Europa synon më shumë turistë kinezë gjatë 2018-s

2018-02-12 14:44:31 CRI Komenti juaj Printoni

Ceremonia e nisjes së Vitit të Turizmit Kinë-BE u zhvillua më 19 janar në Vencie të Italisë. Temë e veprimtarisë së këtij viti është reklamimi i destinacioneve të panjohura europiane turistike ndaj turistëve kinezë.

Ky aktivitet, sipas znj. Dominique André, menaxhere të Tregut të Jashtëm të Drejtorisë së Turizmit të prefekturës Wallonie të Belgjikës "është një shans i artë".

"Nuk jemi aq të njohur sa Parisi apo Zvicëra. Prandaj, për të ngritur aftësinë konkurruese, do të shtojmë reklamimin së bashku me Luksemburgun dhe rajoni i Champagne-s i Francës Verilindore me temën, Vizita në rrafshnaltën Ardennes", i tha André agjencisë Xinhua.

Ajo shtoi se megjithëse Franca është një ndër destinacionet më të pëlqyera, turistët kinezë frekuentojnë më shumë Parisin dhe krahinat jugore të Francës. Por, prefektura belge e Wallonie-së, rajoni i Champagne-s dhe Luksemburgu ndodhen gjithashtu në rrafshnaltën Ardennes. Prandaj, një temë e tillë mund ta ndihmojë Belgjikën të tërheqë më shumë turistë.

Përveç këtyre, Drejtoria e Turizmit e Wallonie-së planifikon të propozojë edhe 'Itinerarin e Napoleonit' së bashku me Italinë dhe ishullin francez të Korsikës.

"Napoleoni është një figurë shumë e njohur në Kinë dhe qyteza Waterloo që gjendet në Wallonie është një ndalesë e rëndësishme e këtij itinerari", tha znj. André.

Belgjika nuk është i vetmi vend anëtar i BE-së që i kushton vëmendje të lartë njohjes së burimeve turistike ndaj vizitorëve kinezë.

Turizmi është industria e tretë më e madhe e BE-së, duke zënë 10% të GDP-së së përgjithshme, ndërsa financon mbi 25 milionë vende pune. Ndërsa, sipas të dhënave statistikore, vitin e kaluar, numri i turistëve kinezë që vizituan për herë të parë Europën arriti në gjashtë milionë. Duke marrë në konsideratë se çdo turist viziton të paktën dy vende, numri i udhëtimeve të tyre brenda territorit të Bllokut duhet t'i kalojë 12 milionët.

Në krahasim me turistët e vendeve të tjera, turistët kinezë shpenzojnë më shumë, duke arritur një mesatare për frymë prej 1485 euro. Prandaj, rëndësia e turistëve kinezë po rritet për rigjallërimin e turizmit europian dhe operatorët turistikë vendorë po përpiqen të nxisin bashkëpunim me palën kineze.

Por, krahas shtimit të vizitorëve, kanë ndodhur edhe probleme që kufizojnë pasionin e turistëve kinezë. Sipas znj. Wang Chenyan, sekretare e përgjithshme e Federatës Europiane për Turizmin Kinez, duhen përmirësuar katër aspekte.

"Së pari është marrja e vizave. Ky është faktori më i rëndësishëm që e vështirëson vizitën e turistëve nga Kina", tha ajo.

Tani, shtetasit kinezë me vizë turistike mund të qëndrojnë vetëm tre muaj në zonën Shengen. Nëse ata duan të rifuten, duhet të aplikojnë edhe njëherë për vizë. Ndërsa shumë vende të botës, duke përfshirë ShBA-në dhe Australinë, kanë nisur të lëshojnë viza me shumë kalime për turistët kinezë, politika e vizave e BE-së duket e prapambetur.

"Pasi Tunizia dhe Maroku hoqën vizat turistike në vitin 2017, numri i turistëve kinezë në këto dy vendeve u rrit me 300% dhe 500% respektivisht. Prandaj, ne shpresojmë se procedurat e lëshimit të vizave do të mund të thjeshtohen më tej dhe më vonë të vendoset udhëtimi pa viza", thotë znj. Wang.

Së dyti është garantimi i sigurisë së turistëve. Njoftimet e mediave flasin për plaçkitje të turistëve kinezë dhe shumë njerëz i tremben udhëtimit.

Së treti është qartësimi i ligjeve dhe rregullave për agjencitë turistike. "Operatorët kinezë në tregun europian dëshirojnë që autoritetet vendore të qartësojnë rregullat për të mbrojtur interesat e tyre në Europë. Si për shembull, operatorët në Kinë dhe ata në Europë, duhet të përcaktojnë përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e pikave turistike", shton znj. Wang.

Në fakt, provat për lehtësimin e udhëtimeve turistike për shtetasit kinezë në Europë kanë filluar të duken.

Program i certifikimit "Mirëpritje për Kinezët!" është një shembull. Kompania turistike italiane "Select Holding" në bashkëpunim me Akademisë së Turizmit të Kinës, ka propozuar një program për operatorët vendorë turistikë, që synon t'i ndihmojë ata të përmirësojnë strategjinë e shitjes së produkteve në Kinë dhe të përmbushin disa standarde të unifikuara gjatë pritjes së turistëve kinezë.

"Kemi caktuar një sërë standardesh bazë për shërbimet ndaj vizitorëve kinezë që përfshijnë ofrimin e shërbimeve kineze të pagimit, botimet informative në kinezisht etj. Duam që ky program të prezantohet edhe në hotele, aeroporte, muze, parqe dhe qendra tregtare për të plotësuar më mirë kërkesat e turistëve kinezë në Itali", thotë Jacopo Sertoli, kryeekzekutivi i kompanisë "Select Holding".

Disa ekspertë duan të nxisin bashkëpunimin me palën kineze edhe për shfrytëzimin e teknologjisë së informacionit si Big Data dhe të inteligjencës artificiale.

Z. Luigi Gambardella, kryetar i Shoqatës ChinaEU, i tha agjencisë Xinhua se gjithnjë e më shumë klientë kinezë preferojnë të bëjnë porosi nëpërmjet platformave elektronike për hotele, bileta avioni apo rezervimin e pikave turistike.

"Platformat mund të bëjnë analiza për preferencën e turistëve, duke krijuar produkte që u përshtaten më mirë kërkesave të tyre. Kina është e përparuar në këto drejtime dhe kompanitë europiane mund të zhvillojnë bashkëpunim me partnerët kinezë për të zgjeruar më tej tregun e tyre", theksoi z. Gambardella. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore