Pse të huajt bien në dashuri me Kinën

2017-12-04 14:24:06 xinhua Komenti juaj Printoni

Kur mbërrita për herë të parë në Kinë, gjithçka ishte ndryshe nga vendet e tjera. Nisa të jetoja në Pekin, ditët dhe netët e të cilit ishin të dyndura nga tempuj, hutong-ët, labirinthe rrugicash të vogla, dritare që ngjanin me ato të përrallave të së shkuarës. Nuk kishte asgjë të ngjashme me botën ku isha mësuar, reklamat e mëdha me hieroglife kineze më shtonin kuriozitetin për të ditur sa më shumë gjëra në një kohë të shkurtër. Nuk ishte aspak e vështirë ta doja Pekinin, sikurse shumë të huaj të tjerë. Kina është një vend ku bukuritë dhe vlerat kulturore e natyrore nuk kanë të sosur.

Çfarë duhet të dimë më shumë për Kinën? Çfarë të bën ta dashurosh kaq shumë këtë vend të Lindjes së Largët?

1. Natyra

Kur mendojmë për Kinën, gjëja e parë që na shkon në mendje janë megaqytetet e mbipopulluara, fabrikat që punojnë pandërprerë, njerëzit të cilët gjithmonë rendin për diku etj. Pas jetesës disavjeçare tashmë në Kinë më ka parë syri gjëra që nuk i kisha imagjinuar më parë se ekzistonin, përfshi malet karstike në Guangxi, bukurinë e luginës Jiuzhaigou në Sichuan apo orizoret në Yunnan. Madje edhe në Pekin e Shangai e gjen veten të rrethuar nga male, liqene e lumenj. Natyra të shoqëron kudo të shkosh, çfarëdo të bësh.

2. Ushqimi

Ushqimi është qendra e jetës dhe kulturës kineze në shumë drejtime. E gjen kudo, që nga format e përshëndetjes e deri te festimet e ndryshme. Kinezët e kanë ushqimin shumë të shtrenjë dhe i kushtojnë shumë kohë jo vetëm shijimit të tij, por edhe gatimit. Disa lloje ushqimesh, nga krahina në krahinë, jo vetëm që janë të shumëllojshme, por lidhen edhe me festat kombëtare specifike

(për shembull, raviolit kineze hahen në vigjilje të Vitit të Ri kinez, makaronat e jetëgjatësisë me rastin e ditëlindjes, apo ëmbëlsirat e Festës së Hënës, rosa e Pekinit etj).Ka shumë arsye pse ushqimi kinez shijon, dhe në të vërtetë është unik.

3. Udhëton lirë dhe mirë

Për të qenë turist në Kinë ju mund të paguani pak para, kuptohet nëse do të ndiqni stilin tradicional të jetesës të banorëve vendas. Shumë parqe dhe tempuj janë falas për turistët. Galeritë dhe shtëpitë-muze janë gjithashtu shumë lirë ose falas. Transporti publik nuk është aspak problem, mjafton që në oraret e ngarkuara me trafik të shmangni marrjen e taksive. Koha e lirë mund të kalohet vërtet bukur, nëse thjesht endesh nëpër qytet dhe e lë veten të lirë të eksplorosh sa më shumë vende.

4. Mikpritja e kinezëve

Çdo popull ka traditat dhe kulturën e tij.

Vende të ndryshme kanë virtyte dhe vlera të ndryshme, por edhe të ngjashme.

Po të marrim Shqipërinë, një nga virtytet e vyera të shqiptarëve është mikpritja. Miku respektohet, vlerësohet dhe nderohet në mënyrë të veçantë. Në të kaluarën, nëse dikush trokiste në derë, qoftë mik apo edhe armik, kthehej në një njeri të paprekshëm.

Mikpritja është një ideal i dashur e i rëndësishëm i shoqërisë tradicionale ku hyn edhe Kina. Shqiptarët e kanë mikpritjen të shenjtë e të pakufishme.

E njëjta gjë ndodh edhe në Kinë. Sapo vjen këtu të bën përshtypje mikpritja e madhe e banorëve, energjia pozitive dhe komunikimi edhe nëse nuk flet gjuhën e tyre.

Kinezët janë njerëz të ngrohtë, të lumtur dhe shumë të dashur. Madje nëse do keni rastin të vizitoni ndonjë mik kinez në shtëpinë e tij, do të mahniteni nga respekti dhe përkushtimi i madh.

5. Historia

Kina ka një histori mbi 5-mijëvjeçare dhe kinezët janë krenarë për këtë fakt. Çdo kinez, i çfarëdo moshe do të flasë me njohuri dhe pasion të madh për kulturën e vendit. Nëse me të vërtetë doni ta kuptoni Kinën e sotme duhet ta njihni thellë historinë e saj.

6. Kultura e pakica kombëtare

Kina ka 56 kombësi. Kombësia hane përbën 92% të popullsisë, ndërkohë pjesa tjetër mbulohet nga pakicat kombëtare që janë të shpërndara në të gjithë vendin. Çdo grup etnik në Kinë ka stilin e vet arkitekturor, të veshjeve, ushqimit, muzikës etj. Kjo e bën Kinën një vend me divesritet të lartë kulturor - diçka që nuk e dija përpara se të vija në Kinë. Ndoshta vendi më i mirë për të mësuar më tepër për pakicat kombëtare është provinca e Yunnan-it, pasi aty jetojnë pjesëtarë të 26 nga 56 kombësitë.

7. Stili tradicional arkitekturor

Së bashku me arkitekturën europiane dhe arabe, arkitektura e lashtë kineze është një përbërës i rëndësishëm në sistemin arkitekturor botëror. Përveç stilit të ndërtesave me dru, kinezët kanë ndërtuar mrekulli arkitekturore si Muri i Madh, Qyteti e Ndaluar dhe Mauzoleumi i perandorit të parë të Kinës.

8. Gjuha

Gjuha kineze, edhe pse tepër e vështirë, është shumë interesante, bazohet në tone dhe idioma. Kjo gjuhë është e sofistikuar dhe e bukur me hieroglife unike, ku secili prej tyre është i ndryshëm nga tjetri. Kinezët duhet të dinë mbi 3 000 hieroglife për t'u konsideruar të arsimuar.

9. Transporti publik

Është e habitshme se sa shpejt është zhvilluar transporti publik në Kinë në vetëm një dekadë. Sot Kina ka rrjetin më të madhe të trenave të shpejtë në botë, sistem perfekt metrosh, autobusësh etj.

10. Arti tradicional kinez

Arti është një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë dhe kulturës kineze. Kina i ka pothuajse të gjitha format e shkëlqyera të artit që i ka zhvilluar për qindra shekuj. Arti kinez përfshin skulpturën, operën, pikturën, kaligrafinë, gdhendjet e ndryshme në dru a gur etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore