Shenzhen-i, qyteti i realizimit të ëndrrave

2017-12-11 14:49:36 xinhua Komenti juaj Printoni

Michel Haese vizitoi rastësisht qytetin e Shenzhen-it. Por, asaj kohe ky 55 vjeçar gjerman nuk parashikoi se në këtë qytet të Kinës do të realizohej ëndrra e tij e fëmijërisë.

Kur ishte i vogël, Haese kishte shumë pasion për të ndërtuar gjëra me mjete rrethanore, qoftë kuti konservash, kapakë, llamba apo bateri. Megjithëse kur u rrit, punoi si radist apo fotograf, ai nuk hoqi dorë nga ëndrra e tij për t'u bërë një shpikës.

20 vjet më parë, Haese mësoi për herë të parë për Shenzhen-in si një zonë e posaçme ekonomike e Kinës në një ekspozitë të organizuar në Hanover të Gjermanisë. Në vitin 2011, Haese shkoi në një panair të pajisjeve elektronike në Hong Kong. Por, një mik i tij e tërhoqi atë në një vend tjetër. Atje, ai takoi disa sipërmarrës kinezë që e ftuan më vonë të udhëtonte në fabrikat e tyre në Shenzhen. Ishte kjo vizitë që i ndryshoi atij jetën.

"Shenzhen-i është parajsë e zhvillimit. Më trego çfarëdo lloj aparati elektronik dhe unë mund ta gjej brenda pesë minutash në tregun poshtë zyrës sime," i tha Haese gazetës "Global Times".

Tani, Haese është kryeekzekutiv i kompanisë së tij në Shenzhen. Shpikja e tij e parë është "Lapscreen", nëpërmjet të cilit, njerëzit mund të projektojnë të gjitha funksionet e smartfonit në një ekran të madh sa një letër A4. Ai shpreson se produkti i tij do t'i ndihmojë njerëzit të punojnë edhe jashtë zyrës.

Haese nuk është i vetmi ëndërrimtar që e konsideroi këtë metropol të Kinës Juglindore si destinacion përfundimtar.

Cyril Ebersweiler është bashkëthemelues i "HAX Accelerator" një kompani që nxit zhvillimin e firmave të vogla të prodhimit të hardware-ve. Bashkë me 10 kompani të tjera, francezi 38-vjeçar e themeloi HAX-in në një garazh të Shenzhen-it në vitin 2011.

"Shenzheni është Silicon Valley i prodhimit të hardware-ve në botë. Sistemi tekologjik këtu mund të forcojë kompanitë, burimet njerëzore dhe mundësinë tuaja drejt suksesit", thotë Ebersweiler.

Këtu mund të prodhohen jo vetëm hardware për aparate elektronike shtëpiake, por edhe pajisje të ndërlikuara me teknologji të lartë për mjekësi, robotikë etj.

Në gjashtë vitet e fundit, HAX-i ka ndihmuar 145 kompani për të zhvilluar printer 3D, dronë deri në produkte të tjera elektronike. Çdo vit, Ebersweileri sjell në Shenzhen grupe të ndryshme novatore nga mbara bota sidomos nga ShBA-ja dhe Europa. "Këtu ka shumë firma të vogla që mund të mbështesin realizimin e shpikjeve të reja. Mund të kurseni kohë dhe energji, duke gjetur mënyra më efikase për të vënë në jetë shpikjet," thotë Ebersweiler.

Shenzhen-i jo vetëm ka ndihmuar firmat të reja të vënë këmbë në treg, por edhe është qendra e disa ndërmarrjeve teknologjike kineze të njohura globalisht, sidomos në fushën e prodhimit të smartfonëve. Gjigantët kinezë të telekomunikacionit Huawei dhe ZTE u krijuan në vitet '80 të shekullit të kaluar në Shenzhen. Vitin e kaluar, Huawei zuri vendin e tretë në tregun botëror të smartfonëve, duke u mirëpritur në tregjet amerikane, europiane dhe aziatike.

Në krahasim me suksesin e tij në vendet e zhvilluara, Transsion Holdings gjithashtu me seli në Shenzhen fokusohet te kontinenti afrikan.

Sipas raportit të publikuar nga Korporata Ndërkombëtare e të Dhënave (IDC), një ndër ofruesit kryesorë të informacioneve dhe të këshillave të biznesit, celularët e Transsion-it zunë 38% të tregut të përgjithshëm afrikan në vitin 2016. Kjo do të thotë se një në tre celularë që përdoren në Afrikë, vjen nga Transsion-i.

Investimet e kësaj kompanie ndihmojnë edhe zhvillimin vendor. Në vitin 2011, Transsion-i hapi një fabrikë prodhimi në Etiopi, ku punësohen tani mbi 1600 punonjës vendorë.

Nga Shenzhen-i, shumë firma të vogla u rritën e u bënë të mëdha. Në të kaluarën, ato "mbijetuan" në tregun plot konkurrencë nëpërmjet prodhimit të produkteve të lira me teknologji të vjetër. Por tani, novacioni është bërë faktori kyç që mbizotëron zhvillimin e këtyre kompanive.

Në panairin e sivjetshëm teknologjik IFA të zhvilluar në Berlin, Huawei prezantoi arritjen e fundit të qarqeve elektrikë, modelin Kirin 970, i cili është instaluar në dy modelet e fundit të smartfonëve Mate 10 dhe Mate 10 Pro.

Ndërsa, Wechat, një aplikacioni i medias sociale që doli në qarkullim në vitin 2011, tani ka mbi 902 milionë përdorues aktivë në ditë. Sipas raportit të kompanisë së tij Tencent, po me seli në Shenzhen, qindra milionë përdorues të Wechat-it ndodhen jashtë Kinës. Gjithnjë e më shumë njerëz po e përdorin këtë aplikacion për të kryer pagesa në jetën e përditshme.

Megjithatë, sukseset nuk arrihen lehtë e brenda një kohe të shkurtër. Arritjet e Huawei-t apo të Tencent-it mbështeten mbi vëmendjen që këto kompani i kushtojnë kërkim zhvillimit. Vetëm vitin e kaluar, Huawei ka shpenzuar mbi 11 miliardë dollarë amerikanë për kërkimin dhe zhvillim e produkteve.

Në të njëjtën kohë, bashkia e Shenzhen-it ka përpiluar një sërë politikash, duke përfshirë subvencione të larta për përmirësim e mjedisit të biznesit dhe për kryerjen e studimeve të kërkim zhvillimit, për të garantuar që qyteti do të tërheqë vazhdimisht talente dhe investime, si dhe për të ruajtur pozicionin e qendrës së novacionit.

Në shtatorin e këtij viti, Barry Marshall, i nderuar me çmimin Nobel në mjekësi, njoftoi krijimin e laboratorit të tij në Universitetin e Shenzhen-it. Ky është laboratori i pestë në Shenzhen ku punojnë fituesit e çmimeve Nobel.

Vitin tjetër, do të shënohet jubileu i 40-të i fillimit të zbatimit të politikës së "Reformës dhe Hapjes" e Kinës. Para katër dekadash, shumë pak njerëz mendonin se ky fshat i vogël peshkimi do të arrinte ketë zhvillim mahnitës. Tani, ai është qendër e mijëra firmave të reja dhe e shumë kompanive të suksesshme teknologjike kineze. Me frymën e hapjes dhe të novacionit, pritet që më shumë sipërmarrës, si zoti Haese, të realizojnë këtu ëndrrën e tyre. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore