Kina kujdeset: Zhvillimi i gjelbër, përparësi e qeverisë

2018-04-16 10:58:40 xinhua Komenti juaj Printoni

Mjedisi është baza e mbijetesës dhe e zhvillimit të njeriut. Me zhvillimin ekonomik, ndotja e mjedisit u bë një problem i pashmangshëm në Kinë. Tashmë në vendin më të populluar në botë, theksi, si kurrë më parë, është vënë në mbrojtjen e mjedisit, pakësimin e ndotjes dhe kufizimin e prirjes së keqësimit të gjendjes ekologjike.

Në mesin e zhvillimit të shpejtë ekonomik të Kinës në dekadat e fundit, mbi 700 milionë kinezë kanë dalë nga varfëria për të shijuar standardet më të mira të jetesës. Pekini kishte nisur një rrugë drejt urbanizimit të vendit që i dha mundësinë qindra miliona fermerëve të lëviznin drejt qyteteve më të mëdha për të gjetur punë më të mira.

Strategjia dukej e efektshme, por rritja e sektorit të prodhimit vendas, përfundimisht çoi në rritjen e ndotjes së ajrit.

Por, Presidenti kinez Xi Jinping po e trajton problemin duke bërë thirrje që qeveria qendrore të reformojë strukturën ekonomike të vendit në favor të zhvillimit të Gjelbër dhe përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së ajrit.

Mënyrë e zgjuar për rritjen

Kabineti qeveritar i Kinës, Këshilli i Shtetit dhe Asambleja Kombëtare Popullore (AKP), kanë paraqitur masa për të miratuar ligje më të ashpra kundër ndotësve të mëdhenj, mbështetjen e ndryshimit të përdorimit të lëndëve djegëse, pra zhvendosjen nga qymyri dhe lëndët djegëse, duke siguruar më shumë subvencione për energjinë e rinovueshme të gjelbër.

Në një seri fjalimesh, Xi ka propozuar pesë konceptet e zhvillimit të "novacionit, koordinimit, gjelbërimit, hapjes dhe ndarjes (gëzim të përbashkët të rezultateve)".

Për herë të parë në historinë e Kinës, "zhvillimi i gjelbër" u përfshi në planin e 12-të pesëvjeçar të AKP-së (2011-2015) dhe u theksua edhe më tepër në planin e 13-të 5-vjeçar (2016-2020) të qeverisë kineze.

Plani i 13-të 5-vjeçar është një projekt që përfshin vënien e ndërtimit të 'qytetërimit ekologjik' në një vend strategjik dhe ndërthurjen e tij me konceptet e tjera kryesore kombëtare. Ky projekt e pasqyron një frymë të tillë. Në planin e 13-të 5-vjeçar, zhvillimi i gjelbër shfaqet si shpirti i zhvillimit të Kinës, prandaj mund të themi që ky projekt është i nivelit të përparuar botëror.

Objektivat ekologjikë të Pekinit kanë dhënë tashmë rezultate të dukshme dhe vërtetojnë qartë angazhimin e qeverisë për një Kinë më të gjelbër. Në vitin 2012, energjia e pastër - hidrike, era, dielli dhe bërthamorja - përbënin 14.5 për qind të konsumit total të energjisë së Kinës, ndërsa sipas planit dhe kujdesit të treguar në këtë drejtim, deri në fund të vitit 2016, energjia e pastër u rrit në gati 20 përqind.

Gjigandi i energjisë së gjelbër

Hu Angang, dekani i Institutit të Studimeve Bashkëkohore të Kinës pranë Universitetit Tsinghua të Pekinit, theksoi se politikat e gjelbëra jo vetëm që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm, por mund ta mbajnë elastike ekonominë e Kinës.

Kina është bërë lider botëror në tregjet e prodhimit dhe konsumit të energjisë së gjelbër. Sektori i rinovueshëm ka njohur një rritje të jashtëzakonshme me mbi 300 milionë kineze të cilët varen nga energjia e gjelbër.

Kina është konsumatori më i madh në botë i djegies së pastër, gazit natyror të lëngëzuar (GNL), ndërsa po bashkëpunon me Rusinë për ndërtimin e tubacioneve që kalojnë nga Siberia në rrjetin elektrik të Kinës.

Provinca Qinghai e Kinës veriperëndimore është kthyer në një qendër për energjinë e gjelbër dhe rajone të tjera do të ndjekin gjithashtu një zhvillim më të fortë në këtë drejtim.

Ndërtimi i një "Kine të bukur"

Kina shpreson të ndërtojë një "Kinë të bukur" me rëndësi ekologjike dhe kulturore. Shumë kinezë i janë bashkuar një sërë nismave eko-miqësore.

Kompania kineze, "Elion Resources Group", ka angazhuar vendasit për të mbjellë pemë në shkretëtirën Hobq në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme. Si pasojë, Kina veriore ka përjetuar më pak stuhi rëre, ndërsa fermerët në rajon kanë rritur të ardhurat e tyre duke rritur bimët medicinale.

Pekini ka vendosur gjithashtu objektiva të mëdha për të zgjeruar tregun e energjisë së rinovueshme. Kina pritet të prodhojë 150-200 GW (gigavat) energji diellore dhe 250 GW energji nga era deri në vitin 2020.

Kina ka përcaktuar qytete me nivele të ulëta të karbonit që do të kenë zona eko-miqësore në Shangai, Zhuhai, Qingdao, Wuxi, Kunming, Wuhan, Sanming, etj.

Ndërkohë, u themelua një Task Forcë e Gjelbër Financuese për dhënien e kredive dhe IPO-ve (ofertave publike fillestare) për kompanitë dhe qeveritë vendore që zbatojnë një axhendë eko-miqësore.

Tejkalimi i pritshmërive për një Kinë të gjelbër

 

Kina ka bërë arritje të jashtëzakonshme për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe pastruar ujin, si edhe peizazhet dhe burimet natyrore në dekadën e fundit. Nuk ka qenë e lehtë, pasi rregullat e ashpra kundër ndotësve mund të rezultonin në një ngadalësim të dukshëm ekonomik të vendit.

Megjithatë, PBB-ja e Kinës vazhdon të shohë norma më të larta se rritjet vjetore të parashikuara. Presidenti kinez Xi Jinping, duke punuar me qeverinë, bizneset dhe qytetarët, të gjithë sëbashku kanë gjetur bilancin e duhur për zhvillimin e qëndrueshëm.

Deri më tani, Kina ka bërë lëvizjet e duhura dhe ne mund të presim që vendi të vazhdojë në rrugën e duhur drejt prosperitetit që mbështet të dyja, politikat e gjelbra dhe vende të mira pune për të gjithë kinezët.

Kina mund të shërbejë si një shembull i shkëlqyer edhe për vendet e tjera, të cilat favorizojnë zhvillimin e shpejtë ekonomik, por i përmbahen gjithashtu një perspektive eko-miqësore.

Kina, 7.5 miliardë dollarë shkojnë për mbrojtjen e mjedisit

Kina ka llogaritur që për këtë vit të shpenzojë 49.7 miliardë juanë (rreth 7.5 miliardë dollarë amerikanë) për të mbështetur mbrojtjen e mjedisit.

39 miliardë juanë janë shpërndarë deri më tani për kontrollin e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës, tha një zyrtar i departamentit të planifikimit dhe financave të Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Ju Yanxin, në një konferencë shtypi.

Sipas tij, 16 miliard juanë nga financat qendrore janë rezervuar për të mbështetur përpjekjet e kontrollit të ndotjes së ajrit në 13 rajone në nivel provincash, në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei e zonat përreth, në Delta të lumit "Yangtze" dhe Delta të lumit "Pearl".

Shpenzimet e qeverisë qendrore për të njëjtin qëllim kanë kaluar 27.2 miliardë juanë që nga fillimi i periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), gjë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit në zona kyçe, tha Ju.

Qeveria qendrore ka caktuar gjithashtu 8.5 miliardë juanë për luftimin e ndotjes së ujit dhe 6.5 miliardë juanë për kontrollin e ndotjes së tokës. (Haris Vongli)

Mrekulli
Lajmet Kryesore