"Kina kujdeset": Transformimi i zonave rurale në atraksione turistike

2018-04-27 15:04:24 xinhua Komenti juaj Printoni

Pabarazia e të ardhurave midis banorëve të zonave rurale dhe atyre të zonave urbane në Kinë vazhdon të jetë e dukshme dhe qeveria kineze po bën gjithçka për ta zbutur këtë hendek. Qindra milionë fermerë janë larguar nga fshatrat e tyre për të migruar në qytete më të mëdha për punë me paga më të larta.

Vala e madhe e emigrantëve në qytetet më të mëdha të Kinës ka çuar në mbingarkesë të madhe, duke shkaktuar më shumë ndotje apo probleme të ndryshme shoqërore në zonat metropolitane dhe qeveria shpreson të bindë shumë prej tyre që të kthehen në shtëpi e të kontribuojnë në zhvillimin e zonave të tyre, e si rrjedhojë të rrisin mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.

Masa të tilla mund të lehtësojnë presionin në të cilin ndodhet në përgjithësi urbanizimi mbarëkombëtar, duke rivendosur një ekuilibër të drejtë ekonomik midis fshatrave dhe qyteteve. Disa ekspertë besojnë se një fillim i mirë do të ishte rritja e turizmit rural.

Zhvillimi i qyteteve turistike

Një numër fshatrash të varfra kanë ndërmarrë hapa të rëndësishme për t'u kthyer në qytete turistike, të cilat në fakt kanë shumë për të ofruar për turistët, sidomos tradita, zakone e kultura të ndryshme, të cilat dallojnë nga zona në zonë.

Fshati Xiushui gjendet në kontenë Puding të Anshui-t në provincën Guizhou të Kinës Jugore. Ai ka rreth 3 823 banorë dhe 1 165 familje.

Guizhou është një nga provincat më të varfra në vend, por e rrethuar nga pyje të harlisura, kodra të larmishme kodrinore dhe lugina të gjera e të bukura që mund të joshin turistët.

Banorët vendas, zyrtarët dhe kompania kineze "Xingwei" kanë punuar së bashku për të rindërtuar fshatin. Në Xiushui janë ndërtuar kabina të vogla prej trungje pemësh për turistët, të vendosura afër lumit të zonës, duke e kthyer atë në një pjesë shumë tërheqëse për vizitorët.

Fshatarët janë trajnuar edhe më shumë për rritjen e drithërave, pemëve bimore dhe për të shërbyer në industrinë e turizmit, duke u kthyer në mikpritës profesionistë. Vizitorët mund të gëzojnë itinerare turistike të ndryshme, të vizitojnë natyrën, të shkojnë nëpër kampe, të mësojnë si të kalërojnë etj.

Rindërtimi nga e para

"Fshatarët dikur jetonin në shtëpi prej kashte," tregon Lu Qianqian, një banore vendase 20-vjeçare. "Ne në të kaluarën hanim misër dhe turshi, rrallë hanim mish," thotë ajo. "Në ditët me shi, rrugët ishin të rrëshqitshme dhe ishte e vështirë që të ecje në to, por të gjitha këto i takojnë së kaluarës tashmë", shton ajo.

Ndryshimet kanë qenë dramatike. Para vitit 2014, të ardhurat mesatare vjetore për frymë të fshatarëve ishin rreth 2000 juanë (305 dollarë amerikanë), por tashmë ato janë rritur. Në 2016-n, për shembull, ato arritën në 18 000 juanë (ose 2 748 dollarë amerikanë).

Disa vjet më parë, Xiushui kishte mbi 453 familje që jetonin nën vijën zyrtare të varfërisë, por tani 295 ekonomi familjare po gëzojnë kohë më të mira dhe pa diskutim që mirëqënia është rritur dukshëm.

Kryetari i "Xingwei"-t, Wang Wei, e themeloi kompaninë e tij në vitin 1999, e cila është e bazuar në Anshun. Ai ka lindur në Xiushui dhe është shprehur se, kur pati fitime të mëdha financiare, donte të ndihmonte komunitetin e tij dhe kështu ka bërë shumë për vendin ku është lindur dhe rritur.

Bujqësia dhe turizmi ekologjik

Kryetari Wei e kishte caktuar ekipin e tij të menaxhimit korporativ për të zhvilluar një plan për të rimodeluar vendlindjen e tij, që do të tërheqë më shumë turistë. Ai donte të përqendrohej në bujqësinë dhe turizmin ekologjik.

Ndërkohë, Federata e Industrisë e Kinës dhe Zyra e Grupit Drejtues për Uljen e Varfërisë dhe Zhvillimin e Këshillit të Shtetit kanë publikuar një raport, që bën thirrje për angazhimin e më shumë kompanive për të zhvilluar turizmin rural me një "agjendë të gjelbër" në mendje.

"Zbutja e varfërisë nuk është një barrë, por një dritare zhvillimi për kompanitë private", tha Zhang Zuyu, asistent i kryetarit të "Xingwei"-t. "Njerëzit e biznesit duhet të kombinojnë interesat e tyre me atë të publikut të gjerë", shtoi ai.

Zhang beson se rruga e zhvillimit të qëndrueshëm të Kinës, zvogëlimi i varfërisë, përmirësimi i standardeve të jetesës dhe ndjekja e politikave që mbrojnë mjedisin, duhet të mirëpriten nga i gjithë komuniteti i biznesit.

Shërbimi ndaj grupeve të pakicave kombëtare

Guizhou e ka luftuar gjatë varfërinë, por kjo provincë mbetet shtëpia e 17 pakicave kombëtare. Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) ka bashkëpunuar me zyrtarë të zonës për të mbështetur kulturën e saj të pasur etnike.

Në shtator 2006, qeveria kineze, UNWTO-ja dhe Banka Botërore kanë nënshkruar një marrëveshje, një zotim, të njohur si "Deklarata e Guiyang-ut", për të promovuar trashëgiminë kulturore etnike duke inkurajuar më shumë dizajnin, prodhimin dhe marketingun, për të përfshirë turizmin dhe zanatin e zejtarisë.

Në vitin 2006, konsulenti i atëhershëm në UNWTO, Tim Bartlett, mbajti një seminar për t'ia prezantuar "Deklaratën e Guiyang-ut" publikut kinez. Ai pretendon se pakicat etnike mund të përfitojnë nga turizmi rural duke shfrytëzuar partneritetin publik-privat.

"Malet e saj të largëta kanë penguar që popullata e pakicave kombëtare të mos humbasë traditat, gjuhët, ushqimin dhe veshjet unike", tha Bartlett.

Dallime sezonale për turizmin

"Nuk është detyrë e lehtë të balancojmë dëshirën për zhvillim ekonomik dhe ruajtjen e trashëgimisë", tha Han Li, drejtor për Kinën i Fondit për Trashëgiminë Globale, një organizate joqeveritare me bazë në Shtetet e Bashkuara. "Vendet me një trashëgimi kulturore mund të sjellin të ardhura dhe zhvillim."

Han shtoi: "Sfida jonë është të gjejmë rrugët për të menaxhuar këtë proces, në një mënyrë që nuk rrezikon trashëgiminë dhe mënyrën tradicionale të jetesës".

Përkundër shqetësimeve të tilla, shumë fermerë dhe pjesëtarë të pakicave kombëtare do të preferonin të ardhura më të larta dhe kushte të përmirësuara të jetesës, pasi kjo është Ëndrra Kineze për ta.

Turizmi rural po tejkalon ndarjen që karakterizon periferinë dhe qendrën dhe po zbut gjithashtu hendekun e pabarazisë të të ardhurave për frymë në Kinë, gjë që shërben si një strategji efektive për të sjellë më shumë vende pune dhe përfitime për komunitetet rurale.

Mrekulli
Lajmet Kryesore