Si festohet Krishtlindja në Kinë?

2017-12-25 10:07:34 xinhua Komenti juaj Printoni

Statistikat tregojnë se numri i krishterëve në Kinë është më pak se 40 milionë, shifër kjo është shumë më e ulët sesa budistët që llogariten në 200 milionë. Megjithatë, kjo nuk e pengon pasionin e besimtarëve dhe jo vetëm për kremtimin e Krishtlindjes. Pavarësisht dimensionit fetar, kjo festë merr në Kinë karakteristika të tjera.

Kush e feston Krishtlindjen në Kinë?

Në krahasim me vendet me shumicë besimtarësh të krishterë, ku Krishtlindja festohet pothuajse nga të gjitha grup moshat, kinezët që i japin një domethënie të posaçme asaj janë më të rinjtë. Një sondazh tregon se Krishtlindja festohet më shumë ndër kinezët e moshave 15-45 vjeç. Ndër ta, të rinjtë midis 18-28 vjeç janë forca kryesore.

Për shkak se kinezët e moshës së mesme dhe të moshës së tretë (që nuk janë të krishterë) nuk kanë interes, kjo festë e bashkimit familjar në Perëndim është bërë një rast për takimin e miqve apo të të dashuruarve në Kinë.

Si ndryshon festimi i Krishtlindjes në Kinë në krahasim me vende të tjera?

Të krishterët kinezë marrin pjesë në aktivitete të ndryshme që organizohen në kishat vendore. Krishtlindja në Kinë duket më shumë si një festë shoppingu ose si një ditë argëtuese me të njohurit. Për këtë arsye, mënyrat e festimit janë të ndryshme.

Së pari, e kuqja është ngjyra mbizotëruese. Si në çdo mapo apo qendër tregtare në Europë dhe në Amerikë, dyqanet e supermarketet kineze me rastin e Krishtlindjes dekorohen me shumë sende karakteristike: Babagjyshë, pemë Krishtlindjeje apo drerë. Përveç këtyre, ka edhe dekorime të tjera me ngjyrë të kuqe sepse simbolizojnë gëzimin, fatin e mirë dhe lumturinë. Bashkë me dekorimet, zhvillohen aktivitete dhe ulen çmimet e disa produkteve.

Së dyti, rrugët janë të ngarkuara me trafik dhe njerëz. Qendrat tregtare dhe restorantet zgjasin orarin e biznesit për të plotësuar kërkesat e klientëve.

Së treti, ngrënie dhe dhurimi i mollëve. Vitet e fundit, molla është bërë një frutë e preferuar nga konsumatorët kinezë gjatë festës sepse në gjuhën kineze, mollë tingëllon si "frutë e sigurisë". Që nga lashtësia, populli kinez ka qenë gjithmonë paqedashës. Kështu që blerja e një frute që simbolizon sigurinë në vitin e ri është bërë edhe një modë e re për festimin e Krishtlindjes.

Por, festimi i Krishtlindjeve në Perëndim nuk mund të ndahet me Yiwu, një qytet i vogël në provincën Zhejiang të Kinës Lindore.

Yiwu është qendra më e madhe prodhuese dhe tregtare e zbukurimeve të Krishtlindjes. Gati 60% e zbukurimeve që përdoren nëpër botë për festën vijnë nga ky qytet që është vetëm 11 mijë kilometra katrore.

Chen Yikui, pronari i një dyqani në Yiwu dhe përgjegjës i fabrikës "Engjëlli i Vogël", thotë se kontratat për klientët e huaj zbatohen para muajit tetor sepse më pas duhet të përmbushen kërkesat e tregut të brendshëm. Eksporti dhe shitja nga Yiwu në tregun e jashtëm dhe të brendshëm të zbukurimeve të Krishtlindjeve kishte një raport 7:3, ndërsa tani raporti është i barabartë.

Me zhvillimin ekonomik të vendit, gjithnjë e më shumë kinezë blejnë zbukurime për të shtuar atmosferën e gëzueshme të Krishtlindjes. Z. Chen thotë se për shkak të mos plotësimit të kërkesave të tregut, u detyrua të kufizonte sasinë e mallrave me pakicë që shiten në internet.

Sipas Cai Qinliang, sekretar i Shoqatës së Produkteve të Krishtlindjes të Yiwu-së, eksportet kryesore shkojnë në Kili, Panama, Argjentinë, Brazil Spanjë, Rusi, Tajlandë dhe Mianmar.

Për tregjet që kanë standarde më të larta si Gjermania apo Finlanda, biznesmenët kinezë kanë fituar kontrata për dizenjim novator. Në ekspozitën e fabrikës tërheq vëmendjen e vizitorëve një dekorim i veçantë.

"Shumë klientë europianë e kanë vlerësuar si zbukurimi më novator i Krishtlindjes", thotë Chen, duke iu referuar një "mini-televizori" në të cilin shfaqet një babagjysh duke bërë moto-ski në malet me dëbore.

Sondazhet e bëra në treg sugjerojnë se konsumatorët nuk kufizohen vetëm te zbukurimet. Për vitin e ardhshëm z. Chen planifikon të shtojë funksionin e Bluetooth-it në disa produkte të tij, në mënyrë që klientët të luajnë muzikën që duan, në vend të modelit të mëparshëm me këngë të parainstalluara dhe të pandryshueshme.

Në janar, ai do të marrë pjesë në ekspozitën e Frankfurtit për të mësuar prirjet e zhvillimit të këtij sektori. Ndërkohë ai vazhdon të marrë porosi për vitin 2018.

Mrekulli
Lajmet Kryesore