Një gjerman realizon ëndrrën e tij në Kinë

2018-04-23 17:54:02 CRI Komenti juaj Printoni

Alex Morgan-i që erdhi në Pekin për Lojërat Olimpike të vitit 2008, nuk mund ta imagjinonte se ëndrra e tij e fëmijërisë do të realizohej në Kinë, një vend shumë larg Oldenbrug-ut, vendlindjes së tij në Gjermani.

"Në vitin 2008, kriza financiare globale ndikoi çdo qoshe të Europës, duke përfshirë edhe industrinë hoteliere. Prandaj, shkova në Pekin për relaksim, pa menduar aspak të zhvendosesha aty", i tha Alex-i revistës "Beijing Review", i cili më herët punonte në një kompani hoteliere në Londër.

I ftuar nga dy miq kinezë, Alex preku tokën e Kinës për herë të parë në vitin 2008 për të parë Lojërat Olimpike Verore. Ai u impresionua nga zhvillimi i shpejtë dhe shanset e shumta, të cilat e bënë atë të merrte vendimin për një jetë të re këtu.

Pas Lojërave Olimpike, Alexi dha dorëheqjen nga puna në Londër dhe fluturoi direkt drejt Pekinit. "Ky është vendimi më i mirë që kam bërë deri tani", i tha "Beijing Review", 42 vjeçari gjerman.

Pasi punoi për gjashtë muaj në një kompani gjermane në Pekin, Alexi u transferua në Shenyang, kryeqendër e provincës Liaoning të Kinës Verilindore për një projekt njëvjeçar me prodhuesin e automjeteve BMW.

Atje, shumë miq të tij ankoheshin për mungesën e furrave të bukës si atë në Gjermani dhe shpesh detyroheshin të sillnin bukë të importuara nga Gjermania gjatë shërbimit me punë në Pekin apo Shangai. Alexi kuptoi menjëherë se ky ishte një shans i mirë biznesi dhe filloi të vepronte. "Zotërimi i një biznesi ka qenë ëndrra ime që kur isha e vogël. Kështu tani, shpesh u them familjarëve dhe miqve në Gjermani se duhet të vija këtu më herët sepse do ta kisha realizuar më herët ëndrrën time", tregon Alexi.

Në vitet '30 të shekullit të kaluar, para Luftës së Dytë Botërore, stërgjyshi i Alex-it nga familja e së ëmës, Bernhard Wempe, kishte një furrë buke në Oldenburg.

"Për popullin gjerman, buka është ushqim tradicional dhe më i pëlqyer, si jiaozi-të për kinezët. Buka zakonisht shoqërohet me sallam, proshutë dhe reçele të shumëllojshëm. Për mua, gjëja më e bukur e ëndrrës sime, është vijimi i biznesit të stërgjyshit, por pas 80 vjetësh në Kinë," tha ai.

Tani, furra e bukës Wempe është bërë e njohur dhe ka tre filiale në Pekin që janë ofrues të privilegjuar për hotele si Hilton, Hyatt, Kempinski dhe Summerset.

Për emrin kinez të dyqaneve, Alexi e përcaktoi me shumë kujdes.

"Kinezët nuk përdorin shpesh emra familjarë në marka, por preferojnë fjalë që kanë kuptim të mirë dhe fatsjellës. Prandaj, e emërtova dyqanin me Wan Pai, i cili nga shqiptimi tingëllon si Wempe, por interpretohet në gjuhën kineze si pasuri, sepse Wan do të thotë 10 mijë dhe Pai do të thotë dërgim", shpjegon Alexi.

Pas suksesit në Pekin, ai planifikon ta zgjerojë biznesin në më shumë qytete të mëdha të Kinës. Por suksesi i tij nuk erdhi brenda një nate.

Biznesi i tij pasi u krijua në vitin 2012 dhe përballej me sfida të mëdha. "Buka gjermane njihet për shijen natyrore dhe lëndën e parë të shëndetshme. Prandaj, buka jonë nuk është aq e butë dhe e ëmbël si bukët e tjera këtu", tha ai.

Për këtë arsye, vetëm klientët gjermanë e frekuentonin fillimisht dyqanin e Alexit. Aso kohe, shumë miq e këshilluan që të bënte ndryshime në shije nëpërmjet shtimit të sheqerit. Por ai refuzoi dhe nguli këmbë të importonte materiale direkt nga kompania gjermane Buck-Shop, më e madhja e eksportit të bukës në Gjermani.

"Kisha premtuar t'u ofroja konsumatorëve të mi 100% bukë gjermane dhe duhet ta mbaja fjalën e dhënë," shpjegoi ai. Dhe këmbëngulja e tij rezultoi frytdhënëse. Gradualisht, buka Wempe tërhoqi më shumë klientë kinezë, që vlerësojnë tani produktet pa sheqer dhe shtesa ushqimore.

"Sekret i suksesit tim mendoj se është durimi, sepse të duhet kohë vërtet e gjatë që konsumatorët kinezë të pranojnë bukën tonë", i tha Alex-i revistës "Beijing Review".

Ndërkohë, përveç shtimit të dyqaneve, ai zgjeroi edhe biznesin e shitjes me shumicë. Në fillim, ai udhëtonte nëpër qytete të ndryshme të afërta për të prezantuar bukën e tij në restorante dhe bare. Porosia e parë erdhi nga një dyqan në Dalian që merrej me importimin e ushqimit. Kontrata e parë e bindi përsëri Alex-in të vazhdonte në rrugën që nisi sepse siç tha ai "kjo vërteton ekzistencën e klientëve të mundshëm".

Faktet e mëvonshme mbështetën idenë e tij dhe përpjekjet frytdhënëse. Tani, furra e bukës Wempe është bërë një importuesit ushqimit gjerman për restorante dhe bare për mbi 30 qytete dhe rajone të Kinës, duke përfshirë Pekinin, Shangain, Tianjin, Harbin dhe Hong Kongun.

Nga një këndvështrim më i gjerë, Kina po tërheq gjithnjë e më shumë të talente të huaja. Sipas një sondazhi të publikuar në nëntorin e vitit të kaluar nga banka e investimeve HSBC, pjesa kontinentale e Kinës është bërë destinacioni i dytë më i mirë me mundësi të përparimit në karrierë pas ShBA-së.

Siç mësohet, ndër mbi 27500 imigrantët e intervistuar në afro 150 vende e rajone të botës, 70% e atyre në Kinë u shprehën se qëndrimi në Kinë u kishte ofruar perspektivë më të gjerë profesionale.

Kjo shifër është 16 pikë përqindje më e lartë sesa një vit më parë. Analistët e Bankës HSBC vunë në dukje se si motor i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë globale, hapja dhe ecuria e Kinës po ofron gjithnjë e më shumë shanse për talentet e huaja. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore