Horoskopi kinez 2018, Qeni dhe Derri

2018-02-05 14:44:56 xinhua Komenti juaj Printoni

Qeni

Qeni është shenja e 11-të e horoskopit kinez dhe në gjuhën kineze quhet Gǒu. Ju i përkisni shenjës së Qenit nëse keni lindur në vitet 1946, 1958, 1970, 1982, 1994, 2006 etj.

Simpatik dhe inteligjent, energjik për jetën dhe i përkushtuar në marrëdhëniet me të tjerët, Qeni nuk do t'ju zhgënjejë kurrë nëse përfitoni nga miqësia ose dashuria e tij.

Të lindurit në shenjën e Qenit preferojnë fshatin dhe jo qytetin. Atyre nuk u pëlqejnë udhëtimet, por dëshirojnë të kujdesen për shtëpinë, pasi janë shumë të lidhur me familjen. I ndershëm, besnik dhe xheloz, Qeni është gjithashtu gjaknxehtë nga natyra sa herë që përballet me probleme të së përditshmes. Ai nuk e pëlqen vetminë dhe kërkon mbi të gjitha siguri. Qeni është më konservatori dhe tradicionali nga të gjitha shenjat e tjera të zodiakut kinez.

Viti 2018 është një mundësi për Qenin që të konsolidojë arritjet e tij dhe të rigjejë motivimin, e gjithashtu një vit i lumtur, por ai duhet vetëm të dijë ku ta kërkojë lumturinë.

Në vitet e fundit, shumë njerëz të lindur gjatë vitit të Qenit janë përballur me shumë probleme dhe kanë kapërcyer shumë pengesa. Situata ndonjëherë të dhimbshme, në punë ose në jetën e tyre private, kanë ndikuar në krijimin e një karakteri të fortë tek ata, kështu që shumë prej tyre kanë mësuar se si të bëhen më pak altruistë për të ruajtur veten. Për fat të keq, kjo ka çuar në rritjen e vetmisë, ose në humbjen e disa elementeve thelbësore të mjedisit jetësor të tyre.

Por ky vit, i cili është edhe viti i Qenit, do të jetë një vit i bekuar për të lindurit në këtë shenjë. Të gjitha zhgënjimet dhe fatkeqësitë e fundit do të lihen pas e ditë më të mira do të vijnë. Në 2018-n, Qeni do të jetë i mbrojtur dhe i rrethuar nga njerëz dashamirës. Qeni zbulon tek vetja sekretet e dëshirave më intime të tij, pa pasur ndrojtje. Shumë vite mendimesh dhe reflektimesh kanë filluar të japin frytet e tyre, pasi ato nxjerrin në pah më qartë gjendjen shpirtërore më të thellë dhe më të fortë të Qenit.

Qeni gjithashtu arrin të zotërojë ankthet dhe dyshimet e shumta që e kanë rënduar për një kohë të gjatë e që kanë qenë burim bllokimi në jetën e tij. Pjekuria e Qenit, tashmë më e madhe, do të ketë efekte pozitive gjatë gjithë vitit 2018, veçanërisht për familjen dhe të afërmit e tij. Falë energjisë pozitive që e rrethon, fjala e mendimet e tij do të dëgjohen me më shumë vëmendje, kështu që ai nuk ngurron të japë këshilla objektive dhe mbështetje efektive për ata që janë në nevojë.

Për Qenin beqar, është koha të rinovojë gardërobën, pasi viti 2018 do të jetë viti i mundësive dhe takimeve me njerëz të rinj apo partnerë të mundshëm. Sidoqoftë, është e domosdoshme që Qeni të mos e zbulojë shumë shpejt altruizmin e tij e dashamirësinë natyrore. Qeni beqar që gjen partnerë Tigër, Kalë ose Lepur, ka të ngjarë që shumë shpejt të mbajë një unazë në gisht. 2018-a është me të vërtetë periudhë shumë e favorshme për të kurorëzuar marrëdhënien në çift.

Situata sentimentale e Qenit në çift është paksa e ndryshme. Meqenëse ky është fillimi i një cikli të ri për të lindurit e shenjës së Qenit, marrëdhënia në çift mund të dobësohet si pasojë e grindjeve të shpeshta. Keqkuptimet e së kaluarës mund të rishfaqen, gjë që pas disa diskutimesh të sinqerta e të gjata mund të rezultojë pozitive, duke ripërtërirë marrëdhënien dhe rritur dashurinë, ose, në të kundërt, mund t'i japë një goditje të fortë marrëdhënies, duke e çuar çiftin drejt divorcit. Por nga ana tjetër, dashuria e Qenit në çift mund të jetë edhe e fortë dhe marrëdhënia në çift e bukur, duke u bërë gjithmonë edhe më e rëndësishme për të dy partnerët.

Për sa i përket punës, të lindurit në shenjën e Qenit që kanë biznese të tyret, do të kenë një vit shumë të mirë për sa u përket të ardhurave . Qeni mund të presë që të fitojë një çështje ligjore ose të dalë me sukses në një provim apo konkurs për të cilin është përgatitur për një kohë të gjatë. Megjithatë, edhe nëse Qeni nuk arrin të bëhet shumë i pasur në vitin 2018, ai përsëri duhet të jetë në gjendje të konsolidojë qetësisht vendin e tij në shoqëri. Por duhet treguar kujdes, nuk këshillohet që Qeni të nisë projekte të reja utopike ose të angazhohet në përpjekje përtej fushës së tij të ekspertizës. Është më mirë për të që të zgjedhë shtigjet profesionale ku përvoja dhe aftësia e tij janë shumë të rëndësishme, ose të kënaqet me rezultatet pozitive të investimeve të tij të së kaluarës.

Derri

Derri është shenja e 12-të e horoskopit kinez dhe në gjuhën kineze quhet Zhū. Ju i përkisni shenjës së Derrit nëse keni lindur në vitet 1947, 1959, 1971, 1983, 1995, 2007 etj.

Sensual, besnik dhe i ngrohtë, Derri është një luftëtar, i cili e jeton jetën në maksimum. Thjeshtësia e tij në marrëdhënie me të tjerët, por edhe sensi i drejtësisë, e bëjnë atë një mik besnik, me të cilin nuk do të mërziteni kurrë.

Derri shqetësohet lehtë për të tjerët, por edhe për veten gjithashtu. Ai është i mbyllur, xheloz dhe shpeshherë me hije. Dëshira e tij për jetën dhe pasioni nuk njohin kufi, kështu që ai, në më të shumtën e rasteve, është një i dashur ideal, veçanërisht pasi ai ruan elegancën e tij të lindur dhe sharmin në të gjitha rrethanat, duke e bërë atë gjithashtu të papërmbajtshëm në një marrëdhënie çift. I merakosur për cilësinë e rrobave të tij, po aq sa dekorimin e banesës ose shtëpisë, Derri është një estet i përkryer, i cili i kushton shumë kohë pamjes së vet dhe kalon me orë të tëra para pasqyrës.

Gjatë vitit 2018, Derri pajtohet me vlerat themelore të respektit dhe vëmendjes ndaj të tjerëve. Në 2018-n, Derri do të bëjë çmos për të rivendosur rregull në jetën e tij sentimentale dhe miqësore.

Ai po ashtu do të përballet me momente paksa të vështira dhe do të përjetojë ankthe apo edhe gjykime të gabimeve të tij të së kaluarës, që siç duket vazhdojnë të lënë pasoja. Duke ditur se Derri e do shumë rehatinë, çështjet financiare mund t'i shkaktojnë telashe dhe të trazojnë qetësinë e tij. Derri duhet të bëj kujdes me shpenzimet e tij, sidomos në mes të vitit, ndërsa në veçanti rreth majit 2018, ai do të kuptojë se ka investuar me humbje, por ndoshta do të jetë vonë për të shmangur problemin me paratë.

Për sa i përket punës, Derri më në fund e kupton se është e nevojshme të jesh gjakftohtë dhe të shmangësh shumë situata kontradiktore. Megjithatë, ai ndonjëherë do të jetë i sigurtë se do ta fitojë betejën, ndaj do t'u shkojë gjërave deri në fund. Për vitin 2018, mund të ndodh që të lindurit në shenjën e Derrit të kenë shumë zhgënjime në marrëdhëniet profesionale dhe miqësore, si me kolegë, ashtu edhe me njerëz të afërm. Ata mund të ndihen të tradhtuar ose mashtruar. Për t'u qëndruar larg telasheve, këshillohet që Derri të paguajë çdo faturë apo borxh në kohë.

Gjatë këtij viti, Derri do të takohet me miq të së kaluarës, me të cilët kishte humbur kontaktin për një kohë të gjatë. Një ngjarje e pakëndshme, por edhe vetëdija e tij, mund ta detyrojë Derrin që të zbresë me këmbë në tokë dhe ta nxisë atë që më në fund të braktisë ëndrrat dhe iluzionet, të cilat i përkasin së shkuarës.

Në 2018-n, Derri beqar mund të takojë njerëz të rinj, sidomos në raste festash familjare apo kombëtare (lindje, dasma, Festa e Pranverës etj.), të cilët mund ta ndihmojnë atë që ta kalojë vitin në mënyrë paqësore dhe sa më bukur. Për sa kohë që Derri tregohet i përmbajtur në lidhje me jetën e tij private dhe nuk flet shumë për të me të tjerët, ai mund të jetojë një histori dashurie dhe pasionante të qetë e të lumtur. Përveç kësaj, Derri këtë vit mëson të mos thotë "po" shpesh, apo të jetë i mirësjellshëm aty ku nuk është e nevojshme. Ai mëson të shqetësohet më shumë për dëshirat e tij e t'i japë vëmendjen e duhur vetes.

Përsa i përket Derrit në çift, disa debate delikate mund të rishfaqen krejt papritur duke hapur plagë të vjetra, që do të sjellin mosmarrëveshje në çift. Por nëse konflikti do të marrë përmasa të mëdha, Derri këshillohet të tërhiqet e ta shtyjë diskutimin për më vonë. Në vitin 2018, mund të jetë koha që Derri të pranojë me qetësi gabimet e tij dhe kritikat.

Në aspektin profesional, pavarësisht ankthit që do të ndiejë Derri në vitin 2018, duke u gjendur i rrethuar nga një mjedis jo i favorshëm në punë, ai duhet të tregohet i fortë e të bëjë durim. Durimi do të jetë një ndihmë e madhe për Derrin që të arrijë me sukses qëllimet e tij për të ardhmen.

Të lindurit e kësaj shenje do të arrijnë të jenë më analitikë këtë vit. Do të jetë një vit mesatar, por me fat dhe momente të gëzuara, të cilat do të ndikojnë në shumë vendime të Derrit. Ai do të jetë gjithashtu në gjendje të shpërfaqë talentet e tij të ndryshme, shumë prej të cilave kanë qenë të fshehura për një kohë të gjatë, por rëndësi ka që ai do të lërë një përshtypje shumë të mirë tek miqtë e bashkëpunëtorët e tij.

Nga ana tjetër, Derri duhet të bëjë kujdes nga prapaskenat. Edhe nëse ai mendon se ka mbështetjen e shumë njerëzve, ata që janë keqdashës apo të pandershëm dhe xhelozë për Derrin, do të mundohen t'i bëjnë keq atij. Nëse Derri gjendet në një situatë jo shumë të përshtatshme, në një vend të sikletshëm e me njerëz të dyshimtë, ai këshillohet që të largohet nga aty sa më parë, madje pa thënë as lamtumirë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore