Oferta turistike e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos

2017-11-27 14:21:12 xinhua Komenti juaj Printoni

Me një popullsi prej 577.914 banorësh dhe sipërfaqe 28.914 km katrorë, dikur kolonia më e vjetër portugeze në Kinë, Makao është një nga qendrat e preferuara për turistët kinezë dhe nga e mbarë bota. Në vitin 1987, midis Portugalisë dhe Kinës u arrit një marrëveshje për të kthyer Makaon në qeverisjen e Kinës, e cila hyri në fuqi në dhjetor të vitit 1999. Makao është një rajon i pavarur, me të drejtë zgjedhjeje të liderëve lokalë, si dhe të drejtën e banorëve të saj të udhëtojnë pa kufizime. Zyrtarisht Makao njihet si Rajon i Posaçëm Administrativ i Republikës Popullore të Kinës.

Makao ndodhet në perëndim të deltës së Lumit Perlë, në 64 km në lindje të saj ndodhet Hong Kongu, si dhe kufizohet nga provinca e Kinës kontinentale Gungdong në veri si dhe në jug e lindje nga Deti i Kinës Jugore. Gjatë periudhës koloniale Makao administrohej nga Portugalia në periudhën nga mesi i shekullit të 16-të deri në vitin 1999, kur kishte mbetur e vetmja koloni europiane në Azi. Tregtarët portugezë mbërritën në Makao në vitin 1550, ndërsa në vitin 1887 Makao u kthye në koloni.

Sovraniteti i Makaos iu rikthye Kinës në dhjetor të vitit 1999. Bazuar në politikën "një shtet, dy sisteme" Këshilli i Shtetit i Kinës është përgjegjës për politikën e jashtme dhe mbrojtjen ushtarake të Makaos, ndërsa rajoni administron sistemin e vet ligjor, sistemin financiar, policinë doganore, forcën e sigurisë publike si dhe politikën migratore. Makao është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare.

Makao, një ndër qytetet më të pasura të botës

Sipas Bankës Botërore në vitin 2013 GDP e Makaos ishte më e larta në nivel global. Në vitin 2006 Makao u bë qendra më e madhe në botë e lojrave të fatit, pasi ekonomia e rajonit varet kryesisht prej tyre si dhe turizmit, si dhe një pjesë e saj nga manifaktura. Sipas "The World Factbook", Makao është vendi i 4-t në botë me nivelin më të lartë të jetesës, si dhe një ndër të paktat rajone të Azisë me nivel të lartë të Treguesit të Zhvillimit Njerëzor, që në vitin 2013 ishte në vend të 14-të në nivel global.

Destinacionet turistike të Makaos

Mbetjet e Kishës së Shen Palit

Është një kompleks që daton shekullin e 16-të, i cili fillimisht ishte Kolegji i Shën Palit dhe Kisha e Shën Palit, e njohur si "Mater Dei", të cilën në shekullin e 17-të kolonizatorët portugezë ia kushtuan apostullit Shën Pal. Sot këto mbetje janë ndër më të vizituarat në Makao, madje shpesh gabimisht quhen mbetjet e katedrales, që në fakt nuk ka qenë kurrë e tillë. Në vitin 2005 kjo qendër historike e Makaos u përfshi në Listën e Trashëgimive të UNESCO-s.

Qendra Argëtuese e Makaos

Njihet edhe si Kulla e Makaos dhe ka një lartësi prej 338 metrash. Pamja nga maja e saj është mjaft e bukur dhe panoramike, ndërsa në brendësi të ndërtesës ndodhen restorante, salla teatri, qendra tregtare. Kjo majë vitet e fundit është kthyer në qendër të veprimtarive aventurore si skyjump, apo bungeejump. Qendra është projektuar nga firma arkitekturore Craig Craig Moller.

Tempulli A Ma

Ndodhet në jugperëndim të gadishullit të Makaos dhe është një ndër tempujt më të vjetër taoist të rajonit. I ndërtuar në vitin 1488 tempulli i kushtohet perëndisë së peshkatarëve dhe mbrojtëses së detit, Matsu.

Fortaleza do Monte

Është një ish fortesë ushtarake në qendër të Makaos dhe pjesë e Qendrës Historike të saj. Gjithashtu kjo fortesë është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Resorti Galaxy

Ndodhet në rripin Cotai dhe ndërtimi i tij ka nisur në vitin 2002 por është hapur zyrtarisht për publikun në vitin 2011. Me një investim prej 14.9 miliard dollarë hongkongas resorti është projektuar nga Gary Goddard, ndërsa interieri i tij ku përfshihen dhe kazinotë i përket firmës Steelman Partners.

Sheshi i Senatit

Është pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s dhe qendër historike e Makaos. Sheshi e ka marrë emrin nga Leal Senado, një shesh tubimesh për banorët kinezë dhe portugezë të gadishullit në shekujt 16-të dhe 18-të. Qendra Shkencore e Makaos

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre nisi në vitin 2001 dhe përfundoi në vitin 2009. Ai ishte krijuar nga shoqata Pei Partnership Architects. Përurimi i kësaj qendre u bë në vitin 2009 nga presidenti i atëhershëm i Kinës, Hu Jintao.

Muzeu i Makaos

Ndodhet në kodrën e Fortaleza do Montes dhe në të ekspozohet historia e qytetit si një ish koloni portugeze deri në ditët tona.

Biblioteka Sir Robert Ho Tung

Është biblioteka publike e Makaos e cila ndodhet në Qendrën Historike të qytetit. Ajo ndodhet në një godinë të njohur për vlerat e saj arkitekturore dhe historike.

Muzeu "The Grand Prix"

Është një muze i garave me motorrë dhe është përuruar në edicionin e 40 të kësaj gare në nëntor të vitit 1993. Ndodhet pranë Muzeut të Verërave.

Muzeu i Verërave

Muzeu ze një sipërfaqe prej 1400 metra katrorë dhe në të pasqyrohet historia e prodhimit të verërave portugeze, por dhe stacionet e degustimit të verërave ndër vite në këtë rajon.

Tempulli Na Tcha

I ndërtuar në vitin 1888 ky është një tempull fetar me një aspekt të spikatur folklorik. Mendohet që tempulli u ndërtua për ti dhënë fund luftrave, që e kishin pushtuar gadishullin në atë periudhë.

Parku Casa Garden

I ndërtuar në vitin 1770 parku fillimisht kishte një banesë të tregtarit të pasur portugez Manuel Pereira. Më vonë ndërtesa u mor me qira nga Kompania angleze East India, e cila e përdori për strehimin e drejtorëve të degës së saj në Makao. Në vitin 2005 është përfshirë në Listën e Trashëgimive historike të Unesco-s. (Eda Merepeza)

Mrekulli