajtim të vazhdueshëm mjekësor. Megjithatë, sipas burimeve, në spitalet psikiatrike në mbarë vendin, nuk ka mjaftueshëm shtretër për t'u shërbyer rreth 8.27 milionë kinezëve të diagnostikuar me çrregullime mendore.

Prandaj, profesionistët e shëndetit mendor i kanë dhënë përparësi kësaj çështjeje, duke vendosur që ata do të sigurojnë kujdes shëndetësor, brenda spitaleve, vetëm për pacientët me psikoza shumë të rënda mendore, ndërsa shumë të tjerë, të diagnostikuar me probleme mendore më pak serioze, mund të marrin kujdesin e duhur nga psikologët dhe klinikat e rehabilitimit.

Mjekët e fushës po inkurajojnë familjet që të luajnë një rol më aktiv dhe efektiv. Pushteti vendor po promovon vetëdijesimin lidhur me shëndetin mendor dhe fushatat të cilat e përgatisin më shumë shoqërinë për t'u përballur me problematika të tilla, të cilat kanë nevojë për vëmendje të veçantë e trajtime të specializuara, por para së gjithash kanë nevojë për një shoqëri që e pranon këtë realitet, di si të përballet me të dhe mbi të gjitha di si ta mbrojë atë që ka më shumë nevojë për përkrahje.

"Unë besoj se Kina do me të vërtetë të përmirësojë standardet e jetesës së personave me sëmundje mendore", shprehet Alessandro Lorato, drejtor i degës së Shoqatës Italiane "Raoul Fotterue" për Kinën, e cila është një organizatë joqeveritare që mbron personat me aftësi të kufizuara e përpiqet që nëpërmjet projekteve të ndryshme t'i angazhojë ata sa më shumë në shoqëri.

Ai shtoi gjithashtu se grupet e ndihmës për familjet e pacientëve, mund t'i ndihmojnë ata të mësojnë më shumë rreth sëmundjeve mendore të cilat kanë prekur të afërmit e tyre.

Theksi mbi pacientët më pak të prekur nga sëmundjet mendore, të cilët do të trajtohen jashtë spitaleve, e bën më të lehtë për ata që të rikthehen në jetën e zakonshme dhe të përmirësohen dita-ditës. Familjet e pacientëve mund të bashkohen me psikiatrit në mënyrë që të sigurojnë se të dashurit e tyre janë në rrugën e duhur dhe trajtimi i tyre do të vazhdojë për një kohë të gjatë e do të ketë rezultate pozitive.

Robotët do të ndihmojnë personat me sëmundje mendore

Jo vetëm familjarët, por robotët pritet të luajnë gjithashtu një rol vendimtar në trajtimin e shëndetit mendor në vend.

Uebsajti "Gratë e Kinës" tregon se si një spital në Kinën verilindore ka vendosur një ekip robotësh për të ndihmuar fëmijët autistë.

Një Qendër Rehabilitimi pranë Spitalit të Fëmijëve në Harbin mori përsipër trajtimin e 30 fëmijëve me autizëm dhe mundësoi përdorimin e 10 robotëve, të cilët po u japin fëmijëve ndihmë të përparuar për trajtimin e tyre.

 

Çdo robot quhet "RoBoHon" dhe është 33 centimetra i gjatë, i cili duket si një karakter miqësor filmash vizatimorë. Duke imituar zërin e një fëmije, ata këndojnë dhe bëjnë biseda të thjeshta me pacientët.

Fëmijët me autizëm kanë mungesë të aftësive shoqërore dhe probleme të komunikimit me të tjerët, gjë që është një çrregullim nervor që i bën ata të veprojnë në mënyrë të kufizuar dhe të përsëritur. Robotët e Inteligjencës Artificiale mund t'i inkurajojnë fëmijët e tillë që të jenë më aktivë.

Projekti ka qenë i suksesshëm dhe robotët "RoBoHon" do të përparojnë më tej, në mënyrë që familjet e fëmijëve t'i marrin ata në shtëpi për të ndjekur nga afër shëndetin e fëmijës, për t'u kujdesur për ta, t'u kujtojnë prindërve orarin e marrjes së ilaçeve dhe të jenë, përse jo, miq të mirë për fëmijët që ndihen të vetmuar, ndërsa u dërgojnë mjekëve që ndjekin pacientët të dhëna mbi ecurinë e fëmijëve.

Ndryshimet e shpejta në botë dhe në metodat e trajtimit

Ndërsa Kina vazhdon drejt rrugës së saj të zhvillimit të shpejtë, jo çdo person mund të përshtatet me kohën e ndryshimit. Pra, kuptohet se në vitet e ardhshme mund të ketë një numër në rritje të personave të diagnostikuar me sëmundje mendore.

Megjithatë, qeveria kineze ka reformuar sistemin e kujdesit për shëndetin mendor në mbarë vendin, për t'u dhënë shpresë atyre që prej kohësh e kanë humbur atë.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme që familjarët e personave me aftësi të kufizuara mendore, të marrin ndihmën e duhur në këtë drejtim.

Mrekulli
Lajmet Kryesore