Horoskopi kinez 2018, Majmuni dhe Gjeli

2018-01-29 16:06:14 xinhua Komenti juaj Printoni

Majmuni

Majmuni është shenja e nëntë e horoskopit kinez dhe në gjuhën kineze quhet Hou. Ju do t'i përkisni shenjës së majmunit nëse keni lindur në vitet 1944, 1956, 1968, 1980, 1992, 2004.

Ju jeni inteligjent dhe ndikoni të tjerët lehetësisiht. Jeni njeri i suksesshëm, por hutoheni dhe shkurajoheni lehtë. Duhet t'i shmangeni Tigrit. Kërkoni Dragoin ose Miun.

Personat e shenjës së Majmunit janë krijues, të zgjuar, të fortë e mendjemprehtë. Ata dëshirojnë të jenë në qendër të vëmendjes e që të tjerët të flasin për ta. Majmuni është më i shkathti nga të gjitha shenjat dhe krijon skema e manipulon për të gjetur rrugën e tij. Ata kanë një tru e mendje të hollë e nëse nuk janë gjithnjë të mençur, prapë zgjuarsia nuk u mungon. Ata të vënë në lojë dhe gjithnjë mundohen të përfitojnë nga armiqtë e vet. Mund të jenë të çorganizuar, tepër të lëvizshëm, nervozë, por janë zemërmirë dhe nësë pa dashje lëndojnë dikë ndiejnë seriozisht keqardhje. Ata janë si mendërisht ashtu edhe fizikisht të shëndetshëm dhe kur vjen puna për sfida e bëjnë të qartë që janë të zotët dhe se do veprohet sipas mënyrës së tyre. Nëse kërkoni t'i sfidoni, ata preken shpejt dhe tregohen gjaknxehtë. U pëlqen të dominojnë dhe urrejnë rutinën. Kur u mbushet mendja për diçka nuk ka burrë nëne që t'u dalë përpara.

Majmuni ka qejf risinë në lidhje, ndaj dhe marrëdhëniet personale nuk janë shumë të qëndrueshme. Ata kanë nevojë të ndjehen të dashuruar e të kërkuar dhe s'pranojnë refuzime ose tradhëtira, madje do të largohen që me shenjën e parë të konfliktit. Por, sido që të jetë, ata janë të gjallë, të guximshëm e të dashur. Ata nuk dinë ta ruajnë shumë paranë. Punojnë shumë, kanë mendje të fortë dhe janë planifikues të mirë. Janë lidera të zotët dhe s'para i pranojnë gabimet e veta. Nëse diçka shkon keq ata do të fajësojnë gjithmonë të tjerët.

I shkëlqyer, gustator, i shkathët dhe krijues në çdo gjë që ai merr përsipër të bëjë, Majmuni nuk heziton të përdorë dinakërinë dhe karizmën e tij të lindur për të arritur qëllimet e tij. Shakator dhe pozitiv, por edhe i paqëndrueshëm në marrëdhëniet e tij me të tjerët, Majmuni mund të ndryshojë miqtë ose shtëpinë sa hap e mbyll sytë.

I zgjuar si të gjithë majmunët, ai është një spekulator profesionist, një lojtar i zjarrtë dhe mjeshtër i justifikimeve. Për sa kohë që Majmuni rrezikon për të arritur diçka, ai shkëlqen në pothuajse çdo fushë. Por ai duhet të tregohet gjithashtu i mençur e të pranojë me filozofi gabimet e bëra në të shkuarën.

Gjatë vitit 2018, disa nga projektet që ai ka përzemër do të kalojnë një periudhë stanjacioni. Majmuni është mësuar të luftojë në disa fronte në të njëjtën kohë, duke u treguar vigjilent ndaj njerëzve aspak korrekt me të cilët ai duhet të mbajë distancë, duke i bërë ata të besojnë se kanë bashkëpunimin e tij të plotë. Të lindurit në shenjën e Majmunit mund të kenë disa mosmarrëveshje ose keqkuptime në takimet e biznesit, në çështjet financiare apo konfliktet e interesit në lidhje me drejtimin e kompanive të tyre.

Në nivel personal, familjar ose profesional, në vitin 2018, shumë persona të shenjës së Majmunit bëhen të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe pasojat pozitive ose negative të sjelljes së tyre në të kaluarën.

Përsa i përket ndjenjave, 2018-a është koha që Majmuni të zgjidhë disa çështje zemre të cilat i ka neglizhuar më parë. Për beqarët e kësaj shenje, ngjarje të caktuara të së kaluarës, ose njerëz të harruar për një kohë të gjatë, mund të rikthehen papritur e turbullojnë qetësinë e tyre shpirtërore.

Viti 2018, një vit altruizmi dhe ndershmërie, është i pavlerë të kalohet me të njohur të cilët një ditë mund të abuzojnë me besimin e Majmunit. Beqarët e shenjës së Majmunit këshillohen të jenë të ndershëm në çdo situatë, veçanërisht nëse nuk duan ta humbin partnerin të cilin do e takojnë gjatë këtij viti, që në fakt mund të jetë edhe dashuria e jetës së tyre.

Majmuni çift nuk duhet të pres ndryshime rrënjësore gjatë vitit 2018, veçanërisht nëse partneri i tij i përket shenjës së Qenit. Pra, Majmuni duhet të përpiqet më shumë për mbarëvajtjen e marrëdhënies në çift dhe t'i kushtojë vëmendjen e duhur partnerit për të ruajtur kështu harmoninë brenda shtëpisë së tij.

Përsa i përket punës, në vitin 2018 Majmuni duhet të jetë i kujdesshëm ndaj investimeve që ofrojnë të ardhura të mëdha në një kohë të shkurtër, pasi mund të ndodh që ai t'i humbasë kursimet e tij pikërisht nga mungesa e kujdesit. Në nivel profesional, të lindurit e kësaj shenje mund të largohen nga një vend pune për të nisur diçka të re tjetërkund.

Gjatë Vitit 2018, Majmuni përsëri e kupton rëndësinë e aftësive të tij dhe se duhet të mbështetet plotësisht tek vetja. Nëse e kupton këtë, Majmuni mund të arrijë, në sajë të kapacitetit të tij të jashtëzakonshëm për analiza e llogaritje dhe veprimeve të tij çudibërëse, të stabilizojë mjedisin e tij të trazuar. Një person i shenjës së Qenit mund të jetë një mbështetje e madhe për Majmunin.

Gjeli

Gjeli është shenja e dhjetë e horoskopit kinez dhe në gjuhën kineze quhet Gōngjī. I përkasin shenjës së Gjelit ata që kanë lindur në vitet 1945, 1957, 1969, 1981, 1993, 2005, 2017.

I mrekullueshëm dhe sharmant, shpesh i çuditshëm, Gjeli është gjithashtu shumë konservator. Ai vlerëson moralin, të vërtetën dhe drejtësinë. Siguria që e karakterizon e bën atë një zëdhënës të mirë por jo një politikan apo diplomat të mirë.

Karakter i vendosur, Gjeli mund të jetë i suksesshëm në disa projekte të ndryshme profesionale në të njëjtën kohë. Rigoroz, i përkushtuar tërësisht në punën e tij, Gjeli është një konkurrent i lindur. Motivuar nga sfida dhe dëshira e fortë për të kapërcyer kundërshtarët e tij, Gjelit i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, sidomos kur ka korrur fitore. Përsa i përket aspekteve negative të personalitetit, lidhja e tij me paraqitjen e jashtme dhe dëshira e ekzagjeruar për luksin dhe modën nganjëherë kanë tendencë ta distancojnë atë nga realiteti.

Viti 2018 është një vit i favorshëm për Gjelin. Pas sukseseve të vitit të kaluar, në 2018-n Gjeli duhet të marrë në konsideratë mundësitë e shumta dhe të mendojë të fillojë projekte të reja të cilat nëse planifikohen me kujdes do të kenë po ashtu sukses, sikurse shumë nisma të tjera të ndërmarra më parë.

2018-ta është një vit i mirë për Gjelin, pasi është vendosur nën shenjën e mbrojtjes dhe rigjenerimit. Për Gjelin, përgjithësisht të mirë informuar, pengesat do të jenë të kapërcyeshme. Të lindurit e shenjës së Gjelit, do të bëjnë shumë udhëtime larg shtëpisë e gjithashtu do të njohin njerëz të rinj nga vende të ndryshme, të cilët do e pasurojnë jetën shoqërore të Gjelit për vitin 2018. Në biznes, marrëdhëniet private mund të bëhen pjesë e negociatave të biznesit të ndërmarra nga Gjeli.

Gjeli mund të përjetojë periudha të shkurtra stanjacioni, gjatë të cilave ai do të ndihet i pasigurtë në lidhje me jetën e tij sentimentale, por nuk do të ketë asgjë serioze për t'u shqetësuar. Megjithëse Gjeli është përgjithësisht i drejtpërdrejtë, ai do të nisë të tregohet i rezervuar me njerëzit.

Sidoqoftë, suksesi i vitit 2018 varet kryesisht nga numri dhe cilësia e marrëdhënieve që Gjeli ka ndërtuar me të tjerët dhe gjithashtu aftësia e tij për të shmangur vështirësitë që do t'i dalin rrugës, sidomos nga kapaciteti i tij i ulët gjatë vitit 2018 për të bërë një ndarje të qartë midis çështjeve të biznesit dhe ndjenjave personale. Disa pengesa në jetën personale mund ta mërzisin paksa Gjelin por me disa ushtrime fizike, pak joga dhe vrap, ai mund t'i kalojë këto shqetësime.

Përsa i përket dashurisë, Gjeli është në kërkim të saj dhe duket se viti 2018, pas shumë kërkimesh, do t'i sjellë atij një histori të bukur. Në mënyrë që të shumëfishohen mundësitë që Gjeli të gjejë shpirtin e tij binjak, ai mund të tundohet për të kërkuar partnerin e tij / saj në një shtet tjetër, apo edhe në një kontinent tjetër. Është e këshillueshme që Gjeli, para se të angazhojë veten në një marrëdhënie serioze, të marrë sa më shumë kohë për të njohur cilësitë dhe defektet e partnerit të tij, gjë që do t'i lejojë atij të shmangë mosmarrëveshjet e pakëndshme që vijnë nga një marrëdhënie e sapo krijuar dhe jo shumë e përputhshme.

Gjatë vitit 2018 nuk është parashikuar asgjë negative për Gjelin. Gjeli në çift duhet të kufizojë shpenzimet e tepërta dhe kalimtare gjatë vitit dhe të zgjedhë të bëjë investime serioze dhe afatgjata, si përshembull të blejë një shtëpi apo të investojë në një pasuri tjetër të paluajtshme.

Përsa i përket profesionit e punës, Gjelit mund t'i besohen përgjegjësi të reja brenda kompanisë së tij apo institucionit ku punon. Të lindurit e kësaj shenje mund të ndryshojë punën nëse dëshirojnë të bëjnë një jetë akoma më të mirë. Gjatë vitit 2018, takimet e shpeshta dhe pozitove me ish kolegët, por edhe me familjarë apo persona të afërt do bëjnë të mundur që Gjeli të forcojë besimin në vetvete si dhe të jetë më i qartë në zgjedhjet e tij profesionale. Viti 2018 do t'i japë atij më shumë siguri për rëndësinë e investimeve të tij financiare.

Duke qenë se në jetë nuk është vetëm puna e rëndësishme, Gjeli do vendosë të jetë më i dobishëm dhe t'i pasurojë më shumë aktivitetet e tij në mënyrë që të mundet të kombinojë punën me kënaqësinë dhe t'i përkushtohet më shumë gatimit, dekorimit të shtëpisë e argëtimit me miqtë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore