Viti i Ri kinez, si në shtëpi

2018-02-19 13:32:47 CRI Komenti juaj Printoni

Festa e Pranverës, e njohur gjithashtu si Viti i Ri kinez, është padyshim festa më e rëndësishme në Kinë e në fakt ndikimi që ajo ka në jetën e të huajve që jetojnë këtu, është i madh, pasi traditat dhe kultura e vendit ku jeton bëhen në një farë mënyre pjesë e së përditshmes tënde, jetës tënde të re. Shumë të huaj në Kinë, gjatë Festës së Pranverës, shfrytëzojnë rastin për të mësuar më shumë rreth Kinës dhe popullit të saj, ndërsa unë çdo ditë mësoj diçka të re që më bën ta dua edhe më shumë këtë vend.

Pekini zakonisht është i tejmbushur me njerëz dhe i zënë me aktivitete nga më të ndryshmet, por gjithashtu i përshtatshëm dhe i hapur si të gjitha metropolet e tjera ndërkombëtare. Gjatë sezonit të Festës së Pranverës, qyteti bie paksa në qetësi dhe kush vendos të qëndrojë në kryeqytet për të festuar, ka më shumë mundësi për të shijuar bukuritë e tij arkitekturore, sidomos tempujt dhe lagjet e vjetra me shtëpitë tradicionale kineze, të ashtuquajturat hutongje, disa prej të cilave janë kthyer në ekspozita, restorante, bare e dyqane. Këtë javë vizitova "Tempullin e Qiellit", "Tempullin Lama" dhe hutongjet përreth tij. Nuk ngopem me Pekinin, sidomos gjatë festave, gjithmonë më surprizon, gjithmonë ka diçka të re që dua të zbuloj, një energji të mirë, miq që janë gjithmonë pranë teje.

Unë jam rritur me festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në Shqipëri dhe Europë. Dhjetori ka qenë gjithmonë, pas pushimeve verore, periudha e pushimeve të dyta më të gjata, muaji i festave aq të dashura të fundvitit që shumëkush i pret me padurim. Viti i Ri kinez është gjithashtu një ndër festat më të gjata, që të jep kohë të udhëtosh në qytetet e tjera të vendit, ato të fëmijërisë, apo në shtete e kontinente të tjerë, të përgatitesh të lësh pas vitin e vjetër e të mirëpresësh gjithçka të re që do të sjellë viti tjetër, përse jo me projekte të reja, me një fillim tjetër krejt të ri. Psikologjikisht e shpirtërisht, Festa e Pranverës të bën të përjetosh kalimin nga viti i vjetër në vitin e ri.

Ky është viti im i tretë në Pekin. Pas dy vitesh studimesh Master pranë Universitetit Tsinghua të Pekinit, unë u riktheva për të punuar pranë Radios së Jashtme të Kinës (CRI), në redaksinë e Shqipes, ku flitet gjuha ime e ku kaloj pjesën më të madhe të ditës. Të studiosh dhe jetosh në Kinë janë dy eksperienca të cilat ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, por një karakteristikë dalluese që më ka shoqëruar në përvojat e mia akademike dhe profesionale gjatë kësaj kohe, ëshë pikërisht dashuria e njerëzve që më rrethojnë për familjet e tyre dhe përkushtimi i madh që populli kinez ka për festat e tij kombëtare.

Festa e Pranverës e ka veshur Pekinin me të kuqe, me fenerë e zbukurime të varura kudo në rrugë, dyqane, dyer e dritare, një e kuqe që të kujton çdo çast se kjo është periudha më e rëndësishme e vitit, por mbi të gjitha të kuqe kam ndjerë zemrat e njerëzve të cilat i kam gjetur të ngrohta e mikpritëse kudo ku kam shkuar.

Shqipëria, një vend i vogël shumë dhe Kina, vendi më i populluar në botë, janë sa të kundërt aq edhe të ngjashëm, pasi familja është shtylla e çdo gëzimi dhe unë kam qenë më shumë sesa me fat të bëj miq kinez të cilët kanë hapur për mua jo vetëm zemrat por edhe shtëpitë e tyre. Prisja me padurim ardhjen e këtij Viti të Ri, pasi të enjten, më 15 shkurt isha ftuar për darkën familjare të Festës së Pranverës në familjen e një mikeshës sime, ku u bënë bashkë një grup i madh miqsh e familjarësh për të festuar e gëzuar së bashku pikërisht vigjiljen e ndërrimit të viteve, një moment që ka të njëjtin kuptim dhe emocion tashmë edhe për mua, pasi unë jetoj këtu dhe jam përshtatur thuajse plotësisht me zakonet dhe jetën në Kinë.

Në vigjilje të Festës së Pranverës isha e rrethuar nga njerëz të mirë e të dashur, me pjesën më të madhe të të cilëve nuk komunikova dot në një gjuhë të përbashkët, por dashuria e kujdesi i tyre për çdo detaj rreth meje bënë që unë të ndihesha si në shtëpi. Prindërit e shoqes sime, mjekë në profesion por tashmë të dalë në pension, kishin filluar përgatitjet dhe gatimet që herët në mëngjes, "mezi presin të vish e të provosh gatimet e tyre", më tha Jean-i dhe ata "të kanë blerë disa postera me hieroglife "Fu" që t'i varësh në shtëpi për fat të mirë e lumturi".

Ata të dy e kanë pasion gatimin dhe e njohin shumë mirë kuzhinën kineze. Kishin orë të tëra që po përgatiteshin të mbushnin plot e përplot një tavolinë për 20 persona dhe e shpërfaqin me çdo mënyrë rëndësinë e madhe të këtij riti. E quaj rit pasi gatimi është vërtetë i tillë në Kinë dhe duke qenë se unë nuk e flas ende gjuhën e tyre, ata mundohen dhjetra herë më shumë që të më kënaqin dhe të kuptojnë mendimin tim për një lloj ushqimi apo një tjetër. Unë thosha herë pas here u ngopa, ndërsa ata ende më shtynin të haja më shumë, t'i provoja të gjitha, sidomos mbi 5 llojet e ndryshme "Jiaozi" (raviolit kineze), të mbushura me mish e perime.

Pjesën më të madhe të ravioleve i kishin përgatitur enkas për mua pasi ata e dinë që janë ushqimi im i preferuar. Ndërsa shijoja ushqimin e mrekullueshëm që kishin gatuar prindërit e Jean-it e diskutoja me të ftuarit mbi Kinën dhe jetën e të huajve këtu, ajo më shpjegonte se çfarë i thoshte e ëma për mua dhe cilindo ushqim që provoja. " 'Raviolet' do t'i sjellin fat këtë vit", shpjegonte babai i Jean-it gjithmonë i buzëqeshur. Ajo ishte ulur midis nesh që të përkthente çfarë i thoshim ne njëri tjetrit, por që me sy kuptonim shumë, çfarë me fjalë nuk i shprehnim dot. Shtëpia gumëzhinte nga të qeshurat e urimet, përplasjet e gotave të verës, "gambei" (gëzuar, me fund), nga performanca në piano e fëmijëve të miqve tanë dhe bisedat mbi secilin gatim aq të shijshëm, që veç shijes, çdo pjatë e përbërës ka edhe një domethënie a histori të sajën.

Mendoj se pak njerëz kanë fatin të festojnë dy herë Vitin e Ri. Në dhjetor unë shkëmbeva urime me miq e familjarë nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve shoqërore, por javën që shkoi përjetova ndjesinë e vërtetë të ndërrimit të viteve mes miqsh të mirë e të dashur e shumë të veçantë, të cilët më kanë bërë të ndihem gjithmonë si në shtëpi.

Mbrëmja festive ishte shumë familjare për mua, ndjeva sikur e kisha festuar këtë festë tradicionale kineze edhe shumë herë të tjera vite më parë. Sado larg vendlindjes, këtu kam gjetur copëza të Shqipërisë. Pavarësisht vendit, festën e bëjnë njerëzit. (Haris Vongli)

Mrekulli
Lajmet Kryesore