Si po e pasuron kitara një distrikt të varfër?

2018-01-29 15:56:46 CRI Komenti juaj Printoni

"Një ndër dy kitarat e këtij modeli që shitet në tregun botëror prodhohet në linjat e mia të montimit." Ky është z. Zheng Chuanjiu, i cili i prezanton agjencisë së lajmeve "Xinhua" fabrikën e tij. Është një Ibenez, markë e njohur japoneze kitare.

Zhengu ka qenë fermer dhe tani është kryemenaxher i Kompanisë së Instrumenteve Muzikore Shenqu, që mund të prodhojë 500 mijë kitara në vit, duke përfshirë gjashtë ndër dhjetë markat më të njohura botërore.

Fabrika e Zheng-ut që rrethohet nga vargmalet e larta, zë 50 mijë metra katrore në distriktin Zheng'an të provincës Guizhou, një ndër krahinat më të varfëra të Kinës. Qeveria lokale ka krijuar një park ekonomik për 29 prodhuesit vendorë të kitarave, me pritshmëri që kjo industri të ndihmojë në zbutjen e varfërisë. Tani, në fabrikën e Zheng-ut punësohen 600 punëtorë, shumica e të cilëve janë fermerë të varfër nga fshatrat aty afër. Vetëm vitin e kaluar, të gjitha kompanitë prodhuan 5 milionë kitara, duke e bërë Zheng'an-in një ndër bazat më të mëdha në botë të prodhimit të kitarave.

"Në fillim, njerëzit mezi besonin se shumë kitara me të cilat interpretojnë artistët më të njohur, prodhohen nga duart e këtyre fshatarëve", tregon Zheng-u. Ai vetë nuk i bie kitarës, por zotëron shumë mirë 186 teknika të prodhimit të kësaj velge. Ai shprehet se pasioni i ndryshoi jetën, duke kaluar nga bujqësia në prodhimin e kitarave.

I rritur në një fshat shumë të varfër, familja e Zheng-ut nuk ishte në gjendje të mbështeste fëmijët për shkollimin e lartë. Prandaj, pasi mbaruan arsimin e detyrueshëm të shkollës së mesme, Zhengu dhe tre vëllezërit u larguan nga shkolla për të lehtësuar barrën ekonomike të prindërve. Në vitin 1993, vëllai i tij gjeti punë në një fabrikë të prodhimit të kitarave në qytetin Guangzhou, 1300 kilometra larg vendlindjes dhe më vonë, Zhengu iu bashkua të vëllait në atë metropol industrial dhe qendër tregtare e Kinës Jugore.

Në Guangzhou, Zheng-u dhe i vëllai përvetësuan shpejt mjeshtërinë për prodhimin e kitarave. Niveli i tyre profesional i la përshtypje të thellë pronarit dhe ata u ngritën brenda një kohe të shkurtër në postin e menaxherit të linjave të montimit.

Nën drejtimin e Zheng-ut, instrumentet me cilësi të lartë dhe të qëndrueshme e ndihmuan fabrikën të fitonte shumë para. Gjithashtu jeta e Zheng-ut u përmirësua ndjeshëm. Por, ai nuk u kënaq me këtë dhe filloi të përgatiste planin për krijimin e kompanisë së vet. Ai u mbushi mendjen banorëve të fshatit të tij që punonin në këtë sektor në të njëjtin qytet që të mbanin anën e tij. "Disa prej tyre dinin teknika, disa dinin menaxhim dhe disa marketing. Prandaj, isha i bindur se mund të formonim një grup efikas biznesi të suksesshëm", i tha Zheng Chuanjiu agjencisë "Xinhua".

Me përpjekje të vazhdueshme, 17 banorë të Zheng'an-it lanë pagat e mira në fabrikat e mëparshme dhe mblodhën një fond fillestar prej 1 milion juan për nisjen e biznesit. Ata e krijuan kompaninë e tyre në vitin 2007, por vetëm pas një viti, kur ata po përpiqeshin të konkurronin në tregun, ndodhi kriza financiare globale.

Në vitin 2008, kontratat u pakësuan në mënyrë dramatike dhe për të përballuar sfidat, Zhengu mori një vendim të guximshëm: mbylli të gjitha linjat e montimit, duke ruajtur vetëm grupe kërkimore dhe dizenjuese për instrumentet e tipit të ri.

Pas gjysmëviti, Zheng mori pjesë në Shangai në një panair ndërkombëtar të produkteve të reja dhe aty lindi një fill shprese.

"Atë kohë, edhe shpenzimet e udhëtimit, i mora borxh nga të njohurit. Prandaj, nëse nuk mund të gjeja blerës që të kuptonin avantazhet e produkteve tona, kompania do të duhet të falimentonte", tregon Zheng.

Pra, ata ishin në doren e fatit. Produktet e tyre me cilësi të lartë dhe dizenjimi i dalluar tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve të panairit. Përfaqësuesi i kompanisë më të madhe braziliane të veglave muzikore Tagima, u mahnit kur pa kitarat e kësaj firme të vogël dhe të panjohur kineze. Në panair, Tagima nënshkroi një kontratë për blerjen e 2000 kitarave në muaj.

Me këtë kontratë, fabrika e Zheng-ut mbijetoi dhe pas kësaj, klientët e huaj erdhën vazhdimisht.

"Ne nuk sakrifikuam asnjëherë cilësinë në këmbim të fitimeve. Nëse kitara ka defekt, pavarësisht sa i vogël, ne e prishim menjëherë dhe nuk do ta shesim kurrë me një çmim më të ulët. Ky është rregulli i fabrikës sonë dhe me këtë garantojmë cilësinë", shpjegon Zheng Chuanjiu sekretin e suksesit.

Përveç këtyre, ai dërgoi edhe punëtorë të mësonin menaxhim dhe teknikat e prodhimit në Japoni, Brazil dhe Europë, duke e hapur kështu më tej tregun.

Suksesi i fshatarëve si Zheng-u, preku edhe z. Deng Zhaotao, sekretar të Komitetit të PKK-së i fshatit Zheng'an.

Sipas statistikave, deri në vitin 2011, gati 20 për qind e banorëve të fshatit Zheng'an jetonin ende nën nivelin varfërisë, ose me më pak se 320 dollarë amerikanë të ardhura vjetore për frymë.

Për të ndryshuar këtë situatë dhe me veprimin e politikave të reja të nxjerra nga qeveria qendrore për zbutjen e varfërisë në bazë të realitetit, z. Zheng dhe drejtues të tjerë të fshatit bënë vizita nëpër familjet e fshatarëve. Gjatë studimeve, ai vuri re se vetëm në Guangzhou, kishte 54 mijë punëtorë nga Zheng'an-i që punonin në biznesin e kitarave dhe shumë prej tyre kishin punishtet e tyre. Prandaj, një vit më vonë, Deng-u shkoi në Guangzhou për t'ju kërkuar këtyre punëtorëve që t'i zhvendosnin fabrikat në vendlindje.

"U thamë se mjedisi natyror në Zheng'an si tempratura apo lagështira është më i përshtatshëm për prodhimin e kitarave dhe qeveria do t'u ofronte ndihma financiare, truallin dhe shërbime të tjera administrative në leverdi të zgjerimit të biznesit," thotë Deng Zhaotao.

Nga ana tjetër, edhe pronarët e punishteve si Zheng-u, kishin dëshirë për të ndihmuar banorët e fshatit.

"Përveç ndjenjave e mia për vendlindjen, bëra edhe një llogari ekonomike, sipas të cilës, megjithëse shtohej kostoja e transportit, do të uleshin njëkohësisht shpenzimet për pagat, tokën, energjinë elektrike etj., nëse do zhvendosesha në Zheng'an".

Duke ndjekur rrugën e tij, shumë prodhues të instrumenteve muzikore u kthyen në fshatra nga provinca të ndryshme dhe qeveria lokale e mbajti premtimin e saj. Ajo e ndihmoi z. Zhao Shan për të marrë një financim nga banka dhe tani dyqani i tij online mund të shesë 2000 kitara në ditë. Ndërsa me përpjekjet e autoriteteve vendore, u përurua më në fund një autostradë, duke kursyer në mënyrë të dukshme kohën e transportimit. Tani, më shumë banorë vendorë gjejnë punë në fabrikat e kitarave dhe nuk kanë nevojë të largohen nga familjet e tyre dhe vendlindja.

Sipas planifikimit, në Zheng'an do të ndërtohet muzeu më i madh botëror i kitarave, ndërsa nëpër shkolla do të hapet mësimi i kitarës.

"Mendojmë se me politika të favorshme dhe pasion për globalizmin, populli ynë me zell dhe zgjuarsi do të ketë një të ardhme më të mirë", komenton Wu Çi, përgjegjës për ndryshimin e imazhit të fshatit Zheng'an. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore