Diaspora kineze në Panama

2017-12-18 11:07:01 xinhua Komenti juaj Printoni

Presidenti i Panamasë, Juan Carlos Varela, shpalli në qershorin e këtij viti vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, duke ndërprerë lidhjet zyrtare me autoritetet e Tajvanit. Megjithëse marrëdhëniet sapo u krijuan, kontaktet njerëzore dhe tregtare kanë filluar mbi 100 vjet më parë. Tani, emigrantët kinezë zënë 5 për qind të popullsisë, pa përmendur këtu se 10 për qind e popullsisë me prejardhjen nga Kina. Ndërsa, në disa fshatra të qytetit Guangzhou të Kinës Jugore, emigracioni në këtë vend të largët ka vijuar si një traditë familjare.

Panamaja ka një sipërfaqe prej 75.51 mijë kilometrash katrore dhe një pozicion të rëndësishëm gjeografik. Këtu takohen Amerika Veriore e Jugore, ndërsa Kanali i Panamasë është një ndër pikat më të rëndësishme tregtare detare të mbarë botës. Çdo vit, 6 për qind e vëllimit të përgjithshëm vjetor të tregtisë globale kalon nëpër këtë nyjë transporti. Historia e kontaktit midis Kinës dhe Panamasë nis pikërisht nga sistemi i transportit.

Në vitet '50 të shekullit 19-të, mijëra punëtorë kinezë u dërguan në Panama për ndërtimin e një hekurudhe për transportimin e mallrave, e që më vonë shërbeu për hapjen e Kanalit të Panamasë.

Hekurudha filloi ndërtimin në vitin 1850. Por për shkak të reshjeve të shumta dhe përhapjes së epidemive tropikale, mijëra punëtorë humbën jetën, ndërsa ata që mbijetuan ishin në gjendje vetëm të punonin një javë në muaj. Për të zgjidhur problemin e mungesës së stafit, kompania amerikane që fitoi tenderin, filloi të rekrutonte punëtorë nga provincat bregdetare të Kinës, kryesisht nga Guangdong-u dhe Fujian-i. Sipas statistikave, midis viteve 1850-1854, mbi katër mijë punëtorë kinezë mbërritën në Panama për të marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhës.

Punëtorët kinezë u bënë forca kryesore e ekipit të ndërtimit. Ata hanin shpejt dhe punonin shumë sepse donin të ktheheshin sa më parë në atdhe, pas përurimit të projektit. Punëdhënësit gjithashtu, punësuan më shumë banorë kinezë për të shpejtuar ndërtimin. Deri në vitin 1856, numri i kinezëve zuri sa 16% të popullsisë së përgjithshme të Panamasë.

Por, kushtet e këqija natyrore, përhapja e sëmundjeve, nostalgjia dhe diskriminimi nga punëtorët e vendeve të tjera për "maninë" e tyre ndaj punës, bënë që shumë punëtorë kinezë të zhyteshin në depresion të thellë e pesimizëm dhe shpesh ndodhën edhe vetëvrasje kolektive.

Lidhur me këtë, kryeinxhinieri i Brigadës së Forcave Tokësore të ushtrisë amerikane, Joseph Gilbert Totten, ka shkruar se nuk do të harrojë kurrë atë ditë kur pa vetëvrasjen e mbi 100 punëtorëve kinezë në pyje. "Pantallonat e tyre ishin duke fluturuar në erën e nxehtë mbi trupat e pa jetë". Në vitin 1884, gazeta "Komunikata" e firmës franceze "Kompania e Kanalit të Panamasë" shkruante se "nën çdo binar të hekurudhës panameze prej 76 kilometrash, varrosej nga një punëtor kinez".

Përurimi i hekurudhës në vitin 1855 ishte një mrekulli e ndërtimit, e cila nxiti lëvizjen e mallrave në kontinentin amerikan dhe midis dy oqeaneve. Ajo u bë hekurudha më fitimprurëse e asaj kohe në botë. Pasi dëshmuan suksesin e jashtëzakonshëm të këtij projekti, autoritetet vendore vendosën të ndërtonin një kanal, paralel me hekurudhën, i cili më vonë u quajt 'Kanali i Panamasë'.

Gjatë ndërtimit të kanalit që zgjati mbi 10 vjet, morën pjesë mbi 10 mijë punëtorë kinezë, shumë prej të cilëve, krahas zbatimit të projektit, u integruan gradualisht në shoqërinë panameze. Bashkë me paraardhësit që ndërtuan hekurudhën dhe zgjodhën të qëndronin në Panama, ata nisën eksplorimin e një vendi të huaj.

Sipas raportit të ambasadorit kinez, Wu Tingfang, në vitin 1909 vetëm në qytetin e Panamasë, kishte mbi 3000 tregtarë kinezë. Të dhënat historike tregojnë se 95 për qind e punëtorëve kinezë vijnë nga provinca Guandong, të cilët pasi siguruan jetën, morën aty edhe anëtarët e familjes, duke filluar një jetë të re në emigracion të vazhdueshëm.

Tani, ndër 3.7 milionë banorët e Panamasë, kinezët zënë afro 5 për qind dhe të paktën 300 mijë prej tyre kanë prejardhje kineze. Disa fshatra në Guandong quhen ndryshe dhe si "fshatrat e Panamasë" sepse pothuajse në çdo familje ka një anëtar emigrant në Panama. Për shembull, numri i emigrantëve nga fshati Qixin në Panama është mbi 3000, më e lartë se ata që ende jetojnë në Kinë. Ndërsa, numri i përgjithshëm i kinezëve nga distrikti Huadu i Guangzhou-t (kryeqendra e provincës Guangdong) i kaluar 36 mijët.

Kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve Kinezë në Panama, Zhang Dequan, është një prej tyre. Në vitin 1976, Zhang-u që sapo mbaroi studimet e shkollës së mesme, shkoi në Panama, duke ndjekur gjurmët e gjyshit dhe të të atit. Por, sipas tij, jo shumë emigrantë të rinj duan të qëndrojnë atje tërë jetën. Pjesa dërrmuese e tyre shkojnë thjesht për të punuar dhe më pas ndërtojnë shtëpi private në vendlindje për kalimin e pleqërisë.

Z. Zhang tregon se emigrantët kinezë kanë hapur kurse të gjuhës dhe nuk harrojnë të komunikojnë në gjuhën mëmë me fëmijët e tyre në shtëpi. Ata kanë financuar edhe ndërtimin e shkollave në vendlindje, duke çuar fëmijët e lindur në Panama të mësojnë në to në çdo pushim veror apo dimëror.

"Gjyshja ime 90 vjeçe edhe pse kaloi dhjetëra vjet në Panama, këmbëngul të kthehet në atdhe. Në sytë e saj, fshati i lindjes është vatra e vërtetë. Kurse, brezi i ri i familjes që ka biznese në Panama, ka blerë edhe shtëpi në atdhe. Çdo vit ata kthehen në vendlindje me rastin e festës Qingming për të kujtuar paraardhësit," tha tregon Zhang.

Mrekulli
Lajmet Kryesore