Ningbo-Zhoushan, porti më i madh i botës

2018-02-26 15:32:58 CRI Komenti juaj Printoni

Gjatë epokës së "Lundrimeve të Mëdha", vendet europiane krijuan kanale detare për zgjerimin e tregtisë ndërkombëtare. Kurse Kina e atëhershme, i ndaloi zbulimet detare, duke mbyllur edhe mundësinë e zhvillimit ndaj botës së jashtme. 500 vjet më vonë, ajo është kthyer në arenën globale me një imazh të ri dhe paraqitje të mirë në menaxhimin e porteve.

Një raport i një prej institucioneve më të njohura botërore të klasifikimit të anijeve, 'Lloyd's Register of Shipping' tregon se shtatë ndër dhjetë portet më të mëdha në botë, gjenden në Kinë. Sot, le të njihemi me portin Ningbo-Zhoushan, që synon jo vetëm përparim në biznes por edhe integrimin e tij me zhvillimin e ekonomisë kombëtare.

Më 27 dhjetor të vitit 2017, vëllimi vjetor i përpunimit të mallrave në portin Ningbo-Zhoushan arriti në 1 miliard tonë, duke mbajtur për nëntë vjet radhazi vendin e parë në nivel global.

Zv.kryemenaxheri i grupit që operon portin, Sun Daqing, i tregoi CRI-së procesin e zhvillimit të portit të Kinës Lindore:

"Ningbo-Zhoushan formohet nga bashkimi dy porteve që ndodhen përkatësisht në qytetin Ningbo dhe Zhoushan. Në vitin 2005, presidenti Xi Jinping, guvernatori i atëhershëm i provincës Zhejiang vendosi të kombinonte këta dy porte meqë ai i Ningbo-së kishte epërsi në kapacitetin e përpunimit, kurse porti i Zhoushan-it, pavarësisht se i vogël zotëronte kushte më të favorshme natyrore. Në sajë të kësaj mase, vetëm një vit më vonë, të dyja portet trajtuan një vëllim prej mbi 400 milionë tonë mallra, me shkarkim-ngarkimin e 7 milionë kontejnerëve. Që nga viti 2009, porti i bashkuar Ningbo-Zhoushan u bë porti më i madh në botë dhe ky pozicion nuk ka ndryshuar preh asaj kohe."

Si porti më i madh në botë dhe një pikënisje e rëndësishme e Rrugës Detare të Mëndafshit në lashtësi, porti Ningbo-Zhoushan po bën tani përpjekje për të marrë pjesë në nismën shtetërore "Një brez, një rrugë".

"Deri në fund të vitit të kaluar, porti ynë ka hapur 86 linja detare me vendet e nismës 'Një brez, një rrugë'. Nëpërmjet 30 linjave drejt Azisë Juglindore, jemi bërë një pikë e rëndësishme tranziti e mallrave të tyre drejt tregjeve japoneze, jugkoreane dhe amerikane. Kemi vënë në funksion 11 linja detare-hekurudhore, duke u ofruar shërbime 36 qyteteve të mëdha të vendit në transportimin e produkteve në Azinë Qendrore, Veriore dhe Europën Qendrore e Lindore", tha z. Sun.

Por suksesi i portit më të madh në botë që përpunon mbi 1 miliard tonë mallra në vit nuk arrihet vetëm me politika të favorshme, por me përpjekje të shumta në fusha të ndryshme.

Në të kaluarën, biznesi i porteve të Kinës ishte vetëm ngarkim-shkarkimi dhe depozitimi i thjeshtë i mallrave. Por porti Ningbo-Zhousha është vazhdimisht i angazhuar për ta ndryshuar këtë gjendje.

Pak kohë më parë, një kontingjent materialesh fotovoltaike u nis nga porti Ningbo-Zhoushan për në Brazil. Para ngarkimit të produkteve, porti i kishte ofruar klientit brazilian shërbime logjistike zinxhir, duke përfshirë transportim hekurudhor-detar (nga fabrika në port), depozitimin dhe kryerjen e procedurave doganore. Tani, shumë anije nga Japonia, ShBA-ja, Gjermania dhe Kili zgjedhin këto shërbime duke kursyer kohë dhe energji.

Ndërsa, furnizimi me karburant, mbushja e ujit të pijshëm dhe plotësimi i kërkesave bazë të marinarëve përbëjnë një eksperiencë të pasur. Më parë, anijet e huaja ishin mësuar që t'i zgjidhnin këto probleme në Singapor dhe Japoni. Por tani porti Ningbo-Zhoushan, ndërtoi një dok lundrues pranë magazinave në një zonë afër me atë të tregtisë së lirë. Tani, çdo ditë anijet e prapavijës punojnë 24 orë pa pushim për t'u ofruar këto shërbime mbi 20 mijë anijeve që hyjnë dhe dalin çdo vit në portin Ningbo-Zhoushan.

Ngritja e nivelit teknologjik është një faktor i rëndësishëm. Porti Ningbo-Zhoushan është i pari në Kinë që përdor gjerësisht pajisjet e inteligjencës artificiale. Ai ka studiuar edhe një sistem modern të klasifikimit të kontejnerëve. Me anën e kamerave dhe aparateve automatike të njohjes, punonjësit mund të mbarojnë tërë punën nga zyra me anë të kompjuterit.

Qyteti Ningbo luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në shkëmbimet ekonomike midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore të përfshira në mekanizmin e bashkëpunimit '16+1'.

Këtu ka një qendër tregtare të produkteve që vijnë nga Europa Qendrore e Lindore, ku ekspozohen mbi 3000 produkte të këtij rajoni. Janë organizuar deri tani tre panaire tregtare, ku morën pjesë dhjetëra firma shqiptare dhe mësuan reagim shumë pozitiv të konsumatorëve kinezë. Ningbo ka krijuar 30 pika të shitjes në mbarë vendin dhe ka hapur një platformë elektronike të produkteve të importuara nga Europa Qendrore e Linodre.

Deri tani, porti Ningbo-Zhoushan ka hapur linja drejtpërdrejta detare me portin Gdansk të Polonisë, Koper të Sllovenisë, Konstancës të Rumanisë, Rijeka të Kroacisë, si dhe linja të tjera tranziti për në Mesdhe dhe vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore.

Lidhur me këtë, z. Hong Qihu, drejtor i Departamentit të Biznesit të portit Ningbo-Zhoushan i tha CRI-së se shkëmbimet do të forcohen duke ofruar shërbime më të mira.

"Mbi 80% e mallrave që qarkullojnë në mbarë botën transportohen nëpërmjet linjave detare. Prandaj, mund të them se portet si nyje të rëndësishme të logjistikës mund të forcojnë shkëmbimet nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të mira. Vitin e kaluar, vëllimi tregtar midis qytetit tonë dhe Europës Qendrore e Lindore i kaloi 20 miliardë dollarët, ndër të cilat, porti ynë ka luajtur një rol mjaft nxitës," tha ai.

Mrekulli
Lajmet Kryesore