Rritës i pandave, punë e lehtë vetëm në dukje

2018-02-19 13:30:05 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas statistikave, deri para fundit të vitit 2015, në Kinë kishte 422 arinj panda që të rriten të kontrolluar brenda rezervateve të posaçme dhe 1864 të tjerë që rriten në mënyrë të egër në natyrë. Kjo shifër është shumë më e lartë sesa ajo prej 1100 panda që numëroheshin në vitin 2000.

Disa adhurues të pandave e quajnë punën e rritësve të këtyre kafshëve si: "puna më e mirë, më e këndshme dhe më interesante në botë". Por këto përcaktime nuk mjaftojnë për të përshkruar punën që bëhet për rritjen e pandave.

Natyrisht, punonjësit ndihen të gëzuar kur mbajnë në duar dhe ushqejnë një këlysh panda, apo luajnë me pandat e rritura në natyrë. Por këto çaste gazmore që dashamirësit e pandave shohin shpesh në kanalet televizive apo në transmetim të drejtpërdrejtë në internet janë vetëm një pjesë e vogël e realitetit. Një tjetër mision i tyre i rëndësishëm është trajnimi i pandave që rriten në rezervate që të përshtaten me jetën në natyrë dhe shpesh ky proces shoqërohet me plagë apo dëmtime të përhershme fizike.

"Trajnimi i pandave është shumë i rrezikshëm. Rritësit duhet të punojnë me orar të zgjatur dhe të bëjnë trajnim në natyrë në kushte të vështira, ku shpesh rrezikohen të sulmohen nga pandat ose kafshë të tjera si arinjtë apo derrat e egër", tregon z. Zhang Dalei, një kujdestar i pandave në Qendrën e Studimit dhe të Mbrojtjes së Pandave në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore.

Rritësit e pandave veshin kostume të posaçme ku spërkatet urina e pandave për të pakësuar ndikimin njerëzor në mjedisin e rritjes së pandave. Megjithatë, aksidentet në këtë mjedis janë të pashmangshme.

42 vjeçari Weihua u lëndua rëndë në vitin 2016 nga panda femër Ximei, e cila e kafshoi disa herë dhe e tërhoqi zvarrë në një rrugë të gjatë në qendrën e trajnimit. Pasojat e sulmit ishin katastrofike: dy kyçe dore të thyer, dëmtime në këmbë, plagë të shumta dhe dora e majtë e gjymtuar. Ai u sulmua nga Ximei kur bëri kontrollin e të voglit të Baxi, gjë që në sytë e kësaj nëne të fuqishme përbënte rrezik për djalin.

Sipas kolegut të Wei-t, z. Zhang Dalei, trajnimi i pandave synon që kafshët që rriten në rezervate të mësohen me jetën në natyrë, e cila është domosdoshme për t'i dhënë larmi gjenetike dhe të parandaluar zhdukjen e tyre. I vogli i pandës Ximei, Baxi për shembull, u kthye në mal një vit më vonë dhe jeton mirë në bazën e mëparshme të trajnimit. Siç mësohet, gjatë dhjetë viteve të fundit, gjithsej shtatë panda u lëshuan në natyrë.

Përveç rreziqeve të sipërpërmendura, rritësit tani vihen edhe nën mbikëqyrje të rreptë nga dashamirësit e pandave.

Vitet e fundit, videot dhe transmetimi i drejtpërdrejtë në internet lidhur me jetën e pandave ka tërhequr kuriozitetin dhe vëmendjen e përdoruesve të internetit në mbarë botën.Shumë video dhe transmetime të drejtpërdrejta të publikuara në platforma si Bilibili.com etj., janë klikuar mbi një milion herë, ndërsa në YouTube, Twitter dhe Facebook, fotot e videot e pandave radhiten ndër përmbajtjet më të pëlqyera. Por, kjo do të shtim i presionit në punë për rritësit sepse tifozët u raportojnë autoriteteve për çdo gjë që u duket jonormale.

Në janarin e këtij viti, përdoruesit e internetit shprehën kritika të ashpra për një video të përhapur gjerësisht në internet, ku disa panda që rriten në Qendrën Studimore dhe të Rritjes të Chengdu-së, dukej sikur po ngordhnin për shkak të rënies së qimeve dhe shfaqjes së infeksionit. Në sytë e publikut, dukej sikur pandat po vuanin nga keqtrajtimi i rritësve.

Pas reagimit publik, qendra studimore publikoi një deklaratë, sipas të cilës, rënia e qimeve ndikohet nga shumë faktorë, ndërsa theksohej se veterinerët po përpiqeshin për të gjetur në mënryrë efikase mjekimi. Ndërkohë, klima vendore plot lagështirë është një tjetër arsye e rëndësishme për shfaqjen e infeksioneve te pandat. Megjithëse të gjitha pandat kishin marrë mjekimin, efekti i ilaçeve nuk është i njëjtë për të gjithë.

Kurse, panda Xiaoyapër që dukej se po ngordhte, përveç rënies së qimeve, nuk ka ndonjë problem tjetër shëndetësor dhe rezultatet e të gjitha analizave kanë dalë mirë. "Ngordhje e afërt" në fakt, ishte një gjendje e zakonshme në jetën e përditshme të pandave për t'u çlodhur.

Por ngjarja tronditi personelin dhe ndikoi pasionin e punonjësve të qendrave të rritjes dhe kopshteve zoologjike. Shumë rritës të pandave nuk guxojnë të flasin tani në publik për punën e tyre.

Si ambasadorë të dashamirësisë të popullit kinez, pandat kanë luajtur një rol unik në historinë politike dhe diplomatike të Kinës. Vitet e fundit, Kina ka forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar mbi studimet shkencore të pandave. Qendra e Studimit dhe e Mbrojtjes të Pandave të Kinës ka krijuar lidhje me 15 kopshte zoologjike në 13 vende të botës. Rasti i fundit është i binjakëve Huabao dhe Jinbaobao mbërritën në Helsinki më 18 janar, duke e bërë Finlandën, partneren e tetë europiane të Kinës për studimin e pandave. Kjo përbën edhe një pjesë të rëndësishme të punës së rritësve. Ata duhet të shkojnë me radhë në vendet me të cilat është vendosur bashkëpunim për t'u kujdesur për pandat dhe për të trajnuar rritësit vendorë.

Vitin e kaluar, Gapper, një organizatë vullnetarësh filloi një program duke organizuar studentë të shkollave të larta të mësonin rritjen e pandave në provincën Sichuan. Gjatë pesë ditëve, vullnetarët pastruan kafazet dhe përgatitën ushqim për pandat. "Megjithëse i ushqyem direkt dhe ishim shumë afër, na ndaluan t'i preknim pandat me duar.Ata kanë të drejtë sepse panda është kafshë vigjilente, me dhëmbë të mprehtë dhe fuqi të madhe", tha Huang, pjesëtar i këtij programi. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore