Festat e fundivitit në Kinë

2017-12-25 12:01:11 xinhua Komenti juaj Printoni

Krishtlindjet dhe Viti i Ri në Kinë, po ashtu edhe në Shqipëri, është sa tradicional edhe ndërkombëtar. Kina feston gjthmonë, dhe çdo festë është e ndryshme nga njëra tjetra. Ajo që është gjithnjë thuajse e pandryshueshme është harmonia dhe dëshira me të cilën populli kinez feston. Familja është oazi i cili i bashkon të gjithë, nga Veriu në Jug e nga Perëndimi në Lindje dhe i gjen njerëzit të bashkuar duke gëzuar në tavolinat e mëdha e shtëpitë e ngrohta.

Kina dhe Shqipëria i festojnë festat e fundvitit deri në orët e para të mëngjesit. Familjet kineze dhe shqiptare presin ndërrimin e viteve në tryezë dhe ashtu duke festuar këtë festë të shtrenjtë për bashkimin dhe harmoninë në shtëpi, ata zakonisht ndjekin në televizionet kombëtare dhe jo vetëm, "Mbrëmjen Gala të Vitit të Ri". Mbrëmja Gala, për çdo vit përgatitet enkas për këtë mbrëmje duke u shndërruar në një nga programet televizive më të ndjekura, jo vetëm në Kinë dhe Shqipëri, por në mbarë botën.

Disa vite më parë nuk ishte e zakonshme për kinezët të festonin festën e shumënjohur perëndimore të Krishtlindjeve. Por kohët e fundit, qytetet kineze, mbi të gjitha ato të mëdha të cilat mirëpresin të huaj gjithmonë e më shumë, i festojnë Krishtlinjdet si shumë qytete të tjera në Botë. Pema e Krishtlinjeve, dritat e zbukurimet vezulluese, reklamat e Krishtlindjeve në rrugët e qendrat tregtare të qyteteve, dëbora e aroma e dimrit, si dhe tryezat e mbushura plot e përplot me ushqime, tregojnë se Krishtlinjdet janë ndër festat më të dashura për vendin më të populluar në botë.

Viti i Ri në Kinë, festa më e rëndësishme sipas kalendarit hënor, është vërtet i ngjashëm me festat e ndërrimit të viteve në shumë vende të tjera të botës. I vetmi ndryshim është muaji kur festohet ndërrimi i viteve. Shqipëria për shembull, sikurse edhe pjesa më e madhe e vendeve të Perëndimit dhe Lindjes, e feston Vitin e Ri më 31 dhjetor, në pritje të 1 Janarit i cili shënon edhe hyrjen kalendarike të vitit të ri. Ndërsa Kina e feston Vitin e Ri në muajin shkurt. Shumë vende festojnë në mënyrat e tyre tradicionale dhe Kina, një vend me një histori të gjatë e traditë të pasur, nuk bën përjashtim.

Ushqimi gjatë festave në Kinë është shumë i rëndësishëm. Po cilat janë disa nga ushqimet karakteristike të festave të fundivitit në Kinë?

Jiaozi (Dumpling)

Në vigjiljen e Viti të Ri kinez (Festës së Pranverës) dumpling, ose quajtur ndryshe ravioli kinez, është pjata më e zakonshme në tryezat e familjeve kineze. Në kinezishte shqiptimi i fjalës "jiaozi" është i ngjashëm me atë të shprehjes "i jap lamtumirën së vjetrës dhe sjell të renë".

Niangao (kek orizi)

Kina e Jugut prodhon oriz, kështu që është traditë për banorët e saj të hanë niangao (kekun prej orizi) për të festuar Vitin e Ri. Në kinezisht niangao ka shqiptim të njëjtë me një tjetër fjalë që do të thotë "nivel më i lartë jetese".

Peshku

Peshku është një tjetër traditë e rëndësishme për qindra mijë familje kineze në prag të Vitit të Ri kinez. Ndryshe nga familjet shqiptare që në festat e fundivitit përdorin më shumë mishin e kuq. Peshku shqiptohet "yu" në gjuhën kineze, që ngjan me fjalën "tepricë", që do të thotë të kesh me bollëk, e jo vetëm mjaftueshëm për çdo vit. Detaj shumë i rëndësishëm për pjatën e peshkut është se drejtimi i kokës së peshkut në tryezë duhet të jetë nga ana e më të moshuarve, në shenjë respekti.

Ngjyra e kuqe është simboli i festave të fundvitit në Kinë, ngjyra e fatit të mirë. Për Krishtlindjet gjithmonë e më shumë të pëlqyera nga kinezët e kuqja nuk mbizotëron aq sa për Vitin e ri Kinez. Të kuqen e sheh kudo. Ajo është ngjyra e preferuar e popullit kinez, është ngjyra e flamurit kinez dhe ka një domethënie të madhe. Ajo simbolizon gëzim, mirësi dhe shpresë për të ardhmen . Feneri i kuq është ndër zbukurimet më të përdorura gjatë Vitit të Ri kinez. Skeleti i fenerëve të kuq është me rripa bambuje ose druri dhe mbulohet me vello të kuqe. Në vigjiljen e festës rrugët e Pekinit e mbarë vendit mbushen me fenerë. Por atmosfera e festave ndjehet në çdo familje, në çdo zbukurim nëpër dyert dhe dritaret e shtëpive karakteristike kineze, hutongjet, si dhe ndërtesave të reja e moderne.

Sipas traditës së lashtë kineze pastrimi i shtëpisë në fund të vitit "nxjerr jashtë saj të ligat, apo fatin e keq", që mund të jetë grumbulluar gjatë një viti. Si në Kinë edhe në Shqipëri, pastrimi i shtëpisë, ashtu me themel, me rastin e Vitit të Ri, edhe se festuar në muaj të ndryshëm, është një tjetër traditë e ngjashme e këtyre dy vendeve të largëta gjeografikisht por shumë afër shpirtërisht si edhe në tradita. E si mund të harrojmë mikpritjen dhe vlerën që ka miku në këto dy vende? Është një vlerë që karakterizon si kinezët edhe shqiptarët.

Një nga traditat e festës së Vitit të Ri Kinez është ndezja e shumë fishekzjarreve në mesnatën e ndërrimit të viteve. Por ato nuk mungojnë dhe në mëngjesin e ditës së pare të vitit. Kjo traditë kineze është e ngjashme me atë shqiptare të festimit të Vitit të Ri, ku fishekzjarret nuk kanë të ndalur. Në Kinë ajo daton rreth 2 mijë vjet më pare dhe është e lidhur me monstrën Nian. Qëllimi i shpërthimit të zhurmshëm të fishekzjarreve por dhe me ndriçim, sipas kinezëve në lashtësi është largimi i kësaj monster, apo në mënyrë figurative largimi i të keqes në vitin e ri që nis.

Shfaqet e fishekzjarreve kudo në Botë janë një nga ngjarjet më të shumëpritura dhe të bukura në historinë e gjithë festave tradicionale në mbarë globin. Jemi kaq afër festimeve të fundvitit dhe atmosfera e festave mbizotëron kudo. Dimri përveçëse i ftohtë është dhe i dashur për njerëzit sepse nëpërmjet festave sjell shumë dashuri.

Mrekulli