Kina po ndihmon transformimin në metropole moderne të qyteteve afrikane

2017-12-04 11:19:23 xinhua Komenti juaj Printoni

Kur urbanisti Zheng Qingzhi preku për herë të parë tokën e Nampula-s, qytetit të tretë më të madh të Mozambiku, ai u habit nga pamja aq "primitive", ku ndërtesa më e lartë ishte gjashtë kate.

Por, kjo tronditje u bë shumë shpejt një lloj "stimuli" pasi ai kuptoi se sa shumë mundësi kishte për ta shndërruar këtë qytet të vogël në një metropol nga duart e grupit të tij në Institutin e Planifikimit Urbanistik të Guangzhou-t (GZPI).

"Urbanizimi i shpejtë i Kinës mund të jetë përvojë e pasur referimi për qytetet afrikane. Kemi epërsi të dukshme për zbatimin e planeve, gjë që ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendet afrikane," i tha Zheng gazetës "Global Times".

Në tre dekadat e fundit, Kina ka përjetuar urbanizëm të vrullshëm pasi qindra e miliona vetë u zhvendosën në qytete. Kurse në Afrikë, rreth 1/3 e popullsisë jeton tani në zonat urbane. Sipas një raporti të OKB-së, kjo shifër mund të rritet në 1/2 në 15 vjetët e ardhshme.

Instituti i tij, si partner i OKB-së për zgjidhjen e problemit të zhvillimit urban të vendeve afrikane, nënshkroi në vitin 2016 një memorandum për planifikimin strategjik të dy qyteteve kryesore të Mozambikut, Nampula-s dhe Nacala-s.

Në sytë e Zheng-ut, Nampula ka mundësi të madhe të radhitet ndër qytetet më të mëdha dhe më të zhvilluara me pozitë të ngjashme me metropolin e Kinës, Guangzhou-n.

Baza e dobët ekonomike vendore është bërë një pengesë. Megjithatë, grupi i Zheng-ut nuk u tërhoq. "Ndoshta për projektuesit perëndimorë, vështirësia ekonomike është problem më i madh. Por, ne kinezët nuk mendojnë kështu", tha Zheng dume shtuar se nëse njerëzit janë punëtorë, varfëria është vetëm një problem i përkohshëm.

Konkretisht, ata bënë gjithë planifikimin në sajë të zhvillimit ekonomik. "Sipas përvojës së Kinës, mënyra më efikase është të përcaktohet së pari mënyra e zhvillimit ekonomik. Me t'u qartësuar kjo, mund të projektohet rrjeti rrugor, zonat e ndërtimeve dhe infrastrukturat e tjera", shpjegon Zheng.

Por, 80% e banorëve të Nampula-s banojnë në rrugica të ndotura (lagje të varfra) dhe qeveritë lokale nuk janë në gjendje të përballojnë financiarisht asnjë projekt të madh ndërtimi. Ndërsa, sipërmarrësit nuk mund të ndryshojnë funksionet e tokës për t'ia përshtatur ndërtimit, pa përmendur se në pjesën dërrmuese të qytetit mungojnë sistemet e derdhjes së ujërave të zeza, mungon rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike dhe i gazit natyror.

Zheng dhe grupi i tij duhet të punojnë sipas kushteve topografike të rajonit. Sistemi i derdhjes së ujërave të zeza, për shembull, duhet të ndërtohet në vend të pjerrët, pa shtuar punën e sheshimit të terrenit etj. "Për sa i përket projektimit të rrugëve, kemi bërë mbi 20 herë modifikime," thotë urbanisti.

Kështu që me përpjekje kolektive, grupi i urbanistëve kinezë realizuan dy plane, një afatshkurtër dhe një tjetër afatgjatë. Projektimi nisi me ndërtimin e infrastrukturës me qëllim ngritjen e nivelit të jetesës së banorëve. Këtu përfshihet ndërtimi i qendrës së trajtimit të mbetjeve, krijimi i sistemeve të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe të ujit të pjshëm.

Më tej, në periudhën afatgjatë, plani fokusohet në përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të banimit dhe në hapjen e vendeve të punës, duke mos sjellë ndikime të mëdha për sistemin ekologjik vendës.

Përpjekjet e grupit kinez dolën me sukses, duke marrë si referim zonat e posaçme ekonomike të Kinës. Pasi e përcaktoi pozicionin e qytetit Nacala, si "Korridor Ekonomik", planifikimi ndihmoi jo vetëm në ndërtimin e mbarë të sistemit infrastrukturor, por edhe në përpilimin e politikave që favorizojnë tërheqjen e investimeve.

Mirëpo, përparimet që punonjësit kinezë dëshirojnë të bëjnë në Afrikë mund të hasin vështirësi për shkak të gjendjes së ndryshme politik e shoqërore.

Zonja Huang Zhengli, një studiuese e Universitetit Sheffield që ka punuar në një projekt për ndërtimin e një shkolle në një lagje të varfër në Kenia u shpreh se miratimi i qeverisë për ndërtimin e shkollës nuk mund të ndahet nga miratimi i komunitetit.

Ajo, së bashku me inxhinierët perëndimorë morën pjesë në një mbledhje për t'ju prezantuar përfaqësuesve të komunitetit projektin e ndërtimit. "Por, pavarësisht se projektet janë kineze apo perëndimore dhe rëndësisë së shkollës, pala afrikane refuzoi me këmbëngulje", shtoi znj. Huang.

Pasi u bënë shumë përpjekje, zonja Huang gjeti një agjent si ndërmjetës dhe më në fund mori miratimin.

Në një intervistë për revistën "Kina Urbane", Peter Soita Shitanda, ish-ministri kenian i Strehimit u shpreh se në krahasim me vendet e tjera, Kina ka më shumë eksperiencë për zhvillimin urban dhe vendet afrikane mund të mësojë prej saj.

Por, Kenia, sipas tij, nuk mund të kopjojë modelin e Kinës.

"Zhvillimi i shpejtë i Kinës mbështetet mbi aftësinë e madhe të qeverisë kineze për planifikimin afatgjatë. Por, shumica e vendeve afrikane kanë sistem politik shumë partiak, gjë që krijon vështirësi të mëdha për zbatimin në vijimësi të planifikimeve afatgjata," tha ai.

Znj. Huang, tani po kryen studime mbi qytetet afrikane. Ajo thotë se aftësia e madhe e qeverisë kineze për kontrollin e përdorimit të tokës është faktor tjetër i rëndësishëm që nxit zhvillimin urban. Por mbi 40 vende afrikane kanë sisteme që ndryshojnë nga njëri tjetri.

"Gjatë ndërtimit, nuk është e rrallë që kompanitë kineze të hasin rezistencën e banorëve që hyjnë papritur në kantier, duke u deklaruar si pronarë të tokës. Për ta çuar përpara ndërtimin, kompanitë duhet të shpenzojnë më shumë për zgjidhjen e problemit të pronësisë së tokës", tha Dr. Huang.

Megjithatë, ajo theksoi se është kuptimplotë, që më shumë urbanistë kinezë të marrin pjesë në zhvillimin afrikan.

"Kina ka përfituar nga globalizimi dhe planifikuesit kinezë kanë mësuar nëpërmjet komunikimit me botën e jashtme. Përveç këtyre, në Afrikë, nuk hasëm asnjë banor që të mbante qëndrim armiqësor ndaj kinezëve. Por mediat perëndimore publikojnë shumë artikuj në të cilët akuzohet Kina si kolonialiste, gjë që bie ndesh me të vërtetën. Në fakt, në shumë projekte ndërtimi në Afrikë, kompanitë perëndimore fitojnë shumë para si investitorë dhe mbajtës të aksioneve. Kurse firmat kineze vetëm punojnë si nënkontraktore ".

Mrekulli
Lajmet Kryesore