Jinjiang, qendër botërore e prodhimit të veshjeve sportive

2018-04-02 11:28:03 CRI Komenti juaj Printoni

Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore 2018, kur delegacioni i Kinës parakaloi në stadiumin e Olimpik të Pyeongchang-ut, kostumet e tyre tërhoqën menjëherë vëmendjen e spektatorëve.

Këto veshje u prodhuan nga ANTA Sports, një markë kineze, që radhitet në vendin e tretë në botë, pas Nike dhe Adidas.

"Ne kemi krijuar një partneritet me Komitetin Olimpik të Kinës që nga viti 2009", thotë Ding Shizhong, drejtori ekzekutiv i ANTA-s. Sipas tij, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022 që do të mbahen në Pekin dhe Hebei, sportistët kinezë do vishen sërish veshjet e kompanisë së tij.

Vitin e kaluar, ANTA shiti 60 milionë palë këpucë, 80 milionë veshje sportive. Ndërsa në janarin e sivjetshëm, vlera e kompanisë në bursë i kaloi 12.8 miliardë dollarë amerikanë.

ANTA është vetëm një mishërim i kompanive të tjera të suksesshme sportive në Jinjiang të provincës Fujian në juglindje të Kinës. Këtu është baza më e madhe botërore e prodhimit të këpucëve atletike. Në Jinjiang prodhohen 40% e këpucëve sportive të vendit dhe 20% e tyre të botës.

Si një qytet bregdetar që ndodhet në itinerarin e Rrugës Detare të Mëndafshit, banorët e Jinjiang-ut që nga lashtësia kanë traditë tregtinë me botën. Që nga fillimi i viteve '80 të shekullit të kaluar, kur Kina sapo u hap ndaj tregut të huaj, biznesmenët vendorë, duke shfrytëzuar epërsinë gjeografike filluan shitjen e mallrave të huaja në krahina të tjera. Shumë shpejt, ata zbuluan se këpucët sportive mirëpriteshin shumë nga konsumatorët.

Eratat është kompania e parë e Jinjiang-ut që nisi prodhimin e këpucëve sportive në vitin 1983. Ndërsa, pas katër vjetësh Ding, krijoi në vitin 1991 ANTA-n kur ishte vetëm 20 vjeç. "Asaj kohe, njerëzit nuk kishin ndonjë ide për veshje sportive apo të përditshme. Por, këto veshje janë shumë komode për lojërat sportive, ndaj dhe morën mbështetje të jashtëzakonshme nga kinezët", i tha Ding agjencisë së lajmeve Xinhua.

Ai e përshkroi rritjen e kësaj industrie me fjalën "eksplozive" dhe gjatë këtij procesi, prodhuesit e këpucëve sportive dolën si "kërpudhat pas shiut" në tërë qytetin. Por këto ethe përfunduan pas vitit 2008, kur vetëm në Jinjiang kishte mbi 3000 fabrika dhe 21 ndërmarrje të listuara në bursa që merreshin me prodhimin e këpucëve sportive.

"Atëkohë, shumë kompani prodhuan produkte të ngjashme e me përfitim të ulët, duke e dobësuar aftësinë konkurruese. Prandaj, kur erdhi kriza financiare, shumica e tyre falimentoi dhe vetëm një pjesë e vogël shpëtuan, duke përfshirë ANTA-n, Xtep, 361 Degrees," tha z. Ding.

Ai ia atribuoi suksesin e tij novacionit: "ANTA themeloi laboratorin e parë në Kinë për studimin e shkencës sportive dhe prodhimin e këpucëve me teknologji të lartë. Rezultatet e mëvonshme vërtetuan se këto shpenzime janë të frytshme. Tani, kemi hapur edhe qendra stilizimi në ShBA, Japoni dhe Korenë e Jugut".

Ndërkohë, ANTA ka shpejtuar ndërkombëtarizimin e markës së veë. "Shtresa e mesme e Kinës po zgjerohet. Prandaj, blemë edhe disa marka të njohura ndërkombëtare si FILA, Descente dhe Sprandi. Ardhja e tyre jo vetëm plotëson kërkesat e konsumatorëve kinezë, por edhe ndihmon në përhapjen e fames së ANTA-s në tregun global," tha z. Ding.

Në Jinjiang ka një ekip futbolli që quhet Spartacus FC, lojtarët e cilit vijnë nga Holanda, Spanja, Britania, Finlanda, Franca etj. Michael-i është kapiteni 28-vjeçari i ekipit nga Holanda. Ai ka pasur një karrierë profesionale në atdhe si lojtar i klubit PSV të qytetit Eindhoven. Mirëpo pas lëndimit të rëndë, ai u largua dhe tani punon në Jinjiang si trajner. Me paraqitje të dalluar, ekipi i tij ka fituar disa herë kampionatet amatore vendore, si dha ka marrë sponsorizim nga kompanitë e veshjeve sportive. Në sytë e tij, cilësia e këpucëve këtu është e barabartë me ato markave të tjera botërore. "Ato duhet të njihen nga më shumë njerëz në botë", komentoi ai.

Për tregun botëror, kompanitë nga Jinjiang si ANTA, 361 Degree etj,. kanë nënshkruar edhe kontrata me basketbollistë amerikanë të NBA-it për promovimin e produkteve në vende të tjera. Në qershorin e vitit të kaluar, ekipi Golden State Warriors fitoi kampionatin e NBA-it dhe basketbollisti Klay Thompson ra në sy për këpucët e tij të firmës ANTA.

Tani në Jinjiang operojnë mbi 3000 kompani të veshjeve sportive dhe vëllimi i prodhimit të këtij sektori arriti në 23.3 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2016, duke zënë 34% e vlerës industriale vjetore të qytetit.

Në planin afatgjatë, bashkia e Jinjiang-ut ka nxjerrë së fundmi një plan, në të cilin përcakton se para vitit 2020, industria e përgjithshme sportive e këtij qyteti do të kalojë në 28.3 miliardë dollarë amerikanë, 1/9 e të cilëve realizohet nga konsumi qytetarëve që kryejnë stërvitje të rregullta sportive.

Gjithashtu, në qytetin Jinjiang do të organizohet Spartakiada 2020 dhe katër herë radhazi Kupa Botërore e Futbollit e Universiteteve (FISU) përkatësisht në vitin 2019, 2021, 2013 dhe 2025. Këto veprimtari do të shërbejnë për të ndryshuar imazhin e qytetit nga një bazë manifakture në një qytet sportiv.

Markat e veshjeve sportive në Jinjiang synojnë gjithashtu të zgjerojnë biznesin e tyre në fusha të tjera. Për shembull, në mars të këtij viti , 361 Degress publikoi planin për zhvillimin e sportit elektronik, me qëllimin të tërheqë më shumë të rinj. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore