Epoka e re e ndryshimit të fuqisë midis Kinës e ShBA-së

2017-11-20 14:13:16 xinhua Komenti juaj Printoni

Në raportin e mbajtur në Kongresin e 19-të Kombëtar të PKK-së që u zhvillua në fund të tetorit, sekretari i përgjithshëm, Xi Jinping, tha se socializmi me karakteristika kineze ka hyrë në një epokë të re. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet midis Kinës dhe ShBA-së janë futur në një fazë të re për shkak të ndryshimeve të shumta që po ndodhin mes dy superfuqive botërore në 5 vitet e fundit.

24-vjeçarja Vivian Liu është një ndër njerëzit kinezët që presin në radhë jashtë ambasadës amerikane në Pekin për një intervistë për marrjen e vizës. Kjo e diplomuar dëshiron të vazhdojë studimet master në Universitetin Kolumbia.

Çdo ditë, afro 14 mijë veta udhëtojnë midis Kinës e ShBA-së për biznes, punë, studime dhe turizëm. Por, megjithëse sondazhet tregojnë se ShBA-ja renditet ndër destinacionet më të pëlqyera për emigracion, turizëm apo studime për kinezët, shtrëngimi i politikave nga pala amerikane ka penguar shkëmbimet njerëzore me Kinën dhe fuqizimi i Kinës, e bën popullin të ndryshojë edhe qëndrimin ndaj "Ëndrrës Amerikane". Gjithnjë e më shumë studentë kinezë që studiojnë në ShBA po kthehen në atdhe pas diplomimit. Kjo përqindje tejkalon 50% sipas një raporti të publikuar nga Qendra e Shërbimeve për Shkëmbimet Shkollore pranë Ministrisë së Arsimit të Kinës.

Liu i tha gazetës "Global Times" se politikat e Trump-it synojnë mbrojtjen e vendeve të punës të shtetasve amerikanë.

"Por, kjo gjë nuk më shqetëson, pasi synimi im i vetëm për vajtjen në ShBA është arsimimi atje, ndërsa për t'u punësuar dua të punësohem në Kinë," tha studentja 24-vjeçare.

Wang, një tjetër student në radhë së bashku me Liu ka të njëjtin qëndrim.

"Brezi i ri i studentëve kinezë nuk ka të njëjtat ëndrra si brezi i prindërve të tyre. Në vitet '80 dhe '90, shumë kinezë që kishin mundësi të studionin në ShBA dëshironin të qëndronin atje, pasi Kina nuk ishte aq e zhvilluar. Por sot, në sytë e mi, përveç epërsive teknologjike dhe arsimore, nuk mund të gjej shumë arsye të tjera për të mbështetur joshjen e qëndrimit në ShBA të të rinjve kinezë", tha Wang.

Sipas të dhënave, në vitin 2017, 73% e studentëve kinezë që studiojnë jashtë vendit dëshirojnë të kthehen për të nisur karrierën në Kinë, e këtu përfshihen edhe studentët amerikanë me origjinë kineze.

Jeremy Dai, 23 vjeç po studion në një program MBA në Shkollën e Menaxhimit Ekonomik të Universitetit Tsinghua të Kinës. Ai i tha gazetës "Global Times" se 1/3 e studentëve të huaj në universitetin e tij janë me origjinë kineze, shumica prej të cilëve vijnë nga ShBA-ja.

Por, ata nuk janë studentë të zakonshëm ose me rezultate të dobëta, përkundrazi, ata kanë jetë të shkëlqyer akademike dhe eksperiencë të mirë karriere. Të gjithë janë diplomuar nga universitetet që përfshihen në Ligën e Ivy-it dhe kanë eksperiencë praktike në kompanitë më të mira amerikane.

"Ata kthehen në Kinë pjesërisht për shkak të mundësive të mëdha ekonomike që ka Kina si dhe për shkak se ata nuk mund të ngrihen shumë në pozitë në kompanitë amerikane si shtetas me origjinë kineze", kështu i shpjegon Dai arsyet e kthimit të këtyre talenteve në atdhe.

Në epokën e re, tregtia midis Kinës dhe ShBA-së është bërë edhe më e ndërlidhur, krahas shtimit të eksportit të Kinës në SHBA. Lidhur me deficitin tregtar me Kinën, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur disa herë pakënaqësi.

Duke komentuar reagimin e ShBA-së, Bai Ming, anëtar i Akademisë së Bashkëpunimit Ekonomik Tregtar vuri në dukje se Kina faktikisht ka lehtësuar hyrjet në tregun e brendshëm për produktet amerikane.

"Por, hapja e Kinës ka qenë graduale dhe nuk mund të realizohet brenda një nate në përputhje të plotë të standardeve të vendeve të zhvilluara. Kurse, nga ana tjetër ShBA-ja ka kufizime të rrepta për eksportimin e produkteve me teknologji të lartë ndaj Kinës. Kështu shtohet deficiti i import-eksportit", shpjegoi z. Bai.

Kur shtohen kontaktet ekonomike, mosmarrëveshjet vijojnë në mënyrë të paevitueshme. Z. Chu Yin, një profesor asocial nga Universiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Kinës u shpreh se ndodhja e mosmarrëveshjeve nuk nënkuptohet gjithmonë si një gjë e keqe.

"Ky fenomen vërteton se të dyja palët janë lidhur më ngushtë me njërë-tjetrën dhe gjatë procesit të zgjidhjes së problemeve, Kina dhe ShBA-ja do të ndërthuren më tej kur shtohen interesat e përbashkëta", tha z. Chu.

Ai e merr biznesin e Alibaba-së në ShBA si shembull.Më 20 qershor, gjiganti kinez i shitjeve online Alibaba organizoi një samit në Detroit për t'iu prezantuar ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla amerikane shanse biznesi në tregun kinez. Alibaba premtoi se do t'i ndihmonte, duke krijuar miliona vende pune në ShBA në pesë vjetët e ardhshëm.

"Kjo do të thotë se mbështetësit në ShBA për zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën do të shohin më shumë suksese. Në të kaluarën, këto rezultate ndaheshin vetëm tek ndërmarrjet që kishin biznes me Kinën. Por tani, miliona banorë të thjeshtë amerikanë mund të përfitojnë. Kështu besoj se nuk do të ketë përkrahje të mëdha teoria e 'Kërcënimit nga Kina'", i tha z. Chu "Global Times-it".

Përveç çështjeve ekonomiko-tregtare, pala amerikane ka edhe pritshmëri të lartë për Kinën në zgjidhjen e problemeve të sigurisë sidomos për krizën bërthamore në Gadishullin Korean. Por, bashkëpunimi duhet të bazohet mbi respektin reciprok.

Eksperti ushtarak Song Zhongping u shpreh në një program të televizionit hongkongas Phoenix se përveç problemit në Gadishullin Korean, ShBA-ja ka edhe mosmarrëveshje me palën kineze mbi Detin e Kinës Jugore dhe Tajvanin, pavarësisht qasjes pozitive të pranisë ushtarake të Kinës jashtë vendit si në bazën logjistike të Djiboutit të gjirit të Adenit.

Në raportin e mbajtur në Kongresin e 19-të Kombëtar të PKK-së, presidenti Xi Jinping u shpreh se Kina nuk do të synojë kurrë zhvillimin e vet në kurriz të interesave të vendeve të tjera. "Por, Kina nuk do të heqë dorë kurrë nga të drejtat dhe interesat e saj legjitime. Askush nuk duhet të mendojë se ne do të kapërdijmë atë që cenon interesat tona", tha lideri kinez."

Z. Song vuri në dukje se në të kaluarën, Kina mbështetej kryesisht te masat diplomatike, por tani dhe në të ardhmen, me ngritjen e aftësisë ushtarake, Kina do të jetë në gjendje të përdorë masat gjithëpërfshirëse.

"ShBA-ja duhet të ambientohet me këto ndryshime dhe të ndërtojë respekt të ndërsjellë me palën kineze sepse prania ushtarake e Kinës lidhet me mbrojtjen e interesave të saj dhe të sigurisë globale dhe jo dëmtimin e interesave të vendeve të tjera, duke përfshirë edhe ato të ShBA-së", shtoi Song. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore