Frika e pabazë europiane ndaj nismës "Një brez, një rrugë"

2017-11-13 14:45:14 xinhua Komenti juaj Printoni

Franklin D. Roosevelt, presidenti i 32-të amerikan u shpreh gjatë "Depresionit të Madh" të viteve '30 të shekullit të kaluar se "e vetmja gjë për të cilën duhet të frikësohemi është vetë frika."

Thënia e tij mund të shërbejë si një paralajmërim për mediat europiane që e përshkruajnë si një rrezik nismën e Kinës, "Një brez, një rrugë" që u paraqit në vitin 2013 nga pala kineze.

Kur vendet e ndryshme përfitojnë nga projektet brenda kornizës së nismës, disa media perëndimore treguan paragjykime ndaj Kinës me pretekstin e sigurisë kombëtare.

Një artikull i botuar së fundi në gazetën Nju Jork Tajms i përshkroi investimet kineze në Greqi si "kolonializëm i ri pa luftë". Por kjo akuzë u hodh poshtë në Forumin e Rrugës së Re të Mëndafshit që u organizua më vonë në Selanik nga mediat vendore, të cilat i vlerësuan kineze si "fitimprurëse për të dyja palët".

Duke replikuar ndaj shkrimit të gazetës Nju Jork Tajms, Michalis Psylos, presidenti i agjencisë greke të lajmeve AMNA, i tha agjencisë Xinhua se "askush nuk e përfill reportazhin e Nju Jork Tajmsit".

Sipas tij, nisma e Kinës "i ka dhënë Greqisë hapësirë dhe mundësi për të ngritur vendin e saj në botën moderne si një anëtare e Bashkimit Europian".

"Ne mendojmë se marrëdhëniet kino-greke kanë rëndësi strategjike dhe gjeopolitike. Agjencitë e lajmeve të të dyja vendeve dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunim në sajë të interesave të të dy popujve," tha z. Psylos.

Kriza financiare që filloi në vitin 2008 e çoi portin Pireut në prag falimentimi. Kryebashkiaku i qytetit Peramas, Yannis Lagoudakis, si disa të tjerë nuk e mbështetën dorëzimin e kontrollit të portit në duart e investitorëve kinezë të kompanisë COSCO Shipping. Por, dyshimet e tij u shuan më shpejt sesa parashikohej.

Para vitit 2010, kur kompania kineze mori të drejtën e menaxhimit, porti i Pireut radhitej në vendin e 93-të në botë për nga tonazhi i përpunimit të mallrave. Pas gjashtë vjet menaxhimi nga pala kineze, Pireu tani zë vendin e 38-të.

Vitin e kaluar, COSCO-ja bleu 51% të aksioneve të portit dhe sipas planifikimit afatgjatë të kompanisë, investimet prej qindra milionë euro do të përdoren jo vetëm për zgjerimin e përmirësimin e infrastrukturës së portit, por edhe për zhvillimin urbanistik vendor. Ndërkohë, sipas një raporti të publikuar nga Fondi i Studimeve Ekonomiko-Industriale të Greqisë (IOBE), për shkak të rritjes së efikasitetit të trajtimit të kontejnerëve dhe programit afatgjatë të palës kineze, porti i Pireut do t'i sjellë 5.1 miliardë euro të ardhura në vit qeverisë greke, si dhe do të krijojë 125 mijë vende pune.

Kryebashkiaku Lagoudakis i tha agjencisë Xinhua se tani ai është bindur se bashkëpunimi me palën kineze për portin e Pireut ka perspektivë të ndritur fitimprurëse.

"Rigjallërimi i Rrugës së Mëndafshit në epokën e globalizimit do t'i ofrojë Greqisë shanse të bëhet një nyjë ndërmjet Kinës dhe Europës. Tani besoj se qeveria greke kishte të drejtë në atë kohë kur po përpiqej të thellonte bashkëpunimin me palën kineze," tha z. Lagoudakis.

Në pjesën tjetër të kontinentit europian, nisma "Një brez, një rrugë" ka luajtur një rol të rëndësishëm për ta ndihmuar Spanjën të dalë nga kriza.

Lidhja ekonomike kino-spanjolle është forcuar nëpërmjet një linje hekurudhore të transportimit të mallrave midis qytetit Yiwu në Kinën Lindore dhe Madridit. Kjo linjë hekurudhore është një ndër rezultatet e bashkëpunimit brenda kornizës së nismës "Një brez, një rrugë". Sipas kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, nisma e bën Spanjën një nyjë ndërlidhëse midis Kinës, Afrikës Veriore dhe Amerikës Latine.

Sipas tij, nisma "Një brez, një rrugë" ka shtuar dukshëm eksportin në Kinë, duke përmirësuar bilancin tregtar dypalësh.

"Në vitin 2016, kemi eksportuar një sasi rekord mallrash me vlerë prej mbi 5 miliardë euro. Presim një rritje të vazhdueshme në të ardhmen," shtoi z. Rajoy.

Lidhur me njoftimet që e cenojnë imazhin e investimeve kineze, z. Miguel Sanchez, drejtor i çështjeve ekonomike dhe financiare i Agjencisë Spanjolle të Lajmeve EFE thekson se "kur rritet konkurrenca, mënyra më e mirë për të goditur tjetrin është përhapja e lajmeve të pavërteta".

Nisma "Një brez, një rrugë" synon të krijojë ndërlidhshmëri tregtare dhe infrastrukturore midis Azisë, Europës dhe Afrikës përgjatë itinerarit të lashtë të Rrugës së Mëndafshit. Kjo nismë përbëhet nga brezi ekonomik i Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit e Shekullit të 21-të.

Në majin e këtij viti, mbi 60 vende e organizata ndërkombëtare nënshkruan marrëveshje me Kinën për konfirmimin e pjesëmarrjes në këtë nismë. Ndërsa, sipas të dhënave statistikore, vëllimi tregtar midis Kinës dhe vendeve pjesëmarrëse i ka kaluar 3 trilionë dollarë amerikanë në tre vitet e fundit, ndërsa investimet kineze në këto vende kanë arritën në 50 miliardë dollarë amerikanë. (Leftion Peristeri)

Mrekulli